Lufta e përgjakur më 19 nëntor 1944, ditën e Bajramit në Preshevë
Lokale

Lufta e përgjakur më 19 nëntor 1944, ditën e Bajramit në Preshevë

22.Apr.2016 17:48
0
Lidhja e II Shqiptare e Prizrenit ishte vazhdimësi e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e mbajtur më 1878. Kuvendi i Parë I Lidhjes së II të prizrenit u mbajt më 16-20 shtator 1943, ku kryetar i Komitetit Qendror të Lidhjes u zgjodh Rexhep Mitrovica, ndërsa në Kuvendin e Dytë, kryetar i Komitetit Qendror u zgjiodh Bedri Pejani, në janar të vitit 1944,Kuvendi i Tretë i Lidhjes së II të Prizrenit u mbajt më qershor të vitit 1944, ku kryetar i Komitetit Qendror u zgjodh Xhafer Deva. Shkruar dhe përgatitu nga Xhemaledin SALIHU-Preshevë

Qëllimi i Lidhjes së Dytë Shqiptare të Prizrenit ishte shpëtimi i vendit nga rreziku i sllavo-komunizmit dhe mbrojtja e tokave të liruara si dhe të tokave të tjera shqiptare të ish-Jugosllavisë.

Lidhja e Dytë e Prizrenit formoi forcat e saja të armatosura, të cilat kishin për qëllim të ndalin turrin e forcave-brigadave sllavo-komuniste në tokat shqiptare. Këto forca luftuan në frontin e Gjilanit, Bujanocit, Preshevës, Kumanovës, të Karadakut të Shkupit, përgjatë Hekurudhës Bujanoc-Preshevë-Kumaniovë. 

 

Mbrojtja kombëtare e Kosovës Lindore 

 “Pas kapitulimit të Italisë do të krijohen rrethana të reja për punë e aktivitet në drejtim të bashkimit të të gjitha viseve të Shqipërisë etnike. Për këtë qëllim, më 16-20 shtator 1943, në Prizren u formua Lidhja e II e Prizrenit, në të cilën do të përfaqësohen të gjitha viset e Vilajetit të Kosovës, ato nën administrimin gjerman dhe bullgar. Në fund të shtatorit të vitit 1943, Komiteti i Lidhjes së II të Prizrenit për Nënprefekturën e Gjilanit e formoi Shtabin e Mbrojtjes Kombëtare të kufirit të Shqipërisë etnike në anën lindore të Kosovës. Në atë shtab u emëruan: Mulla Idrisi për komandant, i cili direkt i përgjigjet komandantit të regjimentit IV, kolonelit Fuad Dibra,

kurse komandës së Mulla Idrisit i nënshtrohen udhëheqësit e njësive vullnetare:Sylë Shaban Zarbinca, Sadri Misini nga Shipashnica, Lam Hasan Shahiqi, Bajram Ahmet Tugjeci, Shyqyri Ballanca, Fazli Myrta-Seferi, Sylë Hotlla/komandant i vullnetarëve të viseve të Kumanovës/, Ajet Rainca, Qazim Zekbasha etj”, shkruan Muhamet Pirraku, në librin: Mulla Idris Gjilani dhe Mbrojtja kombëtare e Kosovës Lindore 1941-1945, Prishtinë, 1995, f.51.52 dhe 53.

“Me kapitulimin e Bullgarisë fashiste më 9 shtator 1944, Presheva me rrethinë mbeti e lirë.

nënprefekti i Gjilanit Hamit Kroi, me direktivën e Qeverisë së Tiranës ftoi në mbledhje në Gjilan  parinë e këtyre viseve që deri atëherë ishin në okupimin bullgar dhe disa kryetarë e sekretarë të komunave tjera të këtij rajoni. Në këtë mbledhje  ishin të pranishëm: Liman Staneci e Ali Staneci, të dy nga Staneci i Karadakut, Adem Stançiqi nga Stançiqi, prof. Ibrahim Kelemndi nga Presheva, Sylë Hotla nga Hotla e Kumanovës, Fazli Seferi nga Seferi i Karadakut, Hajriz Kajolli nga Gjylekara, Xhemë Rexhepi  nga Mogilla e Vitisë, Hasan Kabashi nga Begunca, Ramiz Cërnica, kryetar komune në Partesh, Ramiz Begunca nga Begunca, Mustrafë Uka nga Lubishta dhe unë…

