Meta nuk beson se është i duhuri për pajtimin e shqiptarëve, përfshirë edhe liderët e Luginës
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta ka thënë se Shqipëria ka luajtur një rol gjithmonë aktiv në përfshirjen e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, në të gjitha organizatat rajonale dhe absolutisht që vazhdon në përpjekje edhe me vetë institucionet e Kosovës, edhe me Parlamentin edhe me qeverinë e Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara dhe me aleatët tanë kryesorë në Bashkimin Evropian, në procesin e fuqizimit të njohjes ndërkombëtare të Kosovës.Këto fjalë, Meta i ka thënë gjatë një intervistë dhënë gazetës “Illyria” dhe radio “Kosovës”, ka folur në përgjithësi për çështjen shqiptare në rajon dhe ndikimin që ka Shqipëria në këtë raport.
Duke u orientuar tek Kosova, Meta ka theksuar më tej se vota për hedhje në votim të anëtarësimit në Kosovës në UNESCO është një hap pozitiv.
“Shpresojmë që të përmbyllet me sukses të plotë dhe ky është një proces i pandalshëm dhe bashkëpunimi ynë është i vazhdueshëm në këtë drejtim”, ka theksuar ai, raporton Koha.net.
Meta, duke folur në lidhje me raportin mes udhëheqësive politike të shqiptarëve në rajon, ka thënë se nuk beson se është personi i duhur për pajtim mes tyre.
“Unë besoj se udhëheqësit shqiptarë edhe në Kosovë, edhe në Maqedoni, edhe në Luginën e Preshevës, por edhe në Malin e Zi, duhet të kushtëzohen nga interesi i shqiptarëve, nga interesi i tyre për të arritur ato zgjidhje të cilat ndihmojnë Kosovën që të afirmohet më tej. Mund të them që ngjarjet e fundit në Parlamentin e Kosovës nuk e ndihmojnë afirmimin e Kosovës”, ka thënë Meta.
Kreu i Kuvendit të Shqipërisë ka shprehur dëshirën që edhe në Maqedoni të kishte një bashkëpunim më të ngushtë midis forcave shqiptare në interes të afirmimit të interesave të shqiptarëve, por edhe të kontributit, “që shqiptarët në tërësi mund të japin akoma më shumë për integrimin e Maqedonisë në NATO dhe për shumë procese të tjera që ky vend ka nevojë dhe kudo shqiptarët kanë nevojë që të forcojnë ndjenjat e tyre të bashkëpunimit dhe të përgjegjësisë së përbashkët”.
“Sigurisht këtu gjejmë ende shumë hapësirë për të shfrytëzuar edhe vetë ne në Shqipëri, nuk jemi aty ku duhet”, ka potencuar Meta.
I pyetur se çfarë mund të bëjë shumica dhe opozita në Kosovë që të gjejnë këtë pikë takimi në këtë gjendje që është krijuar, Meta ka thënë se ka shumë rrugë përmes dialogut për të dalë nga kjo situatë.
“Besoj se kurrsesi kjo situatë komprometuese nuk ndihmon në kthjellimin e argumenteve politike, juridike, kushtetuese për të ecur përpara. Përkundrazi, është një situatë që i mjegullon të gjithë argumentet e tjera edhe nuk ndihmon për ecjen e qartë dhe solide të afirmimit të shtetit të Kosovës dhe forcimit të institucioneve të saj dhe njëkohësisht të integrimit evropian dhe euro-atlantik të Kosovës”, tha Meta në këtë intervistë.
Meta ka thënë se nuk do të ishte ide e mirë që Shqipëria apo faktorët politikë e institucionalë në Shqipëri të ndikojnë për të dhënë zgjidhje konkrete për çështje të brendshme të Kosovës, të debatit politik.
“Unë besoj se vetë forcat politike në Kosovë i kanë mundësitë dhe i kanë kapacitet, duke ndjekur një rrugë më bashkëpunuese, më transparente dhe më luajale ndaj njëri-tjetrit si detyrim ndaj qytetarëve të tyre në radhë të parë”, u shpreh ai.
Duke folur për votimin pro nga Kuvendi i Kosovës për themelimin e Gjykatës Speciale, Meta tha se dhe në lidhje me akuzat e bëra nga senatori zviceran Dick Marty, Meta thotë se proceset që kanë ndodhur më parë në Hagë me figurat e shquar të UÇK-së, kanë rrëzuar shumë akuza të ngritura dhe kanë vërtetuar pafajësinë e këtyre figurave.
“Në përgjithësi kanë bërë të qartë se lufta e UÇK-së ka qenë një luftë me shumë vlera dhe ka qenë krejt e kundërta nga ajo që ka pësuar populli i Kosovës apo qytetarët e Kosovës nga regjimi i Sllobodan Millosheviçit. Për situatën konkrete jemi të gjithë të ndërgjegjshëm se u krijua një situatë, u krijua një sensibilizim, në vlerësimin tim jo i drejtë, megjithatë kjo rrugë ishte rruga e vetme për të pastruar një herë e mirë çdo pretendim të padrejtë ndaj luftës së UÇK-së”, u shpreh kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta.
I pyetur se çfarë mendon për të drejtat e shqiptarëve në rajon, kryesisht në Maqedoni e në Serbi, Meta tha se këto vende kanë sfida të mëdha përpara dhe në këtë drejtim mbetet ende shumë për të bërë, që edhe qytetarët shqiptarë që jetojnë në këto vende, të gëzojnë të drejta të plota si çdo qytetar në një vend të zhvilluar anëtar i Bashkimit Evropian.
“Por në fund të fundit, të mos harrojmë se këto vende janë në proces, dhe ajo që mbetet është një bashkëpunim më i mirë midis të gjithë faktorëve shqiptarë, në radhë të parë për të afirmuar vlerat e tyre. Për të potencuar faktorin shqiptar si një faktor modernizues të këtyre vendeve, modernizues të këtyre shteteve, modernizues të këtyre shoqërive. Sepse kjo do të ndihmojë për të fituar ato të drejta që ato ende sot nuk i kanë të mundësuara, të realizuara, por dhe njëkohësisht do të bëjë të mundur që faktori shqiptar në këtë mënyrë të ketë një mbështetje akoma dhe më të madhe nga faktori ndërkombëtar, që është i interesuar për stabilitetin e këtyre vendeve dhe për evropianizimin e tyre të plotë”, tha kreu i legjislativit shqiptar. /Titulli.com/