Një vepër monumentale për demografinë e Kosovës
Lokale

Një vepër monumentale për demografinë e Kosovës

04.Feb.2021 21:26
0

Hivzi ISLAMI, “DEMOGRAFIA E KOSOVËS - Evolucioni i popullsisë, migrimet, gjeopolitikat  ekspansioniste serbe dhe spastrimet etnike të shqiptarëve”, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2020, ff. 1-898.

Këto ditë doli nga shtypi vepra më e plotë e demografit tonë të njohur në suaza kombëtare, rajonale dhe evropiane, akademik Hivzi Islamit “Demografia e Kosovës”, me nëntitullin e zënë në gojë. Akademi Islami deri sot ka botuar më se 15 libra shkencorë nga demografia dhe disiplinat e afërta dhe mbi 150 artikuj, studime e trajtesa në revista shkencore-profesionale në vend dhe në botën e jashtme dhe mori pjesë në shumë tubime shkencore në vend dhe jashtë, me kumtesa dhe diskutime. Ka mbajtur mësim nga demografia në disa fakultete të UP-së dhe në disa universitete evropiane në cilësi të profesorit të ftuar. Njihet si organizator i madh i punës kërkimore-shkencore.  Studimi “Demografia e Kosovës” me të drejtë mund të cilësohet si vepër monumentale dhe sfiduese për gjendjen, rrjedhat dhe tendencat demografike të Kosovës për një periudhë më se njëshekullore. Vepra është rezultat i punës disadekadëshe të autorit. E botoi Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës dhe kapë një vëllim prej rreth 900 faqesh; e shtypi falas kompania “Ecolog” e Tetovës.  

Trashëgimia e rëndë historike dhe një varg rrethanash të tjera të pavolitshme sociale, ekonomike, kulturore, shëndetësore etj., sikurse në shoqëritë paraindustriale, kanë bërë që në Kosovë të formohej për një kohë të gjatë një kompleks karakteristik demografik, ku baraspesha midis lindjes dhe vdekjes arrihej me humbje të mëdha njerëzish për shkak të mortalitetit të lartë, sidomos të foshnjave, me dominimin e determinanave ekzogjene të vdekjes, me imobilitet të madh territorial e social të popullsisë dhe normë skajshmërisht të lartë të analfabetizmit. Prandaj Kosova mbeti sot e gjithë ditën transicioni i fundit demografik në Europë, me pasojat konkrete që bart ky proces, çfarë janë norma e lartë e fertilitetit, përbërja e re e popullsisë, shkalla e ulët e popullsisë aktive, norma e lartë e  vdekshmërisë së foshnjave etj.

Ndër sfidat e mëdha dhe shumëdimensionale të civilizimit të sotëm me dilema dhe brengosje të shumta për të tashmen dhe të ardhmen e njerëzimit, që aktualisht e preokupojnë njerëzimin në nivel global, kontinental, rajonal dhe nacional janë edhe dinamika e popullsisë (rritja ose zvogëlimi, varësisht nga niveli), veçoritë strukturale të saj, migrimet e tipave të ndryshme, kriza e migrantëve dhe  e refugjatëve etj. Sipas autorit, popullsia duke u bërë fushë e interesit dhe e kërkimeve shumëdisiplinare dhe demografia shkencë integrale e shkencave sociale, ajo u bë doemos edhe shkencë kombëtare. Përmes indikatorëve demografikë shihet qartë se si ka frymuar shoqëria kosovaro-shqiptare për një hark të gjatë kohor në gjithë kompleksitetin e saj dhe në veçanti një bashkësi etnike e kombëtare (shqiptarët), sistemi socioekonomik, e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja e gjithë shoqërisë. Faktori demografik sot, sipas autorit, po konsiderohet edhe çelës i zgjidhjes së problemeve dhe raporteve politike në shoqëritë multietnike, para së gjithash në hapësirat ballkanike, ku konfliktet ndëretnike ishin të pranishme gjatë gjithë shek. XX dhe duket se ende nuk kanë përfunduar.

