Ministri Zemaj: Nuk do të mungojë përkujdesja shëndetësore për Luginën
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj është takuar me disa nga përfaqësuesit politik dhe institucional në Luginës së Preshevës me të cilët ka biseduar rreth bashkëpunimit dhe përkrahjes që Kosova do t’i ofrojë qytetarëve të kësaj ane.
Zemaj me këtë rast ka thënë se mjekët e Luginës pas specializimit që do ta bëjnë në Kosovë, do t’u shërbejnë qytetarëve atje.
“Me kryetarin e KNSh, Ragmi Mustafa, Kryetarin e Bujanocit, Nagip Arifi, kryetaren e PVD-së, dega në Preshevë, znj. Ardita Sinani dhe bashkëpunëtorët, biseduam rreth bashkëpunimit dhe përkrahjes që Kosova mund të ofrojë për qytetarët e Luginës së Preshevës. Në takim, ceka se i kemi kushtuar kujdes kuotave të specializimeve që i kemi ndarë për mjekët e Luginës, të cilët pas specializimit, do t’u shërbejnë qytetarëve atje”, ka shkruar ai në një postim në “Facebook”.
Ai thotë se përkujdesja shëndetësore në komunat e Luginës së Preshevës nuk do të mungojë.
“Shqetësimi i qytetarëve të Luginës, potencova në takim, do të përfillet me seriozitet maksimal që përkujdesja shëndetësore në komunat e Luginës së Preshevës të mos të mungojë”, ka potencuar ai.
Në fund, ministri i Shëndetësisë tha se Kosova do të ofrojë mbështetje me mjete mbrojtëse për qytetarët e Luginës së Preshevës, për mbrojtje nga COVID-19.