Mbi 500 vende për studentë nga Lugina
Senati i Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, në mbledhjen që ka mbajtur të hënën, nën drejtimin e ushtruesit të detyrës së rektorit, prof. dr. Arben Dërmaku, ka diskutuar përgatitjet për pranimin e studentëve të rinj për vitin akademik 2014/2015.
Në këtë mbledhje u vendos që t’i propozohet Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, regjistrimi i 2 mijë e 411 studentëve të rinj, nga të cilët 2021 të rregullt dhe 390 me korrespondencë.
Në kuadër të këtij propozimi, parashihen edhe kuota të veçanta për studentë nga Lugina e Preshevës, ku numri i përgjithshëm i rezervuar për luginasit është 535 studentë, përkatësisht 415 të rregullt dhe 120 me korrespondencë, shkruan në portalin e gazetës "Epoka e Re".
Ushtruesi i detyrës së rektorit, prof. dr. Arben Dërmaku, ka thënë se një nga qëllimet e Universitetit është që krahas studentëve nga rajoni i Gjilanit, të krijojë hapësirë të mjaftueshme për studentët nga Lugina e Preshevës./Titulli.com/