Lokale
Mbledhja e Trupit Koordinues: Nuk diskutohet për përmendoren (video)
Ka përfunduar mbledhja e rregullt e Trupit Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë në të cilën është bërë ndarja e financave për tri komunat e Luginës
Gjatë këtij takimi që zgjati më shumë se dy orë sipas pjesëmarrësve është bërë ndarja e mjeteve financiare që ky organ shtetëror ka paraparë për këto komuna dhe se nuk është biseduar për pllakën përkujtimore të UÇPMB-së në Preshevë.
“Në këtë takim në mes tjerash u bisedua për ndarjen e buxhetit të Trupit Koordinues (TK)me vlerë prej 224 milionë dinarëve edhe ate në mënyrë proporcionale në mes të tri komunave të Luginës”, tha Ragmi Mustafa, kryetar i Komunës së Preshevës.
Në pyetjen e gazetarit të Titullit se a është diskutuar edhe rreth pllakës përkujtimore të UÇPMB-së në Preshevë, Mustafa tha se nuk është hapur një temë e tillë, por se për pllakën përkujtimore do të bisedohet në takimin që do të mbahet sot në zyrat e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE) në Bujanoc.
Edhe kryetari i komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, theksoi se takimi ishte i rregullt dhe në qendër të diskutimeve ishte raporti financiar nga viti i kaluar dhe ndarja e buxhetit të TK për vitin 2013 për këto komuna të Luginës.
“Kjo ishte mbledhja e parë për këtë vit e kryesisë së TK. Në këtë takim arritëm një konsensus tre kryetarët e komunave për ndarjen e mjeteve të TK për vitin 2013. Sipas propozimit të aprovuar 42 për qind do ti takojnë komunës së Preshevës, 43 për qind komunës së Bujanocit dhe 15 për qind të mjeteve do të jenë të komunës së Medvegjës”, përfundoi Arifi.
Në takimin e sotëm i cili ishte i mbyllur për media, përveç kryetarit të Trupit Koordinues Zoran Stankoviq dhe kryetarëve të Komunave dhe Kuvendeve të Luginës, morën pjesë edhe përfaqësues të OSBE-së./Titulli.com/
http://youtu.be/giNuxntpG6s
________________________________________________________________________________________
http://youtu.be/hOcdxrmw904
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!