Në Kosovë në të zezën, në Serbi me adresë të pasivizuar
Lokale

Në Kosovë në të zezën, në Serbi me adresë të pasivizuar

10.Jan.2022 08:17
0

Sedat Ajvazi me prejardhje nga Lugina e Preshevës jeton në Kosovë që nga muaji qershor i vitit 1999.

Për më shumë se 22 vjet ai thotë se e ka pasur të pamundur që të fitonte nënshtetësinë apo të pajisjes më ndonjë dokument të Kosovës.

Sedati nuk ka as dokumente valide të Serbisë, pasi autoritet serbe atje i kanë pasivizuar adresën.

“Aktualisht unë jam në Kosovë person në të zezën. Nuk mund të më verifikoj as Policia e Kosovës e as Policia e Serbisë. Dokumentet e Serbisë i kam pa afat, do të thotë ato sistemi nuk i pranon për shkak të pasivizimit atje. Të Kosovës nuk kam kurrfarë dokumenti edhe pse jetoj në Kosovë që nga qershori 1999”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

 

Sedati thotë se shumë herë ka mbledhur dokumentacione, me shpresë se një ditë institucionet e Kosovës do ta pajisin me leje qëndrimi apo me dokumentacione të përkohshme.

Kërkesën e parë thotë se e kishte bërë në Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) në vitin 2001, por kërkesa i ishte refuzuar për shkak se nuk kishte mundur ta dëshmonte se ka jetuar në Kosovë para viteve ‘98-99.

“Tri herë kam qenë në Ministri të Punëve të Brendshme të Kosovës te Zyra për të Huajt dhe kërkesa më është refuzuar për shkak të mungesës së kontratës së punës sepse unë nuk munda të lidh kontratë pune me dokumentacione, sa ishin valide ato të Serbisë. Neve na kërkohet të kemi sigurim shëndetësor që as qytetarët e Kosovës nuk e kanë. Na kërkohet kontrata e punës me minimum të pagës 500 euro”, thotë Sedati.

Problemet me të cilat është përballur Sedati për më shumë se 22 vjet po tentohen që të zgjidhen përmes një iniciative të Qeverisë së Kosovës, e cila më 29 dhjetor të vitit të kaluar miratoi koncept-dokumentin për shtetësinë.

Në këtë koncept-dokument, siç ka bërë të ditur këshilltari i Presidentes së Kosovës, Artan Murati, është përfshirë komenti dhe propozimi i Zyrës së Presidentes, i cili do t’ua mundësojë shqiptarëve nga Medvegja, Presheva e Bujanoci të pajisen me shtetësi të Republikës së Kosovës.

Iniciativa për t’i pajisur me shtetësi shqiptarët e Luginës

Në koncept-dokumentin për shtetësinë në mënyrë specifike përmenden qytetarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit – komuna në jug të Serbisë, që njihen me termin Lugina e Preshevës – dhe problemet me të cilat ata përballen në përpjekjet e tyre për t’u pajisur me shtetësi të Kosovës.

“Të gjithë qytetarët nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, të cilët kanë qëndruar në Republikën e Kosovës së paku pesë vjet nga data 12.06.1999 deri me datë 31.12.2021, do të kenë të drejtën e fitimit të shtetësisë bazuar në rregullimin e kornizës ligjore me këtë koncept-dokument, ndërsa sa i përket kritereve procedurale do të rregullohet me akte nënligjore”, thuhet në koncept-dokumentin për shtetësinë i datës 29 dhjetor 2021.

Megjithatë, për të fituar shtetësi çdo qytetar i Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit duhet t’i përmbushë një serë kriteresh, siç është dëshmia e qëndrimit në Kosovë prej së paku pesë vjetësh, posedimi i lejes së vlefshme të qëndrimit, pranimi i rendit kushtetues dhe juridik të Kosovës, posedimi i mjeteve të mjaftueshme financiare për të jetuar në Kosovë, përmbushja e detyrimeve financiare ndaj shtetit si dhe shumë kritere të tjera./rel/

Rrugëtimi i gjatë i Antigonës nga Presheva deri te shtetësia e Kosovës
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration