Mustafa: E vetmja zgjidhje për Luginën është pjesëmarrja në zgjedhjet e Kosovës
Serbia edhe në këtë kohë po vazhdon me politikat hegjemoniste karshi shqiptarëve në Luginë të Preshevës, duke bërë edhe pasivizimin e adresave për banorët shqiptarë.
Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Ragmi Mustafa, ka deklaruar se për Luginën e Preshevës e vetmja zgjidhje për ta është pjesëmarrja në zgjedhjet e Republikës së Kosovës.
“Serbia ka bërë shkelje të rënda të të drejtave të njeriut për shqiptarët në Luginë, Serbia po shpërngul shqiptarët në mënyrën më të moderuar, pra po i pasivizon adresat dhe kjo është shkelje e ligjeve, sot në Luginë papunësia është mbi 70 %”, tha ai në emisionin “Aktual”, në Radio Televizionin e Kosovës (RTK).
Sipas tij, PDSH-ja ka bojkotuar zgjedhjet për shumë arsye, por nuk kanë bërë ftesë as të dalin dhe as mos ta dalin në zgjedhjet të 3 prillit 2022 në Serbi, kur sipas rezultateve preliminare shqiptarët kanë fituar vetëm një mandat deputeti në Kuvendin e Serbisë.
Mustafa, ka kërkuar mbështetje për qytetarët e Luginës së Preshevës. “Ne kërkojmë që Qeveria e Kosovës t'u mundësojë të gjithëve nënshtetësi të Kosovës, pasi ata këtu janë duke jetuar për shumë vite”, deklaroi ai.
Sipas tij, qytetarët e Luginës së Preshevës janë krenarë me nështetësinë e Kosovës.