Lokale
Mërgimtarëve nga 41 euro, Luginës 80 euro!
Qeveria e Kosovës, shqiptarët e Luginës i krahason me “milionerë”, duke marrë parasysh se i ka caktuar taksë më të lartë të polisës së sigurimit se sa mërgimtarëve që vijnë nga Evropa perëndimore.
Edhe një padrejtësi ndaj shqiptarëve të Luginës. Rastet e fundit kur makinat me targa të Evropës perëndimore mund të hyjnë në Kosovë duke paguar 41 euro për polisë sigurimi për një muaj ka frustruar edhe më shumë qytetarët shqiptarë të Luginës.
“Çka oshte duke bo Qeveria e Kosovës me neve as Beogradi nuk bon, lloj lloj eksperimenti”, u shpreh sot për Titullin, Ahmeti nga Bujanoci, i cili gjatë udhëtimit për në Kosovë, te Dheu i Bardhë, ishte detyruar të ndaj nga rroga e tij 20 euro për të hyrë për një javë në Kosovë.
“Dojn me na rrjep krejt. Sot në kufi një vëlla nga mërgimi paguajti 41 euro për të hyrë në Kosovë për një muaj, kurse unë 20 euro për një javë edhe pse rroga ime është vetëm 250 euro”, u shpreh i mllefosur Ahmeti.
Ai sqaron se nëse do të kishte pas për të udhëtuar drejt Kosovës për një muaj, do të ishte detyruar të paguajë polisë sigurimi prej 80 euro, që në krahasim me mërgimtarët nga Evropa perëndimore që kanë rroga mbi një mijë euro, është shumëfish më e madhe.
“Nuk po di se çka po dojn me bo me neve, na kanë mshel tana udhët, serbët i lojn me i përdorë dy palë tabela, a neve vec rruga drejt Beogradit dhe Shkupit na kanë mbet të hapura”, theksoi qytetari nga Lugina, duke nënvizuar se mërgimtarët vijnë një deri dy herë në vit, kurse shqiptarët nga Bujanocit, Presheva e Medvegja udhëtojnë më shpesh drejt Kosovës.
Polisa e sigurimit në masë të madhe ka reduktuar udhëtimet e shqiptarëve të Luginës në drejtim të shtetit fqinj, ndërsa javëve të fundit njësitë speciale të Kosovës po qëndrojnë në pikën kufitare në Dobrosin nga po kthejnë mbrapa çdo makinë që nuk ka polisë sigurimi të Kosovës.
Edhe pse banorët shqiptarë të Luginës disa herë kanë kërkuar heqjen e polisave të sigurimit për makinat e tyre, kërkesa e tyre deri më sot nuk është plotësuar.
Kohëve të fundit ka pasur reagime edhe nga spektri politik në Luginë si dhe ai në Kosovë për të hequr taksën e cila ngarkon tej mase buxhetin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, komuna të cilat janë me numrin më të madh të papunëve në Republikën e Serbisë./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!