Nishani: Shqipëria nuk mund të shërbejë vetëm si makijazh i Serbisë në politikën ndaj Luginës
Qeveria e Shqipërisë ende nuk ka një qëndrim zyrtar lidhur me gjendjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.Kjo ndodh në një kohë kur kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama, ka qenë protagonist ku është takuar disa herë me kryeministrin serb, Aleksander Vuçiq, duke tentuar një raport të ri rajonal.
Kërkesa e “Kohës Ditore” në adresë të Zyrës së shtypit në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe në Drejtorinë e Departamentit të komunikimit dhe medias në Kryeministri ka mbetur pa përgjigje.
Ndryshe ka vepruar presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, i cili e ka vlerësuar situatën në Luginën e Preshevës si shumë problematike, dhe për këtë situatë ai e bën fajtore edhe Qeverinë shqiptare, që në marrëdhëniet me Serbinë nuk ka funksionuar interesi i ndërsjellë, por Shqipëria ka shërbyer si “make up”(makijazh) për politikën e Serbisë, ku kjo e fundit ka punuar në të drejtën e saj, në atë të interesit kombëtar, në dem të interesave të shqiptarëve.
“Kryeministri i vendit si përfaqësues i ekzekutivit ka një aktivitet më dinamik dhe më të ngjeshur në politikën e jashtme, ku me këtë rast ka zhvilluar edhe dy takime zyrtare me homologun serb Vuçiq, përveç disa takimeve të tjera nëpër aktivitete të ndryshme. Në lidhje me marrëdhëniet me Serbinë unë e përshëndes dhe vlerësoj çdo tentativë që bëhet në mënyrë reciproke për të ç’tensionuar marrëdhëniet midis Shqipërisë e Serbisë. Ne jemi të gatshëm dhe bëjmë mirë që ofrojmë gatishmërinë tonë për të bashkëpunuar. Por nga ana tjetër unë mendoj që Shqipëria nuk mund të jetë një “make up” i Serbisë. Pa dyshim që Serbia ka gjithë të drejtën e saj të punojë për interesin e saj kombëtar, por edhe Shqipëria ka interesin e saj kombëtar. Në raportet rajonale ne pa dyshim duhet të orientohemi nga bashkëpunimi, nga dialogu, nga ndërtimi i besimit në mënyrë të ndërsjellë dhe respektit reciprok. Por kemi çështje konkrete për të diskutuar, siç është ajo e shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Është një situatë atje që në aspektin ekonomik është gjithmonë e më shumë problematike. Në aspektin social dhe arsimor është gjithmonë e më shumë problematike. U kemi kërkuar bashkëbiseduesve të Serbisë vazhdimisht angazhime, na është premtuar, por nuk ka pasur asnjë rezultat”, ka thënë presidenti Bujar Nishani, shkruan "Koha itore". /Titulli.com/