Vepra “Demografia e Kosovës” është realizuar me kompetencë profesionale, rigorozitet shkencor dhe me një qasje origjinale metodologjike, e mbështetur në njohuritë bashkëkohore teorike. Në hartimin e këtij botimi janë shfrytëzuar të dhënat e regjistrimeve zyrtare të popullsisë të dy ish-shteteve të shek. XX dhe statistikat vitale zyrtare pas Luftës II Botërore, si dhe të dhënat e regjistrimit të popullsisë së Kosovës të vitit 2011 dhe të statistikave vitale të aktivizuara nga viti 2004 dhe të dhënat e tjera vijuese demografike për sektorët për të cilët ekzistojnë ato me të gjitha kufizimet; regjistrimi i vitit 2011 karakterizohet me shumë mangësi si në përfshirje, ashtu edhe në cilësi dhe në dimensionin strukturor në përgjithësi. Autori e ka studiuar evolucionin e lëvizjes natyrore (lindshmërinë, vdekshmërinë dhe SHN), strukturat bazë të popullsisë, proceset migruese, spastrimet etnike dhe problemet sociopolitike dhe gjeopolitike, historike, ekonomike etj., të ndërlidhura me rrjedhat demografike. Në shfrytëzimin e statistikës për hulumtimet demografike autori ka pasur shumë kujdes që të mos bëhet rob i numrave dhe as t’i shndërrojë numrat në mit të paprekshëm, por nga masa kolosale e tyre me mjeshtri të rrallë ka ditur t’i përzgjedhë vetëm shifrat dhe informatat që i kanë shërbyer për analiza objektive shkencore dhe vlerësime racionale, duke bërë në shumë raste rrumbullaksimin e tyre si një domosdoshmëri në hulumtime të tilla.

Pas shqyrtimeve hyrëse teoriko-metodologjike, të titulluar “Shkenca mbi popullsinë dhe sfidat e zhvillimit demografik”, studimi ngërthen një numër të madh problemesh demografike të shqyrtuar nëpër etapa të ndryshme të transicionit demografik të Kosovës në raport me gjendjen dhe tendencat transicionale në Evropë dhe në botë. Nga studimi vërehet qartë se trendet e zhvillimit demografik në indikatorët bazë nuk janë të volitshme. Këto dhjetë vjetët e fundit nga rënia e normave të lindshmërisë dhe emigrimi gjithnjë e më i madh, sidomos i të rinjve në periudhën e përtëritjes biologjike, shtimi natyror dhe rritja e përgjithshme e popullsisë kanë tendenca të zvogëlimit. Në periudhën 2010-2020 numri i lindjeve të gjalla është zvogëluar nga rreth 33.000 në afër 20.000. Në anën tjetër, si indikatorë dhe procese shqetësuese mund të veçohen braktisja e pakontrolluar e fshatrave si pasojë e faktorëve repulzivë (shtytës), rrudhja e tyre demografike deri te shpopullimi intensiv dhe humbja e shpresës së të rinjve se mund ta ndërtojnë jetën në vendlindjet e tyre, prandaj po largohen me leje udhëtimi ose pa to në botën e jashtme. Vlerësohet se në këtë periudhë dhjetëvjeçare Kosovën e kanë braktisur rreth 300.000 veta dhe vetëm në fund të vitit 2014 dhe në fillim të vitit 2015 në rrethana edhe sot e gjithë ditën të pasqaruara janë shpërngulur afër 100.000 persona.

Sipas gjetjeve të autorit, tregues tjetër i qartë shqetësues i regresit demografik përmes emigrimeve dhe reduktimit të vëllimit të riprodhimit (rënia e normës së lindshmërisë) është zvogëlimi i numrit të paraleleve dhe të nxënësve në klasat e para të shkollës fillore në pjesën dërmuese të vendbanimeve rurale deri te mbyllja e shkollave, në veçanti në zonat periferike kodrinore-malore. Por nga proceset e shpërnguljeve dhe rënia e natalitetit nuk janë kursyer as vendbanimet urbane dhe të urbanizuara. Si rrjedhojë e këtyre proceseve dhe tendencave rezulton reduktimi i numrit absolut të popullsisë së Kosovës dhe, vështruar në dimensionin strukturor, gjendja del edhe më e pavolitshme (zvogëlohen kontingjentet e popullsisë ekonomikisht aktive dhe të moshave fertile dhe rritja e moshës mesatare të popullsisë e të rritjes së kontingjenteve të popullsisë mbi 60 vjet). Po e braktisin vendin edhe të rinjtë e shkolluar, të domosdoshëm për tregun e punës për vendin, si p. sh. në shërbime shëndetësore teknike, në ndërtimtari, në hotelieri, në disa lloje të industrisë, në bujqësi, në infastrukturë etj.

Autori i këtij botimi si njohës i mirë i teorisë dhe analizës demografike me shumë sukses ka arritur në përfundime shkencërisht të qëndrueshme në studimin e rrjedhave të transicionit demografik. Vepra është e mirëseardhur sot për njohjen e realitetit demografik dhe shoqëror të Kosovës dhe shqiptarëve, por edhe për studiues të fushave të ndryshme, kryesisht për demografë dhe për studiues të fushave të afërme, sikurse për sociologë, ekonomistë, historianë, gjeodemografë, etnologë dhe natyrisht për opinionin e gjerë. Një vlerë tjetër e madhe e këtij studimi qëndron në faktin se hapë mundësi për hulumtime dhe studime të mëtutjeshme për studiuesit e brezave të ardhshëm. Me përmbajtjen që ka dhe rezultatet që janë arritur është privilegj i çdo familjeje shqiptare që ta ketë këtë libër shkencor në raftet e bibliotekës së tyre.

 

Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration