Ngrihen pikëpyetje për kapacitetin e BE-së që të sigurojë zbatimin e marrëveshjeve
Rajoni dhe Politika

Ngrihen pikëpyetje për kapacitetin e BE-së që të sigurojë zbatimin e marrëveshjeve

25.Apr.2023 22:25
0

Marrëveshja e fundit e arritur në Bruksel përcakton që Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare. Por të hënën, kur Këshilli i Evropës pranoi aplikacionin e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë, Serbia loboi kundër kësaj vendimmarrjeje, votoi kundër dhe kërcënoi shtetet që ishin për. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, refuzoi të deklarohej nëse Serbia e shkeli marrëveshjen. E njohës të politikës së jashtme thonë se vota e Serbisë, por edhe e disa vendeve të BE-së, që dolën kundër apo abstenuan, ngre pikëpyetje lidhur me kapacitetin e BE-së për të siguruar zbatimin e marrëveshjes

Bashkimi Evropian (BE) ka kërkuar të martën respektim të Marrëveshjes së Ohrit, në sqarimet që i janë kërkuar pas votës kundër dhe lobimit të Serbisë te vendet anëtare për të mos e futur aplikimin e Kosovës në agjendën e Këshillit të Evropës.

Në zyrën e përfaqësuesit të lartë të BE-së thanë se janë marrë shënime sa i përket votimit që u zhvillua të hënën në Këshill, por nuk komentuan nëse pati shkelje të nenit katër të marrëveshjes, i cili përcakton se “Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”.

“Sa i përket votës ne kemi marrë shënime lidhur me të. Natyrisht u takon vendeve anëtare të Këshillit të Evropës të vendosin. Ky votim tani do t’i kalojë Asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës. Sa i përket dialogut, Bashkimi Evropian e ka përsëritur në disa raste se cili është qëndrimi ynë dhe pritjet tona nga të dyja palët. Në dialogun Beograd-Prishtinë, BE-ja pret që të gjitha nenet e Marrëveshjes të zbatohen në mënyrë të përshtatshme, në mirëbesim dhe në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri, për të cilën palët ranë dakord në aneksin e zbatimit në Ohër, muajin e kaluar”, i ka thënë KOHËS zëdhënësi i BE-së, Peter Stano. 

Mesditën e së martës ai ka mbajtur edhe një konferencë për media në Bruksel, ku është pyetur disa herë lidhur me shkeljen e marrëveshjes. Por ka refuzuar të komentojë. 

Sipas tij, BE-ja, si lehtësuese e dialogut, është plotësisht e vetëdijshme për ndjeshmëritë dhe kompleksitetet politike që lidhen me procesin e zbatimit të marrëveshjeve. 

“Për këtë arsye ne u kemi paraqitur të dyja palëve një propozim për një qasje hap pas hapi në fazën e zbatimit në mënyrë që t’i ndihmojë ato të zbatojnë detyrimet e tyre. Ajo ndjek një logjikë të thjeshtë që secila palë duhet të bëjë diçka për të marrë diçka”, ka theksuar Stano.

 

Por përfaqësues shtetërorë të Kosovës vlerësuan se lobimi e edhe vota kundër e Serbisë në Këshillin e Evropës përbën shkelje të marrëveshjes së fundit.

Presidentja Vjosa Osmani tha se për 24 orë Serbia i ka bërë dy shkelje të marrëveshjeve të fundit, duke ndërhyrë në zgjedhjet në të katër komunat e veriut të banuara kryesisht me serbë, si dhe duke lobuar e votuar kundër pranimit të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës.

Edhe kryeministri Albin Kurti deklaroi të martën se vota kundër e Serbisë përbën shkelje të marrëveshjes.

“Këtë marrëveshje Kosova dhe Serbia e arritën në Bruksel në fund të shkurtit dhe më pas në mars u pajtuan edhe për aneksin e zbatimit të saj. Marrëveshja e 27 shkurtit, që është propozim i BE-së me iniciativën e Francës dhe Gjermanisë, dhe më pas aneksi implementues që u bë pjesë integrale nga takimi i Ohrit i 18 marsit, duhet të zbatohen në plotëni dhe sa më parë. Pra, teksti është i qartë, ai do zbatim. Është për të ardhur keq që pala tjetër ka thënë që do të bëjë zbatim të pjesshëm, që është një mënyrë tjetër për të thënë që nuk do të bëjë zbatim”, ka thënë Kurti.

