Lokale
Opozita e Bujanocit kërkon CD-të dhe repriza
Seanca e ditët së sotme ishte me shumë debate e replika në mes të kryetarit të Kuvendit Ajredin Hyda dhe këshilltarëve të Partisë për Veprim Demokratik e Lëvizjes së Progresit Demokratik, raporton Titulli.
Mbledhja filloi me akuza nga opozita drejtuar udhëheqësisë së re të komunës së Bujanocit, për largimin e punëtorëve nga ndërmarrjet publike, ndërsa drejtuesi i kuvendit disa herë sqaroi se nuk bëhet fjalë për largim të të punësuarve me marrëveshje pune të përhershme, por vetëm atyre që i ka skaduar kontrata.
Ankesat e këshilltarit Ragmi Mustafa nga PVD dhe Jonuz Musliu nga LPD vazhduan, duke kërkuar ndërprerjen e kontrollove dhe marrjen në pyetjeve të ish drejtuesve të disa ndërmarrjeve publike të komunës së Bujanocit.
Kur u duk se do të fillohet me shqyrtimin e pikave të rendit të ditës, disa herë u debatua edhe për procesverbalin e mbledhjes së kaluar, duke kërkuar edhe CD e transmetimit të kësaj seance nga Radio Televizioni i Bujanocit.
Ragmi Mustafa paraqiti ankesat sa i përket përgatitjes së CD-ve, që sipas tij janë të shkurtuara dhe nuk është përfshirë i tërë materiali nga seanca.
Edhe Enver Ramadani nga radhët e PVD-së pati vërejtjet e tij. Ai u ankua për mos reprizimin e seancës së kuvendit, që sic tha ai “kjo është praktikuar nga themelimi i televizionit të Bujanocit”.
Kryetari i kuvendit Ajredin Hyda sqaroi këshilltarët se kuvendi si institucion nuk mund të ndërhyjë në punën redaktuese të RTB-së .
Pas përfundimit të debateve për procesverbalin dhe video transmetimin, filloi shqyrtimi i 12 pikave të rendit të ditës, të cilat pas shqyrtimit edhe u aprovuan nga 21 këshilltarët.
Kryetari i komunës Nagip Arifi në foltore shpjegoi se si organizata që kryen revizionin ka vërejtur disa mospërshtatje në harxhimin e financave në disa ndërrmarie publike të komunës së Bujanocit gjatë viteve të kaluara.
Para të zgjedhurve të popullit ishte propozim vendimi mbi llogarinë përfundimtare të buxhetit të komunës së Bujanocit për vitin 2011. Raporti mbi ekzekutimin e të hyrave dhe shpenzimeve të komunës për periudhën 01.01.-30.06.2012.
Në këtë seancë u bë ndryshimi edhe i aktvendimeve mbi emërimin e anëtarëve të këshillit drejtues të qendrës sportive “Rinia” si dhe bibliotekës “14 Nëntori”.
Po ashtu u emëruan anëtarë të ri të Këshillit komunal për siguri dhe parandalim të kriminalitetit si dhe të Shtabit komunal për situata të jashtëzakonshme të komunës së Bujanocit.
Në fund të mbledhjes së sotme kryetari i kuvendit njoftoi këshilltarët se për një muaj do të jenë në pushim./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!