Mustafa: Nuk do ta largojmë lapidarin
Vetëm dy ditë para 17 janarit, kohë kur Qeveria e Serbisë, ka deklaruar se do të bëjë më forcë largimin e lapidarit të UÇPMB-s, në qendër të Preshevës, gjendja në këtë pjesë vazhdon të jetë mjaft e tensionuar.
Kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa ka thënë se në Preshevë është duke mbizotëruar një situatë jo e dëshiruar, megjithatë populli shqiptar ka vendosur që mos e largoj lapidarin.
Ai ka shtuar se vendimi që liderët politik të Preshevës, Medvegjes dhe Bujanovcit e kanë marrë për të mos larguar këtë lapidar, do të vazhdoj të qëndroj deri në fund.
“Ne kemi marrë një vendim për të mos e larguar lapidarin, këtu populli shqiptar, ka vendosur që të mos e largoj dhe ne nuk do t’i largojmë në asnjë mënyrë”, ka thënë Mustafa për Kosovapress.
Sipas tij, largimi i këtij lapidari me forcë, siç ka paralajmëruar qeveria serbe do të tensionoj jashtëzakonisht situatën në këtë pjesë.
Ai nuk jep parashikim se çfarë do të ndodh por thotë se largimi i lapidarit me forcë mund të qoj në një përshkallëzim të situatës në Luginë por edhe më gjerë.
“Mendoj që me largimin e kësaj përmendoreje, tensionimi do të ngjitet në një nivel edhe më të lartë, megjithatë unë nuk do të predikoja se çfarë do të ndodhë ”, ka thënë Mustafa.
Kryetari i Komunës se Preshevës theksoi se nuk ka ndonjë komunikim të drejtpërdrejt me zyrtaret serbë dhe i gjithë komunikimi realizohet përmes mediave elektronike.
“ Me zyrtarët serb nuk kemi komunikim të drejtpërdrejt qe një kohor të gjatë, gjithë komunikimin që ne e bëjmë, e bëjmë përmes mediave elektronik sepse nuk ka mundësi të bisedohet me palën serbe”, ka thënë Mustafa.
I pari i Preshevës, Ragmi Mustafa pohoi se nëse kjo përmendore largohet më forcë, ai së bashku me gjithë liderët politik do të rishikojë mundësinë e angazhimit në politik .
Mustafa ka thënë se ka tendencë edhe nga komunitet ndërkombëtarë që kjo çështje të zgjidhet, megjithatë deri më tani asgjë nuk është bërë.
Ndryshe, pas përurimit të lapidarit, i cili përmban emrat e 27 dëshmorëve të UÇPMB- së, kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq ka deklaruar se ky lapidar, duhet të largohet, pasi paraqet një provokim, kurse ditëve të fundit prezenca ushtarake dhe e gjendarmërisë serbe është shtuar në Luginën e Preshevës./Titulli.com/