Lokale
“Medvegja nuk u shpërngul vetëm nga politika serbe, por edhe ajo shqiptare”
Shoqata Humanitare (SH.H) Medvegja me seli në Fully të kantonit të Valisit pas një aktiviteti më shumë se 30 vjeçar humanitar e shoqëror (ndihma shqiptarëve të Kosovës) ndjen obligim moral ta thotë fjalën e vet lidhur me marrëveshjen serbo-kosovare të Brukselit.
“Indinjata jonë lidhur me këtë marrëveshje adresohet kryesisht ndaj palës Kosovare e cila siç po shihet në asnjë segment jo që nuk e shqyrtoi çështjen e Medvegjës, por as që e përmendi kund në draft marrëveshjen e siç kemi kuptuar Medvegja, por as Presheva e Bujanoci as që kanë qenë në agjendën e bisedimeve”, thuhet në reagimin e kësaj shoqate shqiptare.
SH.H. Medvegja “konsideron se përfshirja së paku e Medvegjës por edhe e Bujanocit e Preshevës në bisedime ishte shans historik që u injorua si nga Bashkimi Evropian por edhe nga legata e Kosovës”, transmeton Titulli.
“Shqiptarët e Medvegjës nuk u shpërngulën nga trojet e veta me vullnetin e tyre për shkak të mos-perspektivës jetësore siç pretendohet jo vetëm nga qarqet e politikës serbe por tash edhe nga ato shqiptare, ata u dëbuan dhunshëm pas presioneve ekonomike dhe politike nga se ishin halë në sy dhe zemra dhe dëshmia e përjetësisë shqiptare të pjesës më neuralgjike të Dardanisë. Marrëveshjen e Brukselit e konsiderojmë kontinuitet të tradhtisë ndaj Medvegjës dhe ju sigurojmë se asnjë çast nuk do të ndalen përpjekjet e shqiptarëve të dëbuar të Medvegjës për kthimin në trojet e tyre”, thuhet në letrën Shoqatës Humanitare “Medvegja” me seli në Fully të Zvicrës, e nënshkruar nga kryetari Zenel Neziri.
“Në kërkim të barazisë, ngelëm përjetësisht ne, shqipet e më se gjysmës së Shqipërisë verilindore ! Zoti e bekoftë Shqipërinë verilindore, Zoti e bekoftë Medvegjën”, thuhet në letrën e SH.H. “Medvegja e përkrahur edhe nga shoqata tjetër si motër “Lugina e Preshevës” me kryetar Fazli Musliun./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!