Mediat dhe fushata parazgjedhore e Këshillit Nacional në Luginë
Shoqëria Civile "Perspektiva", vlerëson se Radio Televizioni "Presheva" dhe PortaliIinformative-TITULLI, "rajonipress", "kosovalindore" dhe revista "Jehona", janë shembujt më të mirë të informimit të drejtë, të saktë dhe të paanshëm, gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e Këshillave të pakicave kombëtare në Serbi, që do të mbahen, më 26 tetor 2014.Mediet tjera, të cilat nuk i kemi të pakta në rajonin e Luginës së Preshevës, që në start të fillimit të fushatës parazgjedhore u ngulfatën nga politika ditore e pushteteve lokale, të cilat u vunë në shërbim të një informimi të sponzoruar, të mangët dhe me ngjyrime politike.
Radio Televizioni “Bujanoci”, një ndërmarrje publike e Komunës së Bujanocit, në privatizim e sipër, me një buxhet vjetor prej rreth 350 mijë euro e me mbi 40 punëtorë, gjatë fushatës zgjedhore për Këshillin Nacional, ka favorizuar partitë në pushtet, duke lënë anash subjektet e tjera politike, shoqërinë civile dhe grupimin e qytetarëve.
RTV “Bujanoci”, deri sot, kur po përmbyllet fushata parazgjedhore për Këshillin Nacional, nuk e ka përmendur fare, të paktën një herë në emisionet informative të lajmeve, se në rajonin e Luginës së Preshevës, veç listave të tjera garon edhe një listë nga radhët e Shoqërisë Civile “Perspektiva”. Me këto veprime, ky televizion, po jep modelin e keq të informimit të qytetarëve, të cilët me padurim po presin të privatizohet e të lirohen nga një “telall” fanatik i pushtetit lokal.
Po kështu ka vepruar edhe TV “Spektri” nga Bujanoci dhe diçka më mirë RTV “Aldi”, nga Presheva.
Shoqëria Civile “Perspektiva”, e falënderon Radio Televizionin “Presheva” dhe portali informativ “Titulli”, të cilat gjatë gjithë kohës sa ka zgjatur procesi i fushatës parazgjedhore për Këshillat nacionale të pakicave kombëtare në Serbi, përmes debateve televizive dhe emisioneve speciale e kanë ngritur vetëdijen e qytetarëve për rolin dhe rëndësinë shoqërore e kombëtare, që kanë zgjedhjet nacionale si dhe kanë sensibilizuar opinionin e gjerë, për alternativat e reja të subjekteve politike, shoqërisë civile dhe grupimit të qytetarëve, se si do të duket Këshilli i ri Nacional, pas rezultateve të zgjedhjeve të 26 tetorit.
Shoqëria Civile “Perspektiva”, në Bujanoc.