Në këtë mbledhje u vendos: Muharrem Fejza dhe Ismail Hoxha ta organizojnë pushtetin dhe administratën  shqipe në komunën e rrethin e Kaçanikut, Liman Staneci, Ali Staneci dhe prof. Ibrahim Kelmendi  ta organizojnë pushtetin dhe administratën shqipe në Preshevë”, shkruan Mehmet Dushku, në librin: Lëvizja nacionale demokratike shqiptare 1943-1965, f. 97

 

Forcat e armatosura të Rezistencës shqiptare u përballën me forcat partizane në Luftën e Velegllavës, më 28 qershor 1944, në Luftën e Kikës, më 26 korrik 1944, në Luftën e Bujanocit, Raincës, Preshevës dhe përgjatë Hekurudhës Bujanoc-Preshevë-Kumanovë, e cila zgjati prej 9 shtator 1944 deri më 14 nëntor 1944. Rezistenca e Shqiptarëve vullnetarë mbrojti vendbanimet shqiptare të Karadakut  dhe vendbanimet te tjera shqiptare deri tek Hekurudha, ndërsa vendbanimet shqiptare andej në lindje të Hekurudhës kishin ra nën drejtimin e forcave sllavo-komuniste. Populli i Preshevës me rrethinë, atëherë, por edhe më vonë thonin se luftohej për një shinë të Hekurudhës Bujanoc-Preshevë-Kumanovë, në mes të forcave të brigadave bullgare, maqedonase, serbe dhe forcave të Rezistencës së armatosur të shqiptarëve vullnetarë.  

Shtabi i Divizionit të Kumanovës gjatë vitit 1944 kishte informata të sakta lidhur me vendosjen e forcave shqiptare. Kështu lidhur me sektorët e vendosjes së forcave shqiptare, armatimin dhe komandantët, Shtabin e Divizionit të Kumanovës e informonte A. Kukinski, Oficer i Zbulimit:

1.Sektori rreth Bellanocit me Komandant Sylë Hotlën.

2.Sektori rreth fshatrave Lezbali, Kurbali dhe Stanec me shtabin në Lezbali. Forcat në këtë sector përbëjnë 8.000 njerëz, prej tyre 2.000 të gatshëm për luftë, ndërsa të tjerët të gatshëm në rast të ndonjë luftë më të madhe. Këto forca kanë të gjitha armët e mundshme dhe 3 topa për luftë kodrinore.Komandant në këtë sektor janë : Alia i Stanecit,  Rakip e Xheladin Kurbalia dhe Liman Staneci.

3.Sektori për rreth Ilincës,  Bukurocës së Keqe, Bukocit, dhe Maxheres, me shtabin në Ilincë. Komandant i këtij sektori është Bëhluli i Ilincës dhe Ajeti i Raincës. Forcat e këtij sektori janë më të vogla.

Sipas informative Shqiptarët po lëshojnë Raincën dhe po tubohen në Lezbali, ku mbajtën edhe një Konferencë, për të cilën nuk patëm informata se për çfarë ishte fjala dhe çka u bisedua.

Por në informatat që na vinin ishin se Shqiptarët përgatiteshin për ta sulmuasr Preshevën dhe fshatrat këndej deri te Stacioni Hekurudhor i Preshevës, thuhet në një raport të Oficerit të Zbulimit.

Në shtator të vitit 1944, kur kapitulloi Bullgaria fashiste, Shqiptarët e Luginës së Preshevës,së bashku me Gjilanin dhe Kumanovën, për ta mbrojtur atë nga njësitë partizane, bullgare, serbe,maqedonase, organizuan Mbrojtjen e Kosovës Lindore, përgjatë hekurudhës Bujanoc-Preshevë-Kumanovë, e cila zgjati disa muaj. Ibrahim Kelmendi patriot nga Presheva e quajti Epope që nderoi historinë e Shqiptarëve, luftë që u bë kundër tre armiqve të përbashkët aleatë : bullgarëve, serbëve dhe partizanëve shqiptarë, siç shprehet ky.
Kështu në Preshevë , po edhe në krejt Luginën lindi kërkesa për ta mbrojtur ate, siç e quanin luginasit: “Kohë e Shipnisë”me shpresë se një ditë ajo dhe Shqiptarët do të jenë të lirë dhe vet do të qeverisin më fatin e vet.