E, në Serbi, përveç qëndrimit të shprehur me votë, kërcënuan vendet e tjera anëtare që votuan pro Kosovës.

“Kemi vendosur t’i respektojmë më shumë vendet mike ndaj Serbisë. Të kujdesemi për politikën dypalëshe dhe të mos i kalojmë kufijtë e reciprocitetit. Nëse dikush nuk e respekton integritetin tonë territorial, pse ta respektojmë ne të tijin”, ka theksuar presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.

Duke folur në një konferencë për media në Beograd, ai tha se Serbia është mirënjohëse ndaj vendeve që kanë votuar kundër pranimit të aplikacionit të Kosovës.

“Ne i jemi mirënjohës sidomos Hungarisë. Ata (hungarezët v.j.) kanë dëshmuar se janë miqtë më të mëdhenj të Serbisë”, ka thënë Vuçiq. “Faleminderit Spanjës, Qipros, Rumanisë, Azerbajxhanit, Gjeorgjisë, që kanë votuar për të mbështetur Kartën e Kombeve të Bashkuara”.

Vuçiq ka theksuar se vendimi i Këshillit të Evropës për Kosovën është mbivotuar dhe se abstenimi praktikisht nënkupton votë “pro”.

Ai tha se abstenimi i Greqisë – vend i BE-së që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës – ishte i pritshëm. Ai komentoi edhe abstenimin e Ukrainës.

“Ka pasur zhgënjim. Serbia kurrë nuk ka qenë e përmbajtur ndaj integritetit territorial të Ukrainës”, tha Vuçiq.

Kurse ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, e paralajmëroi Malin i Zi që të mos llogarisë në votat e Serbisë kur do t’i duhen ato. Daçiqi është shprehur i befasuar edhe me votën abstenuese të Ukrainës, Greqisë dhe Sllovakisë. Edhe ai ka falënderuar Qipron, Spanjën, Rumaninë, Azerbajxhanin, Gjeorgjinë e Hungarinë që votuan kundër aplikimit të Kosovës në Këshill të Evropës.

Pro pranimit të aplikacionit për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës, të hënën votuan 33 shtete anëtare, kundër ishin shtatë, ndërsa abstenuan pesë shtete.

Njohës të politikës së jashtme thonë se kjo qasje e Serbisë, por edhe e disa vendeve të BE-së që votuan kundër apo abstenuan, ngre pikëpyetje lidhur me rolin e BE-së për të siguruar zbatimin e marrëveshjes.

“Në Marrëveshjen e Ohrit Serbia është pajtuar të mos kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, por duket që ka pasur një kundërlobim të shprehur në Strasburg të kryesuar prej ministrit të Jashtëm. Parë më gjerësisht, problem edhe më i madh është fakti që shtete të mëdha të Bashkimit Evropian, si Hungaria apo Spanja, vazhdojnë të votojnë kundër. Për Marrëveshjen e Ohrit është diskutuar në Këshillin e Punëve të Jashtme të BE-së, para ministrave të shteteve anëtare”, ka thënë Butrint Berisha, doktorant në Universitetin e Tartu në Estoni. “Propozimi me qëllim është quajtur marrëveshje e BE-së e 27 shteteve anëtare dhe jo plan franko-gjerman, pra jo plan i dy shteteve anëtare. Vota kundër Kosovës në Këshillin e Evropës nga disa shtete anëtare nuk e reflekton pozicionin e BE-së, por për më shumë ngre pikëpyetje mbi kapacitetin e BE-së për të siguruar implementimin dhe monitorimin e marrëveshjes në tërësi”.

Pas kalimit të aplikacionit në Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës, sipas procedurës, janë edhe dy faza të votimit për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Në fazën e ardhshme, Asambleja Parlamentare e Këshillit duhet të vendosë standarde relevante dhe të japë rekomandimin për anëtarësim. Ndërkaq në fazën e tretë, Komiteti i Ministrave vendos pas opinionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Kosovës do t’i duhet të ofrojë argumente të qëndrueshme se i respekton parimet themelore për të cilat qëndron Këshilli i Evropës, kur komisioni përkatëse ta vlerësojë situatën në terren.

Tri vlerat mbi të cilat bazohet Këshilli i Evropës janë: demokracia, të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit.

Inteligjenca britanike: Ka rënë shkalla e vrasjeve së rusëve në Ukrainë
​Korrupsion dhe ryshfet në ushtrinë serbe, arrestohet oficeri i Forcave të Armatosura
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration