Mësimdhënësit e gjuhës serbe në Luginë, aftësohen profesionalisht (Foto)
Nëntëmbëdhjetë mësimdhënës të gjuhës serbe si gjuhë jo-amtare nga komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, të enjten, në shtëpinë e kulturës në Bujanoc, kanë marrë certifikatat mbi përfundimin e trajnimit për aftësim profesional.
Kryetari i Trupit Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Zoran Stankoviq, si dhe ndihmës ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Zhelana Radojçiq Llukiq, kanë ndarë certifikatat për 11 kandidatë shqiptarë dhe 8 serb, që sot përfunduan trajnimin.
“Me qëllim të avancimit të mësimit të lëndës së gjuhës serbe në shkolla, si gjuhë jo-amtare, Trupi Koordinues në partneritet me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ka realizuar me sukses trajnimin për 19 arsimtarë”, ka thënë me rastin e hapjes së takimit solemn, kryetari i Trupit Koordinues, Zoran Stankoviq, raporton Titulli.com.
“Është me rëndësi që nxënësit shqiptarë të dinë gjuhën serbe, ashtu siç është me rëndësi që edhe nxënësit serb të dinë gjuhën shqipe, pasi duhet që të kuptohemi me njëri tjetrin”, u shpreh ndihmës ministrja Zhelana Radojçiq Llukiq.
Ajo me këtë rast porositi për një angazhim në diverzitetin kulturor i cili padyshim ekziston në këtë rajon, që të jetë një resurs në shkolla, duke konsideruar ate një pasuri për vendin.
Trajnimet për arsimtarët e gjuhës serbe si gjuhe jo-amtare në jugun e Serbisë, janë pjesë e rekomandimeve afatshkurta të përfshira në “Studimin mbi mundësitë e avancimit të mësimdhënies dhe arsimimit të gjuhës serbe si gjuhë jo-amtare në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë”. /Titulli.com/