Me 13 shtator, në bashkinë e Preshevës u mbajt një mbledhje ku morën pjesë: Ibrahim Kelmendi, Jetulla Seferi, Limon Staneci, Adem Kamberi, Petrit ..... dhe Ymer Rama.

Për ta mbrojtur Luginën, atëherë u bë organizimi i popullatës për luftë përgjatë hekurudhës, u bë organizimi civilo-ushtarak në Preshevë, pra Adem Kamberit iu dha qeverisja e Bashkisë, Liman Stanecit drejtimi dhe organizimi i nënprefekturës dhe Ibrahim Kelmendit, drejtimi e organizimi i operacioneve ushtarake. Qeverisja e Bashkisë zgjati 4 muaj, ndërsa sipas materialeve arkivore të ish-Jugosllavisë zgjati vetëm 2 muaj dhe këtë Mbrojtje e quanin reaksion shqiptar. Ndërsa popullata shqiptare e quajti periudhë të ndritshme, me plotë sakrifica, e quajti “Shqipëri e Vogël”. Mirëpo erdhi edhe zhgënjimi, sepse Shqiptarët u përçanë për vende politike dhe udhëheqëse në Bashki. Këtë e shfrytëzuan forcat e mëdha ushtarake, njësitë e shumta bullgare, maqedonase dhe serbe , të cilat e pushtuan Preshevën më 14 nëntor 1944, e mposhtën Rezistencën e Shqiptarëve dhe me këtë rast bënë kërdi në popullatën shqiptare, sidomos në Sopot, Iseuk, Sopot, Gosponicë e tjerë.

Lidhur me vendimet e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, mbrojtjen e Kosovës lindore dhe për organet e pushtetit nacionalistë në Preshevë shkruan edhe Ibrahim Kadriu, në librin: Ramiz Cernica-simbol i bashkimit kombëtar, Prishtinë, 2011, f. 99,102,103 :

“Lidhja e Dytë e Prizrenit, pas një viti para se të ndodhnin ngjarjet në Luginën e Preshevës dhe në Karadak, sikur i kishte paralajmëruar të ndodhurat, prandaj Komiteti i Lidhjes II të Prizrenit formoi Shtabin e Mbrojtjes Kombëtare të kufirit të Shqipqrisë Etnike në anën lindore të Kosovës. Komandant shtabi qe emërua Idriz Velekinca, ndërsa komandantë të njësive vullnetare qenë cakruar Fazli Myrtaj, Sylë Hotla, e komandantë në viset e Kumanovës, Ajet Rainca et. Fazli Myrtaj ishte i fshatit Sefer, emrin e të cilit e kishte ngritur aq larg Idriz seferi, ndërsa në kohën kur u caktua t’u printe vullnetarëve, ishte kryetar komune në Zhegër…

Tre ditë pasi kishte shpërthye lufta në Preshevë, u emëruan organet e pushtetit local, të cilat për tre muaj të ardhshëm, do të kontrollohen nga nacionalistët shqiptarë. U formua bashkia e qytetit me kryetar Adem Kamberi, që më vonë e zëvendësua nga Sadri Kadria_Presheva. Nënprefekt u emërua Limon Asllani-Staneci, komandant i xhandarmerisë u emërua Ali Syla-Staneci, ndërsa komandant i shtabit të vullnetarëve u emërua profesor Ibrahim Kelmendi. 

 

LUFTA E BAJRAMIT, më 19 shtator 1944 në Preshevë

 

Në mbrëmje të 18 shtatorit dhe më 19 shtator të vitit 1944 ndodhën luftimet më të ashpra ndërmjet forcave të armatosura të Rezistencës shqiptare kundër forcave sllavo-komuniste që kishin qëllimin të depërtonin këndej Hekurudhës, në vendbanimet shqiptare këndej Hekurudhës deri në Karadak.

Gjatë këtyre dy ditëve ndodhi luftae armatosur përgjatë Hekurudhës , pra ndodhi në Raincë, Corroticë, Rahovicë, Miratoc, Llojan, Mamaj, në Bujanoc. Mirëpo lufta që ndodhi në Stacionin Hekurudhor të Preshevës, në Zhunicë ishte më e ashpra dhe më e përgjakura. 

