Mendurim Presheva: Do të kemi teatër dhe ansambël në Preshevë
Mendurim Presheva është emëruar ushtrues detyre i drejtorit të Shtëpisë së Kulturës "Abdulla Krashnica në Preshevë, institucion që ka të punësuar 16 veta dhe në fillim të punës së tij ka marrë iniciativa për të bashkëpunuar me aktorët lokal.Ai në një intervistë për Portalin Infortmativ Titulli.com është shprehur se prioritet do të jetë edhe themelimi i i teatrit me aktorë vendas, bashkëpunimi me poet, shkrimtar të cilët nuk kanë pasur përkrahje sa duhet.
“Shohë që nuk kemi një Oktet, shohë që nuk kemi një Ansambël e as një Kinema të vogël për të pasur të rinjtë për ti parë filmat e ndryshëm. Presheva ka pasur gjithmonë aktorë , e asnjëherë teatër. Unë do të mundohem që shumë shpejtë të inicioj procedurat për ti realizuar këto projekte shumë shpejt”, ka deklaruar Mendurim Presheva.
Tani keni marrë drejtimin e shtëpisë së kulturës, na thoni cili është numri i të punësuarve në këtë institucion dhe si e gjetët pas marrjes së detyrës?
Presheva: Po është e vërtetë, unë më 9 shtator 2016 nga kuvendi komunal jam emëruar si ushtrues detyre të Drejtorit të Shtëpisë së Kulturës “ Abdullah Krashnica ” këtu në Preshevë. Dhe kam një staf të punësuarve me 16 persona.
Unë pata edhe pranim dorëzimin nga drejtori i kaluar, gjë që duhet përshëndetur dhe e falënderoj dhe mund të them se unë gjeta këtë institucion në gjendje të mirë.
Cilat do të jenë planet tuaj për rritjen e funksionalizimit të këtij institucioni?
Presheva: Për të funksionalizuar një institucion duhet bashkëpunim , për realizimin e shumë projekteve në të ardhmen kam mbështetjen nga kryetari i komunës si dhe nga stafi që punojnë këtu. Së bashku besoj që do ti realizojmë projektet dhe do të rrisim funksionalizimin e këtij institucioni në të gjitha sferat.
Në fushën e kinematografisë, sa jeni të furnizuar me filma shqiptar dhe të huaj, cili do të jetë bashkëpunimi me Shqipërinë dhe Kosovën?
Presheva: Shtëpia e Kulturës " Abdulla Krashnica " dikur ka pas edhe kinotekën e vet ku kanë transmetuar filma të huaj dhe filma Jugosllav, të gjitha këto me shirit filmik. Sot ata filma janë jashtë përdorimit si dhe pajisjet përkatëse. Për momentin kinoteka nuk është funksionale dhe nuk transmetohen filma as shqiptar as të huaj por posedojmë cd dhe dvd të filmave shqiptar dhe të huaj të cilat i ka dhënë videoteka." Aga " nga vullneti i mirë që të mund të transmetohen dhe të shihen këto filma nga publiku i Preshevës. Në plan është të rikthehet edhe kino në Shtëpi të Kulturës duke u pajis me pajisje dhe filma shqiptar dhe të huaj.
Çfarë do të jetë bashkëpunimi i juaj me artistë, poet, shkrimtarë lokal?
Presheva: Normalisht se bashkëpunimi mes meje dhe artistëve preshevarë do të jetë shumë i madh, duke e ditur se Presheva gjithmonë ka pasur artist të shquar , poet dhe shkrimtar, por nuk kanë pasur bashkëpunim këtu në Preshevë, por emri i tyre është përmendur shumë, jo në Preshevë po jashtë Presheve. Unë nuk do të merrem me atë pse s’ka pasur bashkëpunim, por unë ju garantoj juve se puna primare e imja është bashkëpunimi me ta, nga se e dimë se të gjithë këta që u përmendën dëshira e tyre e madhe është që të kontribuojnë në vendin e tyre, në Preshevën e tyre, e unë tani u premtoj se këtu në Institucionin tim që e drejtoj e kanë vendin e duhur për bashkëpunim. Lajmi i parë që do tua them juve është se ditën e Premte jemi akorduar me aktorët preshevar që në festivalin “ Ditët e komedisë Shqiptare” do ta kemi edhe ne shfaqjen tonë me aktorët preshevar. Jam i gëzuar që bashkëpunimi filloi për së mbari dhe mbesë me shpresë që ky do të jetë vetëm fillimi i bashkëpunimit.
Presheva deri më tani ka organizuar festivale të ndryshme edhe me karakter kombëtarë, ju do vazhdoni me organizimet e tilla dhe a do veproni diçka më ndryshe?
Presheva: Vendi jonë ka pasur disa organizime edhe më herët, por për mendimin tim kohën e fundit nuk ka pas edhe aq organizime për tu mbajtur në mend. Unë përmenda edhe më lart se këtu kam një staf që do të bashkëpunojmë rreth organizimeve , planifikimeve dhe realizimeve të projekteve që do ti bëjmë së bashku. Unë do të mundohem të kem programe me karakter kulturor dhe artistik. Shohë që nuk kemi një Oktet, shohë që nuk kemi një Ansambël e as një Kinema të vogël për të pasur të rinjtë për ti parë filmat e ndryshëm. Presheva ka pasur gjithmonë aktorë , e asnjëherë teatër. Unë do të mundohem që shumë shpejtë të inicioj procedurat për ti realizuar këto projekte shumë shpejt, që të kemi teatrin tonë me aktorët preshevarë për tu prezantuar në të ardhmen e afërt nëpër festivale të ndryshme. Do të ketë hapësirë edhe për organizime që kane karakter edhe etnik, pasi jetojmë në një vend ku nuk jemi vetëm një komb, dhe pres bashkëpunim edhe me etnitetet e tjera./Titulli.com/