Media Freedom: Titulli.com bllokohet nga qeverisja lokale
Rasti i bllokimit të adresës së portalit informativ Titulli.com në rrjetin e internetit në godinën e Komunës së Bujanocit ka mbërri edhe në organizatat e mëdha ndërkombëtare që mbrojnë lirinë e mediave.Kështu, lidhur me këtë rast ka raportuar edhe organizata për lirinë e mediave “Media Freedom” që mbështetet nga Këshilli i Evropës, bazuar në kumtesën e lëshuar nga Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë (NUNS).
“Media Freedom” në tekstin e botuar në gjuhën angleze thekson se kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, i ka ndaluar punëtorëve të administratës komunale qasjen në portalin e lajmeve Titulli.com.
Bazuar në gjetjet e Shoqatës së Pavarur të Gazetarëve të Serbisë, menaxhmenti i qeverisjes lokale të premten, 20 mars 2015, ka urdhëruar bllokimin e qasjes në këtë faqe nga ndërtesa e komunës.
NUNS, e cila raportoi se Titulli.com është portali më i vizituar në gjuhën shqipe në Serbi, fuqishëm ka protestuar për “këtë vendim të pakuptueshëm” për të bllokuar të punësuarit për të vizituar këtë faqe.
NUNS kishte thënë në kumtesë se ky ndalim paraqet formën më të vrazhdë të censurimit dhe sulm mbi lirinë e informimit.
“Kjo është edhe një tentim në seri nga qeverisja lokale për të na censuruar”, ka thënë Argjent Goga, kryeredaktor i Titulli.com, shkruan “Media Freedom”.
Duhet theksuar se lidhur me rastin e shkeljes së lirisë së informimit në komunë të Bujanocit, përveç TV Spektri, asnjë nga mediumet elektronike apo online në gjuhën shqipe nuk kanë njoftuar qytetarët, përderisa me këtë temë janë marrë edhe mediat me seli në Bruksel.
Për censurimin e këtij mediumi me seli në Bujanoc kanë reaguar organizatat vendore, ndërsa me këtë rast nuk po heshtin as organizatat për mbrojtjen dhe liri të mediave siç është “Media Freedom” që mbështetet nga Këshilli i Evropës.
Vlen cekur se portali informativ Titulli.com edhe sot (e martë) vazhdon të mbetet i bllokuar në godinën e kësaj administrate, ndërsa mediumet tjera janë të hapura për t’u shfletuar në kompjuterët e të punësuarve në këtë ndërtesë. /Titulli.com/