Për këtë luftë shkruan edhe Prof. Ibrahim Kelmendi, në librin: Një shtyllë e Kosovës quhet Preshevë, Preshevë, 2006, f. 109,110, 111 dhe 116:

“T.Asllani më tha se në Bilaç, në Brotosellcë, në Leran, në Gjeraj dhe në katunde të tjera shihej një lëvizje e madhe e partizanëvet dhe më siguroi se numri I tyre ishte shumë fish ma I madh se në ditët të tjera.Prej fjalëve të tij pashë se diçka e jashtëzakonshme mund të ndodhte mbrenda pak orëve, ose në mëngjesin e Bajramit. Këto lajme I peshova mirë dhe pastaj e nisa Ymer Ramën për Karadak për të dhanë kushtrimin. 

Çasti i pritun erdhi më ora 1 mbas mesnate, kur partizanët që iu kishin afrue hekurudhës filluan sulmin me bomba, murtaja dhe me mitraloza të çdo kalibri në nji front prej gadi 35 kilometrash, prej Bujanocit deri në Vaksincë.Përqëndrimi i tyne ma i fort qe në sektorin e stacionit të Preshevës, rreth të cilit ma shumë se 30 godina të monopolist dhe shumë të tjera ishin të zbrazta. Qëllimi i tyre ishte me u ba zot të këtyne kështjellave prej të cilave mund të ecshin në të gjitha anët. Për fat të mirë, në këtë pikë na ishim ma të fortë se në çdo vend tjetër. Pikërisht në këtë kohë vullnëtarët e Karadakut filluan të derdhen në Preshevë. Të gjitha grupet vijshin tue këndue dhe kishin një moral jashtëzakonisht të naltë.

Kur filloi me dalë drita, tanët e lanë hekurudhën në lakun e Zhunicës dhe shpejt turmën partizane e shtynë në fushë të gjanë përpara stacionit. Kështu partizanët, të rrahun prej hekurudhës dhe nga krahu i djathtë shpejt e gjëtën veten përpara dy zjarreve. Në mëngjes ata u thyan dhe filluan të ikin drejt Xhadës së Madhe… Pra, në stacion filloi katastrofa e madhe e tyne e ditës së Bajramit. Shpejt ata u thyan në krejt vijën e frontit…

“Pa ardhë te katundi mësova se një betejë e rreptë ishte zhvillue në Bllatë të Zhunicës, ku ishin vra shumë partizanë/më shumë se 49 partizanë/ dhe më thanë se një njeri me sakicë i kishte rrëmbye mitralozin një partizani që përpiqej me ikë”…

“Lufta e Bajramit në Preshevë dhe Moravicë ishte një ndër ma të rreptat të bame në kufijtë e Kosovës, ndonjiherë. Numri i serbomaqedonasve që murën pjesë në këtë luftë ka qenë shumë i madh. Dikush e çmojnë deri në 10.000.Robët e luftës na thojshin se nuk kanë qenë ma shumë se 13 brigada.Brigadat përbahëshin siç thashë prej serbëve të Vranjës, Pçinjës dhe prej maqedonasve….Damet e tune në njerëz dhe në material qenë të mëdha. Me të vramë, me të plagosun, robë dhe të humbun mund ta kaloojshin numrin 1.000. Damin ma të madh e pësuan ata që u asgjasuen në Përronin e Raincës. Ata na e banë edhe nji të mirë, na lanë qinda armë/pushkë e mitraloxa/, strajca dhe arka me municion dhe me bomba, mortaja, predha e tjera. Me armët e tyne edhe për 11 javë të plota e mbajtëm frontin kundra tynë dhe kundra ushtrisë bullgare e cila me gjak i lante mëkatet e bashkëpunimit me gjermanët”.   

Për Luftën Ditën e Bajramit shkruan edhe Muhamet Pirraku, në librin: Mulla Idris Gjilani dhe Mbrojtja kombëtare e Kosovës Lindore 1941-1945, Prishtinë, 1995, f.86 dhe 91:

 “Më 18 shtator 1944, ishte Nata e Bajramit të Madh. Komanda e ushtrisë kërcënuese komunisto-çetnike serbo-malaziase dhe bullgare konsideronte se shumë vullnetarë, si ushtri jo e rregulltë do të kishin “ikur” në shtëpitë e tyre, në gjirin familjar, për Festën e Bajramit dhe se kufiri të kishte mbetur pa mbrojtje të mjaftueshme, nën vrojtim vetëm të ushtrisë së rregulltë dhe të pak vullnetarëve më të vendosur. Për ta hetuar forcën e mbrojtjes së kufirit shqiptar, komanda e ushtrisë serbe, më 18 shtator 1944, bëri një shantazh ndaj Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës. I dërgoi dy plaka serbe me një pusull/letër/ në pozicionet shqiptare në Asllare, katund serbësh afër Bujanocit. Përmbajtja dhe porosia e “Letrës” ishin shumë kërcënuese:”Vullnetarët shqiptarë, mbrojtje e kufirit të Shqipërisë etnike, t’ia kthenin shpinën “ushtrisë së Shqipërisë së Madhe kuislinge” dhe të bashkoheshin me partizanët “liridashës”, ose të pranonnin luftën që do t’u imponohet deri në shkatërrimin e plotë. “përgjegjësinë për damet që do të pësojë fshatarësia shqiptare do ta bartinë vetë shqiptarët kuislingë dhe armiq të popullit’.

“Në momentin e arritjes së këtij ultimatum Mulla Idrisi ishte në pozicionet e Bujanocit. Letrën e mori Fazli Myrta i Ranatocit, ish kryetar komune në Zhegër, me prejardhje nga Seferi i Karadakut. Nga shtatori i vitit 1943, kur në Pisjan u formua Batalioni i vullnetarëve të Mbrojtjes Kombëtare “Idriz Seferi” me luftëtarët kryesisht nga viset e Karadakut, Fazliu ishte anëtar shtabi, kurse Shyqri Ballanca, komandant. Më vonë F. Myrta u bë komandant i këtij batalioni, i cili luftoi nga viset e Karadakut deri në Prapashticë.

Fazli Myrta ishte një burrë 50 vjeç, me dinjitet malësori prej një ushtaraku të lindur dhe porsa e kuptoi qëllimin dhe kërcënimin e armikut, duke pasur të qartë se asnjë përgjigje, përpos asaj të tradhtisë, nuk do të evitonte sulmin e armikut për Ditën e Bajramit, në mënyrë kërcënuese, duke shprehur një guxim e vendosmëri të bashkëluftëtarëve mbrojtës të kufirit të Shqipërisë etnike u tha: “Po luftojmë….!Thuanu komandantëve tuaj se ne jemi duke mbrojtur tokën tonë, e mbrojmë Kosovën nënë dhe Shqipërinë që na e la Zoti në trashëgimi bir e nip pas nipi…!Ne jemi të vendosur për të mbrojtur tokë e ardhmëri të shqiptarit dhe të jeni të sigurtë se në këtë Shqipëri do të depërtoni vetëm mbi kufomat tona dhe megjithate, do të mbyteni në detin e gjakut tonë për Kosovën shqiptare…!”

“Presheva mbas largimit të ushtrisë bullgare, tue pa se po kërcënohet nga komunistët mblodhi forcat popullore, luftoj me ta dhe i theu kryekëput. Kjo zonë ka një popullsi qind për qind shqiptare.

Komunistat n’orët e para të mëngjesit të datës 19 shtator 1944 mësyen dhe okupuem disa katunde, por vullnetarët me nji kundërmësyemje qi banë, ripushtuem vendet e humbuna, tue pësue nji humbje shumë të madhe ana anmike”

“Betejat më të mëdha janë zhvilluar rreth Stacionit Hekurudhor dhe në fshatin Zhunicë. Si partizanët ashtu edhe bullgarët kanë pasur humbje të mëdha…”

“Beteja, që s’do të harrohet është ajo e Ditës së festës së Bajramit të madh. Duke e ditur se Shqiptarët muslimanë, pas muajit të Ramazanit, të agjërimit këtë festë e presin me gëzim, të përcjellur me falje të namazit dhe të vizitave te njëri tjetri, partizanët serbo-malazezë dhe sllavo-maqedonas, natën para ditës së Bajramit të Madh, u nisën qetë –qetë pa zhurmë iu afruan vijë së kufirit që nga territopri i Shkupit deri në Bujanoc”shkruan Skënder Latifi, në librin : Përtej ferrit/Bisedë me Ali Aliun/, Prishtinë, 2008, f.42 dhe 65. 

Historiani serb Bogomir Stankovic, Kosovsko Pomoravlje u  Revoluciji 1941-1945., Nis, 1975, f. 216, kështu shkruan për këtë epope shqiptare”

 “Prej korrikut deri më nëntor të vitit 1944 pati agjitim dhe mbledhje të njerëzve për luftën kundër partizanëve. Në qytet dhe ne vendbanimet shqiptare ishte e përhershme: Mulla Idrisi, Miftar Spahija, nënprefkt dhe të tjerët i mbledhnin Shqiptarët dhe formonin njësitet, të cilat i përcillnin në “Kofin”/kufi/ për “shpëtimin e kombit dhe Shqipërisë së Madhe.

“Lufta të rrepta ndodhën ndërmjet partizanëve dhe ballistave/ashtu i quan autori serb/ në verën e vitit 1944, në Kitkë dhe në Preshevë.”

 

Njësitet partizane maqedonase rregullisht e informonin Shtabin e Divizionit të Kumanovës nëpërmjet raporteve të Oficerit të Zbulimit, por edhe nëpërmjet telegrameve që i përcillnin deri në shtab.

 Kështu, më 23 shtator 1944, në një telegram të pranuar nga njësiti partizan  thuhet:

“Akcioni në rajonin e Moravës nuk pati sukses, e humbëm edhe Bujanocin. Stacioni Hekurudhor i Preshevës 2-3 herë kalonte herë në anën e Partizanëve, herë në anën e Shqiptarëve. Tashti është në dorë të Shqiptarëve.Shqiptarët morën ndihëm 15 kamiona nga Kumanova prej njësive gjermane.

E vërtetë është se Stacioni Hekurudhor i Preshevës kalonte herë në anën e Partizanëve, herë në anën e Forcave shqiptare vullnetare, këtë ë vërtetuan shumë dëshmitarë nga Presheva, Zhunica e vendbanime të tjera shqiptare.

Me plakën Lutfije Jusufi-Kamberi, të Mëhallës së Sheh-Halilëve biseduam më 7 qershor të vitit 2014 dhe me këtë rast bëmë një bisedë lidhur me Preshevën, historinë, të kaluarën.Ajo ka kujtesën shumë të zhvilluar, mban në mend dhe ka memorie të fortë. Ajo ishte në gjeneratë me Ibrahim Kelmendin, Selim Selimin, Nijazi Kamberin e të tjerë.
Asaj i kujtohet Rezistenca e armatosur për Kosovën Lindore dhe thotë se Ditën e Bajramit u lanë bakllavat pa u hangër për të dal në front. I kujtohet se një ditë erdhi haberi për vrasjen e Adem Kamberit diku kah Sopoti. 

 

Kush janë Dëshmorët : Xhafer Maka, Musë Mustafa, Vebi Bilalli, Jahja Mehmeti

 

Në librin” Një shtyllë e Kosovës quhet Preshevë, në f.127,128, Prof.Ibrahim Kelmendi shkruan:

 

“Në Zhunicë edhe ne patëm ca të vramë dhe të plagosun. Në mes të të vramëvet ishin edhe Xhafer Maka dhe Musa Tafa. Dy-tre dite ma vonë Adem Kamberi dhe unë/Ibrahim Kelmendi/ shkuam me i ngushëllue prindët e tyne. Në sytë e tyne këndohej një mburrje e thellë, që me vobeksinë e tyne kishin rritë nga nji djalë me ja falë çashtjes së lirisë. Xha Maka, nji burrë 80 vjeç dhe i sëmuet për vdekje na tha: “Do zoti që ky gjak të shpërblehet me liri. Baba i Xhafës ka vdekë në kohën e Luftës së parë Botënore dhe Xhafën e kam rritë me skamje të madhe. Kam shpresë se djali i Xhafës që ishte vetëm një javësh, të rritet në saje të Zotit dhe të miqvet.” Xha Tafa që mund të ishte 65 vjeç dhe që ekonomikisht ishte shum ma mirë se xha Maka i shqiptoi këto fjalë: “Musa nuk do të më kishte dhimbë kaq shumë, sikur ta kishte pasë nji pushkë që ta

bante detyrën si ka hije. Ai shkoi më vdekë më dy bomba të vogla në xhep.” 

