Nga 8 qershori kush hynë në Kosovë nuk i nënshtrohet vetizolimit dhe testit Covid-19
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka njoftuar për vendimet e reja lidhur me masat ndaj COVID-19. Në një konferencë për media, ka theksuar se ata që hyjnë në Kosovë nga e hëna nuk do t’i nënshtrohen vetizolimit 7 ditor.
Këto vendime sipas tij kanë ardhur pas analizës së bërë në terren me hapjen e kufijve IKSHPK-ja rekomandon që për ata që hyjnë në Kosovë t’u bëhet një kontroll i detajuar.
Ndërsa, në vend të testimit të obliguar për Covid -19 për ata që hyjnë, do të jetë masa e kontrollit nga ekipet mjekësore të QKMF-ve të vendosura në pikat kufitare apo edhe në vet QKMF-të brenda komunave.
Ai tha se nga e hëna e 8 qershorit, hiqet krejtësisht kufizimi i lëvizjes në tërë Kosovën.
Sipas masave në fuqi, qytetarët e Kosovës nuk mund të qarkullojnë nga ora 21:00 e mbrëmjes deri në ora 05:00 të mëngjesit.
“Nga e hëna, qytetarët të cilët hyjnë në Kosovë nuk do t’i nënshtrohen masës së vetizolimit për shtatë ditë, ndërsa në vend të testimit të obliguar për COVID-19, për ata që hyjnë do të jenë kontrollat nga ekipet mjekësore në pikat kufitare”, tha Zemaj.
“Me hapjen e kufijve, IKSHPK rekomandon kontrollin e detajuar për të gjithë udhëtarët që hyjnë në Kosovë, duke marrë shënime të sakta të vend qëndrimit të tyre, numrin e telefonit, dhe përcjelljen e gjendjes së tyre klinike nga QKMF. Kontrolli i detajuar kryhet sipas udhëzuesve të OBSH-së, që konsiston në matjen e temperaturës, shenjat dhe simptomat klinike si dhe kontaktet eventuale të dy javëve të fundit me persona pozitiv ose të dyshimtë për COVID-19″.
Zemaj tha se bazuar në situatën epidemiologjike, Ministria e Shëndetësisë do të lejojë liri të plotë të qytetarëve dhe mallrave në veçanti me Shqipërinë.
“Bazuar në situatën epidemiologjike MSH dhe Qeveria e Kosovës do të mundësoj liri të plotë të qarkullim të mallrave në veçanti me shtetin e Shqipërisë”, është shprehur Zemaj.
Drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani, ndërkaq theksoi se IKSHPK po vazhdon me testime në popullatë me qëllim të zbaulimit të rasteve me Covid-19 dhe parandalimit të përhapjes së virusit.
Rekomandimet e Institutit.
Kontrollin e detajuar për udhëtarët që hyjnë në Kosovë duke marrë shënime të sakta, adresën, numrin e telefonit, etj,
Kontroll i detajuar dhe marrje e temperaturës për të dyshuarit me COVID-19
Bazuar në rekomandime, prej ditës së hënë, qytetarët që hyjnë në Kosovë nuk do t’i nënshtrohen vetizolimit 7 ditor, por ata që hyjnë do të kontrollohen nga mjekët
Bazuar në situatën epidemiologjike, do të mundësohet lëvizja e lirë e qytetarëve
Nga dita e hënë hiqet masa/kufizimi i lëvizjes së lirë prej orës 21:00 deri në mëngjes”.
Në Kosovë, më 1 qershor nisi faza e tretë e lehtësimit të masave kundër coronavirusit.
Rastet e para me coronavirus janë regjistruar më 13 mars. Për të frenuar përhapjen e koronavirusit, autoritetet në Kosovë shpallën gjendje emergjente të shëndetit publik.
Deri më 5 qershor, në Kosovë janë regjistruar 1,158 raste me coronavirus, ku 876 janë shëruar dhe 30 pacientë kanë vdekur.