Nusja nga Presheva dhe dhëndri nga Podujeva bëjnë ‘dasmë’ në stacionin e autobusëve në Gjilan (video)
Një çift i ri nga Presheva e Podujeva janë takuar në dasmën e tyre në stacionin e autobusëve në Gjilan, raporton Mediafokus.info.
Dasmorët nga Podujeva, në pamundësi për të dalë me vetura andej kufirit, kanë zgjedhur stacionin e autobusëve në Gjilan, për të marrë nusen nga Presheva, e cila deri aty është sjellë me veturë solemne nga familja e saj.
Siç shihet në videon që portali Mediafokus.info e ka siguruar, momenti i ‘dorëzim-pranimit’ të nuses është përcjellë me këngë e vallëzim dasmash nga vajzat, ndërkohë që nuses i është hequr duvaku nga dhëndri.
Një dasmor ka thënë se me këta krushq do të marrin sot edhe një nuse tjetër në Prishtinë, derisa në Podujevë do ta festojnë gëzimin e dyfishtë të kësaj familje, e cila jeton në diasporë, por ka ardhur në vendlindje për të bërë dasmën e madhe me familjen e gjerë në Kosovë.
Stacioni i autobusëve në Gjilan, mund të ketë pritur e përcjellë shumë udhëtarë deri tani, por dasmë me flamur dhe nuse me duvak, nuk ka ndodhë të ketë parë ndonjëherë brenda hapësirave të tij.
Portali Mediafokus.info uron çiftin e ri dhe i dëshiron çdo të mirë në jetë, kudo që ata do të jenë në të ardhmen.
Një nuse nga Presheva dhe një dhëndër nga Podujeva, nuk mund të jetë më bukur se kaq, jo vetëm si dashuri mes dy të rinjve, por edhe si simbolikë e bashkimit të trojeve etnike.