Lokale
Nxënëset e “Sezai Surroi-t” kualifikohen për në konferencë studentore
Nxënëset Betina Imeri, Mabejna Salihu dhe Shemsie Avdiu janë tri nxënëset e shkollës së mesme “Sezai Surroi” në Bujanoc të cilat janë kualifikuar në mesin e 18 shkollave të shteteve të rajonit për të marrë pjesë me prezantim në konferencën e 10-të për studentë të Kosovës dhe rajonit, për çështjet sociale
Nxënëset, paraprakisht prezantimin e tyre ia kanë përcjell komisionit i cili ka vendosur se punimi i tyre plotëson standardet për të marrë pjesë në këtë konferencë e cila mbahet në Shkollën e Mesme Amerikane në Prishtinë (ASK).
“Respect for Elders” (Respektimi ndaj të vjetërve në komunën e Bujanocit) do të jetë tema për të cilën do të flasin nxënëset Betina Imeri, Mabejna Salihu dhe Shemsie Avdiu.
Konferenca do të zhvillohet të premten dhe të shtunën (6-7 dhjetor) ndërsa nxënëset do të jenë nën shoqërimin e profesorit të gjuhës angleze Muharrem Goga.
Sipas Gogës, nxënëset janë përgatitur mjaft për këtë temë, që tregon edhe kualifikimi për të marrë pjesë në një konkurrencë kaq të madhe.
“Prezantimi do të jetë në gjuhën angleze dhe shpresojë e besojë se nxënëset janë të përgatitura për ta përfaqësuar denjësisht shkollën “Sezai Surroi”, por edhe komunën e Bujanocit”, i tha Titullit profesori Goga.
Në Konferencën e 10-të për student të Kosovës dhe rajonit për çështjet sociale, nxënëset në fjalë do të jenë të vetmet që do të përfaqësojnë Luginën, ndërsa nga Serbia do të marrin pjesë edhe nxënës të shkollave nga Beogradi, Çaçaku, Jakodina, etj.
Përveç Kosovës dhe Serbisë në konferencë me prezantimet e tyre do të paraqiten edhe nxënës nga shkollat me renome të Shqipërisë, Malit të Zi dhe Bosnje e Hercegovinës./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!