Mustafa përkrah me Bashën në Tiranë, Presheva e harruar nga qeveria shqiptare
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, është mbështetur në çadrën e protestës nga shqiptarë të ardhur nga Presheva, të cilët i ka falenderuar për përkrahjen që po i bëjnë kërkesave të opozitës në Shqipëri dhe u ka kushtuar vëmendje të veçantë.Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafa u shpreh se kemi udhëtuar gjatë me shumë shokë nga Lugina për të mbështetur demokracinë sepse nuk ka gjë më të shtrenjtë se demokracia dhe e kemi ndjekur nga afër gjithë rezistencën tuaj në këtë çadër prej ditëve të para. “Duam ta shohim Shqipërisë sa më mirë. Uroj që kjo protestë të rritet çdo ditë më shumë dhe në fund demokracia të fitojë”, tha Mustafa.
Basha nga ana e tij vërejti se “në Preshevë para 3 vjetësh, kryeministri aktual premtoi mbështetjen e shtetit shqiptar, mbështetje për arsimin, njohje të diplomave, ndihmë të drejtpërdrejtë për zhvillimin social dhe ekonomik. Asnjë nga këto nuk janë bërë realitet. Për arsyen e thjeshtë, dhe të vetme, se një Shqipëri jo demokratike, një Shqipëri e korruptuar, një Shqipëri e bërë zap nga krimi nuk mund të kujdeset as për qytetarët e vet, e jo më të përmbushë detyrimet kushtetuese për shqiptarët jashtë kufinjve të Republikës së Shqipërisë,” theksoi ai.
NGA FJALA E BASHES
“…Dua të falenderoj në mënyrë të veçantë miqtë nga Presheva me në krye Ragmi Mustafën, të cilët vijnë këtu për të na kujtuar se lëvizja jonë popullore demokratike, qytetare dhe kombëtare për zgjedhje të lira dhe të ndershme është edhe një lëvizje për të drejtat e shqiptarëve kudo që ata jetojnë. Eshtë e tillë sepse askush nuk mund të besojë dhe as të pranojë që një Shqipëri që nuk garanton dot të drejtat themelore të qytetarëve të saj, të jetë në gjëndje të përmbushë detyrimin kushtetues, detyrimin e shënuar në preambulën e Kushtetutës së Republiëks së Shqipërisë, për të luftuar për të drejtat legjitime të shqiptarëve kudo që jetojnë.
Ndaj, prej ditës së pare, kemi thënë që kjo është një levizje kombëtare, se nga fati i kësaj beteje, nga fitorja e kësaj beteje, varen fatet dhe fitoret e betejave të shqiptarëve kudo që ata jetojnë, në Kosovë, në Maqedoni, në Preshevë, në Mal të Zi, në diasporë kudo ku ka shqiptarë. Sytë, zemra, mendja e tyre janë të investuara në fitoren e kësaj lëvizje popullore dhe kombëtare. Alternativë tjetër nuk ka. Një Shqipëri e fortë, siç tha këtu para një jave Kim Mehmeti, është garancia më e mirë, është garancia më e sigurtë për shqiptarë të fortë dhe dinjitozë kudo që jetojnë. Ndërsa një Shqipëri e dobët dhe e nëpërkëmbur ku klikë pushtetarësh të korruptuar mbajnë peng të sotmen dhe të nesërmen e vendit, duke kyçyr në 7 dyer dinjitetin e shqiptarëve përmes dhuimit, blerjes dhe kërcënimit të votës së tyre, është garancia më e mirë për armiqtë e kombit shqiptar, që të vazhdojnë ti mbajnë shqiptarët nën zgjedhë, që të vazhdojnë ti poshtërojnë, që të vazhdojnë ti mohojnë të drejtat themelore që i kanë të garantuara me dokumentet kryesore ndërkombëtare. Dhe ky është realiteti kudo.
Në Preshevë para 3 vjetësh, kryeministri aktual premtoi mbështetjen e shtetit shqiptar, mbështetje për arsimin, njohje të diplomave, ndihmë të drejtpërdrejtë për zhvillimin social dhe ekonomik. Asnjë nga këto nuk janë bërë realitet. Për arsyen e thjeshtë, dhe të vetme, se një Shqipëri jo demokratike, një Shqipëri e korruptuar, një Shqipëri e bërë zap nga krimi nuk mund të kujdeset as për qytetarët e vet, e jo më të përmbushë detyrimet kushtetuese për shqiptarët jashtë kufinjve të Republikës së Shqipërisë.
Ja pra, pse prej ditës së parë të gjithë së bashku kemi thënë që kjo është një lëvizje kombëtare. Nuk është një lëvizje që synon zhbërjen e kufinjve. E kemi diskutuar disa herë këtë çështje së bashku, por edhe me aleatin tonë të ri, AK. Aleanca dhe koalicioni ynë nuk synon zhbërjen e kufinjve, por synon që këto kufinj të mos jenë më barrierë dhe as pengesa, dhe ti bashkojnë shqiptarët në dinjitet, të drejta dhe standarde europiane të jetës që fillojnë me standardin e artë europian dhe amerikan, standardin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Prandaj kemi mbështetjen e gjithë shqiptarëve të ndershëm kudo që jetojnë, e atyre që kanë votuar dhe kanë pasur mundësi të votojnë Partinë Demokratike por edhe të atyre, të cilët nuk e kanë votuar apo nuk kanë mundësi të votojnë Partinë Demokratike sepse standardi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është standard që bashkon çdo shqiptar që i thotë vetes patriot dhe atdhetar. Kjo është një beteje për dinjitetin e kombit shqiptar pavarësisht se ku jetojnë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë. Kudo ku jetojnë dhe frymojnë shqiptarë, beteja për zgjedhje të lira dhe të ndershme i bashkon.