Nxënësit në bojkot, librat ende në doganë (Foto & Video)
Lokale

Nxënësit në bojkot, librat ende në doganë (Foto & Video)

30.Oct.2015 07:28
0
Të martën, më 27 tetor, të gjithë shkollat fillore dhe të mesme të Luginës së Preshevës me mësim në gjuhën shqipe kanë bojkotuar orën e parë të mësimit.

Arsyeja e këtij bojkotimi ishte shprehja e pakënaqësisë ndaj bllokadës së teksteve shkollore në gjuhën shqipe, dërguar nga qeveria e Kosovës për nxënësit e shkollave fillore në Luginë, që prej datës 9 shtator po mbahen në terminalin doganor të Preshevës.

Në ditën e bojkotit në shkollën e mesme “Sezai Surroi” në Bujanoc ishte prezent Jonuz Musliu, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH), i cili shprehi keqardhje, siç u shpreh ai, që i gjeti nxënësit me çanta të zbrazëta.

“Më vjen mirë që jam sot në mesin tuaj, por më vjen keq që jam këtu për bojkotim të mësimit, i cili është organizuar për shkak të teksteve të bllokuara në terminal doganor që dy muaj, duke e e ditur situatën në arsimin shqip në Luginën e Preshevës, e veçmas në shkollat e mesme, ku nuk kemi asnjë tekst në gjuhën shqipe”, u shpreh Musliu.

Drejtori i shkollës “Sezai Surroi”, Zejni Fejzullahu, tha se bojkoti është organizuar nga KKSH, në bashkëpunim me strukturat politike dhe të gjithë drejtorët e shkollave fillore dhe të mesme me mësim në gjuhën shqipe në Luginë të Preshevës.

“Siç është i njoftuar edhe opinioni, 103.222 tekste shkollore për shkollat fillore si donacion i Republikës së Kosovës, gjegjësisht qeverisë së Kosovës duhet t’i shpërndahen nxënësve të shkollave fillore, mirëpo kjo nuk ka ndodhur për shkak të moslejimit nga ana e qeverisë së Republikës së Serbisë”, tha për portalin Titulli.com, Zejni Fejzullahu, i cili njëherit është edhe kryetar i Komisionit për arsim parashkollor, fillor dhe të mesëm pranë KKSH-së.

“Arsyet nuk i dijmë, por ne shpresojmë të gjindet një marrëveshje në mes dy qeverive, të Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që të plotësoshet mungesa e teksteve shkollore në gjuhën shqipe”, shton ai.

Ndërkohë, Drejtoria e doganave të Serbisë ka njoftuar nëpërmjet një komunikate se 25,4 tonë tekste mësimore në gjuhën shqipe, përkohësisht, nga fillimi i muajit shtator janë të deponuar në terminalin doganor në Preshevë, sepse importuesi i tyre nuk e ka nisur procedurën përkatëse doganore.

 “Deri në këtë moment përfaqësuesi i autorizuar i importuesit nuk ka paraqitur deklaracion për vënien e mallit në qarkullim të lirë, gjegjësisht as nuk ka nisur procedurën adekuate doganore gjatë së cilës do të vlerësohej plotësimi i të gjitha kushteve të domosdoshme për importimin e mallit në fjalë sipas Ligjit të doganës”, thuhet në komunikatë.

Afati për deponimin e përkohshëm të librave është vazhduar tashmë dy herë me kërkesë të importuesit, “i cili si arsye ka cekur se procedura e marrjes së lejes për përdorimin e librave në shkolla në Ministrinë e arsimit ende po zgjat”.

“Leja e përmendur nga Ministria e arsimit nuk është kusht për import, por pa të përdorimi i librave në shkolla nuk do të jetë i mundur”, thuhet në komunikatën e Drejtorisë së Doganave.

Vendimin për bojkotimin e orës së parë të mësimit e ka mbështetur edhe pushteti lokal i Bujanocit. Këtë e konfirmon për Titullin, Bajram Fejzullahu, kryeshef i drejtoratit për arsim.

“Këtë vendim e ka marrë KKSH dhe gjithë drejtorët në shenjë proteste për mungesën e teksteve në gjuhën shqipe. Sigurisht që e mbështesim edhe ne”, tha Fejzullahu për portalin tonë.

Profesori i historisë në shkollën e mesme “Sezai Surroi”, Ramiz Bajrami, thotë se deri në vitin 2000 nuk kanë pasur probleme me tekstet shkollore, dhe kanë përdorur edhe tekstet nga Kosova.

“Unë punoj si profesor prej vitit 1976. Deri në vitin 2000 kemi pasur edhe tekste të Kosovës edhe tekste të përkthyera nga Beogradi, dhe kurrë s’kemi pasur probleme, e tani në shekullin 21 t’i kemi këto probleme!?”, pyetet profesori Bajrami.

Sipas Bajramit, nxënësve shqiptarë të Luginës së Preshevës i pamundësohet mësimi i historisë kombëtare.

“Këto të drejta janë të garantuara me konventa ndërkombëtare, por edhe me kushtetutë, e në realitet të drejtat na mungojnë, sidomos për tekstet në të gjithë lëndët e për histori të mos flasim, pasi kurrë nuk na lejohet të mësojmë historinë kombëtare”, thekson profesori i historisë Ramiz Bajrami.

Më së shumti nga ky problem pësojnë nxënësit, pasi ata janë të detyruar të mësojnë nga shënimet dhe skriptat. Ata shprehen se ky është një problem shumë i madh për ta.

“Ne sot kemi bojkotuar orën e parë të mësimit sepse na mungojnë librat në gjuhën shqipe. Ky është një problem shumë i madh për ne pasi pa libra nuk mund të arrijmë asgjë në jetën tonë”, shprehet Ledejna Aliu, nxënëse e klasës së parë në shkollën e mesme “Sezai Surroi” në Bujanoc.  

“Orën e parë të mësimit nuk e mbajtëm për shkak të mungesës së librave. Unë jam në degën e elektroteknikës dhe gjatë gjithë orëve marrim shënime”, thotë Fikret Hyseni, nxënës i klasës së katërt të kësaj shkolle.

“Nuk kemi libra në gjuhën amtare si gjithë moshatarët tonë. Kemi vështirësi sepse shtatë orë marrim shënime, nuk kemi libra”, thekson Flamur Ebibi, nxënës i klasës së parë.

T’ju përkujtojmë se Ministria e arsimit, shkencës dhe teknologjisë e qeverisë së Kosovës më datën 9 shtator 2015 ka dërguar mbi 100 mijë tekste shkollore si donacion për nxënësit shqiptarë të shkollave fillore të Luginës së Preshevës.

Librat janë transportuar me kamionë dhe pas një kontrollimi pesë orësh në vendkalimin kufitar “Dheu i Bardhë” kamionët janë dërguar nën përcjellje të policisë në terminalin doganor në Preshevë, ku gjenden edhe sot.

Shteti i Serbisë aktualisht nuk lejon përdorimin e teksteve mësimore nga Kosova, disa tekste nga Shqipëria pas verifikimit, janë lejuar të përdoren në shkolla fillore, ndërsa një pjesë e teksteve që janë në përdorim në këto shkolla janë përkthyer nga gjuha serbe./Titulli.com/

VIDEO

 

 

Berisha përshëndeti autonominë, por në Preshevë janë të habitur: Nuk është e vërtetë (Video)
Ambasada e Turqisë në Beograd shënon përvjetorin e pavarësisë (Foto)
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration