Miratoca e bllokuar në tokat e tyre, kufiri Preshevë-Likovë ende i mbyllur
Gjashtë kilometra e gjysmë në jug të qytetit të Preshevës, në kufi me Maqedoninë Veriore, buzë maleve të Karadakut gjendet fshati Miratocë.
Fshati ka rreth një mijë shtëpi me rreth katërmijë e pesëqind banorë dhe sipas informacioneve nga fshatarët vetëm një e treta e qytetarëve të përgjithshëm janë banorë rezident ndërsa pjesa tjetër jetojnë në mërgim.
Samush Agushi, profesor në këtë fshat bazuar në pozitën e tij gjeografike llogaritet të jetë ndër vendbanimet e vjetra të kësaj zone.
Mërgimi i qytetarëve të Miratocës po lënë gjurmë në zvogëlimin e vazhdueshëm të nxënësve në shkollën fillore të fshatit e cila për disa herë me radhë është shpallur ndër qendrat më të mira shkollore jo vetëm në regjion por edhe në tërë Serbinë, ka thënë Gafur Hyseni, drejtor i shkollës fillore në Miratoc.
Ndër problemet kryesore të fshatit përveç mos zhvillimit ekonomik, papunësisë, militarizimit të kësaj zone kufitare është edhe mos hapja e kufirit me fshatin Llojan të komunës së Likovës që administrohet nga Maqedonia Veriore.
Përveç lidhjeve farefisnore, shumë banorë kanë edhe pronat e tyre andej e këndej kufirit e të cilat nuk mund t`i punojë për shkak të ndalesave të qarkullimit të lirë.
Kërkesa, premtime e madje edhe protesta janë organizuar shpesh, por kufiri mbetet i mbyllur, kështu ka vlerësuar Xhemal Hasani.
Rinia e Miratocës në vazhdimësi mëton Perëndimin si vend që do t`i siguroj një jetë më të mirë, ka thënë një banorë i këtij venbanimi Murat Esati.
Miratoca ashtu sikurse edhe të gjithë vendbanimet shqiptare të Luginës së Preshevës, meritojnë një trajtim dhe përkujdesje më të veçantë, ashtu që t`i kthehet perspektiva kësaj zone dhe që të ruhet substanca kombëtare në këtë krahinë./B.R.Titulli.com/