Nishani kërkon respektimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginë dhe Maqedoni
Situata në Maqedoni, raportet ndëretnike dhe shkalla e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, si dhe të drejtat e shqiptarëve në Serbinë e Jugut ishin çështjet e diskutuara të hënën në Tiranë midis presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishani dhe komisares së lartë të OSBE-së për pakica kombëtare Astrid Thors.Nishani theksoi se zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit është e vetmja alternativë e bashkëjetesës harmonike në Maqedoni, duke evidentuar rëndësinë e madhe shtet-formuese që luan faktori shqiptar atje.
Ndër të tjera, Presidenti vlerësoi punën e bërë nga Komisarja për programin e arsimit të integruar si element i domosdoshëm për integrimin e plotë dhe respektimin e ndërsjellë të komuniteteve etnike por edhe atyre të besimeve të ndryshme fetare, etj.
Duke u ndalur tek të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, Presidenti vuri në dukje se ndjekja dhe vënia në zbatim e planit 7 pikësh nga qeveria në Serbinë e Jugut është prioritare, e domosdoshme për t’u shoqëruar me një vëmendje shumë më të madhe investimesh dhe zhvillim ekonomik për këtë zonë.
Gjithashtu, Nishani evidentoi rëndësinë e nënshkrimit të marrëveshjes për njohjen reciproke të diplomave mes Shqipërisë dhe Serbisë, si një hap që do të nxiste punësimin e të rinjve nga Serbia e Jugut të arsimuar në Shqipëri, dhe jo braktisjen dhe shpopullimin e Luginës së Preshevës./Titulli.com/