Lugina e Preshevës bojkoton mësimin, revoltë ndaj bllokimit të librave
Këshilli Kombëtar Shqiptar dhe aktivi i drejtorëve të shkollave fillore dhe të mesme me mësim në gjuhën shqipe në Luginën e Preshevës kanë vendosur që të martën të bojkotohet mësimi i orës së parë, për dy ndërrimet, në të gjitha shkollat me mësim në gjuhën shqipe në Luginën e Preshevës, për shkak të bllokimit të teksteve mësimore në terminalin doganorë në Preshevë.Në komunikatë thuhet se arsimimi në gjuhën amtare, jo që është i garantuar me ligjet dhe kushtetutën në fuqi, por edhe me aktet më të larta ndërkombëtare, ndërsa këtë të drejtë nuk e gëzojnë nxënësit shqiptarë të Luginës së Preshevës.
“Patur parasysh që në një donacion prej 103 222 tekste mësimore nga Republika e Kosovës janë bllokuar që nga 10.09.2015 në terminalin doganorë në Preshevë, edhe më tej në shkollat me mësim në gjuhën shqipe në Luginën e Preshevë procesi edukativo-arsimor zhvillohet pa tekste mësimore, e cila është e papranueshme dhe qasje diskriminuese”, thuhet në komunikatë.
Këshilli Kombëtar Shqiptar iu është drejtuar të gjitha institucioneve shtetërore të Republikës së Serbisë dhe përfaqësive ndërkombëtare, për zgjidhjen e kësaj çështje të ndjeshme dhe komplekse.
“Por nuk ka pas gatishmëri institucionale dhe vullnet politikë që në mënyrë serioze të zgjidhet mungesa e teksteve mësimore në gjuhën shqipe e aq më pak për lirimin e teksteve nga terminali doganor”, thuhet në njoftim. /Titulli.com/