Mustafi: Serbët s’kanë pse e kërkojnë Asociacionin, nuk janë të gatshëm të bëjnë asgjë për shqiptarët në Luginë
Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Luginë, Ragmi Mustafi, ka folur rreth marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë, që e sheh si shpresën e vetme për paqe në këto dy vende.
Mustafi në një prononcim për GazetaBlic thotë se, kjo marrëveshje pritet të ndërtojë stabilitetin dhe garantimin e të drejtave të barabarta për komunitetin shqiptar dhe serb në të dy vendet me njohjen reciproke.
“Marrëveshja e mundshme përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi pritet të ndërtojë stabilitetin, paqen e qëndrueshme, garantimin e të drejtave dhe mbrojtjeve të barabarta për komunitetin shqiptar dhe serb në të dy vendet me njohjen reciproke”, tha Mustafi.
Mustafi shtoi se Serbia nuk mund të kërkojë privilegje shtesë për komunitetin serb në Kosovës, përderisa nuk janë të gatshëm të i sigurojnë të njëjtat për komunitetin shqiptar në Luginën e Preshevës.
“Serbia nuk mund të kërkohjë të drejta e previlegje shtesë për komunitetin serb në Kosovë për të cilat nuk janë të gatshëm të i sigurojnë të njëjtat për komunitetin shqiptar në Luginën e Preshevës”, tha Mustafi.
“Pra, nuk ka asnjë arsye që adresimi i shqetësimeve të komunitetit serb në Kosovë, të cenojë mundësinë e komunitet shqiptar në Luginën e Preshevës, simetrin e të drejtave të pakicave ose të përjetësojë diskriminimin”, shtoi tutje Mustafi.
Sipas Mustafit, reciprociteti përjashton hipokrizin e një marrëveshjeje që nuk nxit vlerësimin e barazisë, drejtësisë, diversitetit dhe gjithëpërfshirjes
“Reciprociteti përjashton hipokrizin e një marrëveshjeje që nuk nxit vlerësimin e barazisë, drejtësisë, diversitetit dhe gjithëpërfshirjes. Duke siguruar që të gjitha komunitetet të trajtohen me respekt, dinjitet dhe padiskriminim”, tha Mustafi.