Nga tmerri i Beogradit deri tek spontaniteti i Bujanocit
Duhet gjykuar çdo thirje që mund të shërbejë si nxitje e urrejtjes kombëtare, fetare apo racore, përfshirë edhe atë të mbrëmjeve të 8 dhe 11 tetorit në Bujanoc.Shkruan: Jeton Ismaili
Sipas informacioneve të disponueshme, të parët e bënë serbët duke kremtuar fitoren e kombëtares së tyre ndaj Shqipërisë në Elbasan, kurse të dytën shqiptarët në shenjë të kualifikimit historik të kombëtares shqiptare të futbollit në Kampionatin Evropian “Francë 2016”.
Që të dyja ngjarjet nuk janë fytyra e vërtetë e Bujanocit. Nuk janë ngase raportet ndërtetnike në këtë qytet dhe në mbarë komunën asnjëherë nuk kanë qenë të acaruara. Të tilla nuk kanë qenë as në periudhën kur shqiptarët vuanin represionin dhe padrejtësitë e Rankoviqt, Millosheviqit, etj, e as në kohën kur UÇPMB kontrollonte një zonë bukur të madhe të këtij rajoni kurse serbëve lokal nuk i mungoi as qimja e flokut.
https://www.youtube.com/watch?v=rrDdtVb2tZE - Bujanoc: 11.10.2015
https://www.youtube.com/watch?v=uXQJnKuxNE8 - Beograd: 14.10.2014
Megjithatë, ky nivel i fqinjësisë së mirë dhe raporteve mëse korrekte ndëretnike si duket nuk po i konvenon dikujt, e sipas të gjitha gjasave politikës ditore.
E kur kjo e fundit fut hundët atëherë del në pah edhe drejtësia selektive me gishtin e drejtuar vetëm tek “fajtorët” e njërës palë. Indikacione të tilla u vërejtën që në mbrëmjen e 11 tetorit kur nisën të vinin “kërcënimet” për aktpadi, edhe atë vetëm ndaj njërës palë. Nëse dikush këtë e mendoi se ishte një tallje e zakonshme, gaboi rëndë.
Mëngjesi i 15 tetorit na gdhiu me lajmin se dhjetëra të rinj shqiptarë ishin marrë nga policia për t’u dërguar në biseda informative në drejtorinë policore në Vranjë, gjegjësisht dikasterin rajonal të MPB-së së Serbisë për Rrethin e Pçinjës. Edhe pse me sjellje korrekte dhe, sipas burimeve, të ndaluar për tre orë, nuk dihet se a do të përfundojë me kaq? Vet deklarata e kryepolicit Stefanoviq le të kuptohet se tashmë ka nisur faza e hetimeve kurse aktpadia penale ndaj disa të rinjve mund të jetë e pashmangshme.
E gjithë kjo për brohoritjen “Ubij, zakolji da Srbin ne postoji-Vrite, there që serbi mos të ekzistoj”.
Po thirje të tilla a nuk pati në kremten e 8 tetorit po në Bujanocin multietnik drejtuar shqiptarëve ? Nëse ato nuk ishin aq të zhurmshme, ato të një viti më parë, saktësisht të 14 tetorit të 2014-es a nuk jehuan gjithandej globit kur 32.000 “tifozë” serbë si në kor brohorisnin “Ubij, zakolji da Siptar ne postoji-Vrite, there që shqiptari mos të ekzistoj”, “J...i Siptare, ko ne skace taj je siptar”, etj,etj…
Si u ndjenë shqiptarët atë natë anembanë botës, si u ndjenë ata dhjetëra shqiptarë në stadium të cilëve ndër të tjera iu kërcënua edhe qenia fizike? Ku qe ministri i policisë atëbotë, a nuk pati ndonjë prokuror të ngrisë ndonjë aktpadi për njërin nga 32.000 “tifozët “? Dhe turpi më i madh ishte se tërë kjo ndodhi në praninë e presidentit të shtetit Nikoliq. Dhe jo vetëm kaq, ç’është me e keqja, të pakta janë arenat sportive në Serbi ku nuk dëgjohen thirja antishqiptare, madje pa qenë këta të fundit fare protagonist të ngjarjes. Është për keqardhje që një shtet i cili pretendon të jetë pjesë e BE-së asnjëherë nuk i ka gjykuar këto dukuri të shëmtuara që kanë filluar të shfaqen që nga fillim vitet e 90-ta të shekullit të kaluar.
Edhepse nuk mund të flitet për “reciprocitet” në drejtësi, policia dhe prokuroria serbe duhet të jenë të vëmendshme me rastin e izoluar të 11 tetorit në Bujanoc. Argumenti i parë është se gjithçka ishte spontane dhe pa kurrfarë organizimi paraprak. Së dyti, bëhet fjalë për një grup fëmijësh dhe të rinjsh të cilët në asnjë moment thirjet nuk i kanë drejtuar ndaj fqinjëve të tyre, por sipas të gjitha gjasave në shenjë reaksioni ndaj veprimeve të tre netëve më herët e posaçërisht ndaj veprimeve të tmerrshme të vitit të kaluar në Beograd.
Poqese Serbia vazhdon të aplikojë drejtësi selektive, në këtë valle medoemos duhet të kyçet i gjithë spektri politik shqiptarë i Luginës, ai i Kosovës dhe i Shqipërisë në krye me kryeministrin Rama.
Vet z.Rama duhet të bisedojë me homologun e tij Vuçiq për të “amnistuar” këta fëmijë tanë.
Madje, edhe inkuadrimi i vet krerëve të serbëve lokal në këtë problematikë do të ishte i nevojshëm kur kihet parasysh se bashkëkombasit e tyre asnjëherë nuk pësuan ndonjë të keqe nga fqinjët e tyre shqiptarë.
Krejtësisht në fund, shqiptarët gjithandej ku janë, duke gjykuar fillimisht aktin e 11 tetorit duhet mbrojtur këta të rinj të cilët me sjellje në afekt duke festuar diçka që po shënonte historinë ishin nxitur nga një veprim i cili ishte me përmasa mijëra herë më të mëdha.
Nuk kishte shqiptarë që nuk i gëzua arritjes historike të kombëtares e cila nuk prezanton vetëm Shqipërinë por të gjithë shqiptarët e rruzullit tokësorë.
Tekefundit, edhe kur kombëtarja serbe qoftë në futboll, basketboll, etj, arrin suksese, nuk festohet vetëm në Serbi, por edhe tek serbët e Kosovës, Bosnjës, Kroacisë e gjetiu.
Duke i patur parasysh gjitha këto rrethana, fëmijët dhe të rinjtë e Bujanocit duhet falur…