Për qëndresën dhe vazhdimin e luftimeve në kufijt e Kosovës Lindore, në Bujanoc, në Preshevë e Kumanovë shkruan edhe Tahir Zaimi nga Gjakova, pjesëtar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit, në librin e tij: Lidhja e II e Prizrenit dhe lufta heroike e popullit për mbrojtjen e Kosovës, f.59:

“Ndër ballnat e kufijve të Preshëvës dhe të Kumanovës që, për arsyena largësijet, nuk mund të përshiheshin mbrenda strategjis së komandës s'operacjoneve të Kosovës, e drejtueme nga Kolonel Fuat Dlbra, vazhdojshin luftimet prej vullnetarve të vendit, t'armatosun ma tepër me sopata e kmësa, se sa me armë lufte, të cilat u-a merrshin shpesh herë partizanve të shpartalluem n'ikje e sipër, dhe kështu morali i luftarve shqiptar forcohej e përtrihej për të vazhdue qëndresen.

Mbas shum luftimësh e përpjekjesh të përgjakëshme qi kanë përfundue me deshtimin e Bullgarve të bashkuem edhe me Serbët e vendit, në rrëthe të Preshëvës dhe të Kumanovës, në ditët e mbrama të Tetorit 1944, fuqit bullgare kanë pushtue katundin Sopot të Kumanovës, ku kanë pushkatue 68 shqiptarë mu para xhanisë s'katundit. Në përpjekjet që qenë zhvillue me

bullgarët, patën mbetë të vramë Xhafer Maka dhe Musa Tafa me disa të tjerë nga Kumanova.”

Tahir Zaimi shkruan se luftimet në Preshevë filluan më 9 shtatot dhe zgjatën deri më 14 nëntor 1944, kur Presheva bie në dorë të Bullgarëve dhe partizanëve serbo-maqedonas, të cilët pushkatuan 500 deri 600 shqiptarë.

Në mesin e tyre Tefik Asllani e vranë në dhjetor të vitit 1944, Alke Norçën e vranë në dhjetor të vitit 1944,Ajet Raincën, e vranë në dhjetor të vitit 1944, Jakup Zhunicën e vranë në janar të vitit 1945, Adem Kamberin e vranë në Janar të vitit 1945 dhe Hafiz Jusuf Halitin e vranë në janar të vitit 1945.

Po në faqen 59, Tahir Zaimi vazhdon të shkruajë:

“Me gjithse largë e pakontakte e marrëdhanje direkte, lidhja shpirtnore e popullit të Preshevës me nanën Shqipni qe shum e fortë dhe përzemërt, arsye për të cilën u quejt dhe mbetë për t’u kujtue si: kohë e Shqinijet…

Për me vërtetue randësin e humbjevet në luftime, komandanti i Preshevës, emni Anton, tue i këshillue populllit bindje e urti, kishte thanë publikisht se lufta e Preshevës u kishte kushtue 2.800 ushtar e partizan.”  

 

XHAFER MAKSUT REXHEPI / 4.02.1911-19.IX.1944 /

 

Xhafer Maka u lind në Preshevë, Mëhallë e Begajve, më 4 shkurt 1911, ishte djalë i vetëm i Maksut dhe Meleqe Shaban Rexhepit, një familje e varfur, e ndershme dhe atdhetare.Xhafer Maka nga familja i mbetën vetëm motrat e tij, Refiqe Maksut Rexhepi, e martuar në Kumanovë, më vonë nga Kumanova shkoi në Turqi dhe motra tjetër Xhevrije, e martuar në Preshevë.

Xhafer Maka me gruan Hazbije pati dy djemë, Xhevatin, i cili jetoi shumë shkurtër: 1939-1940 dhe Shabanin, i cili poashtu jetoi prej vitit 1937 deri më 1942.

Xhafer Maka 33 vjeçar u kyç në mbrojtjen e kufirit të Kosovës Lindore, përgjatë Hekurudhës Bujanov-Preshevë-Kumanovë, edhepse ishte djalë hasreti i Maksut Rexhepit. Ai ra dëshmor në Luftën e Ditës së Bajramit, më 19 shtator 1944, ndërsa në ofiqarinë e Preshevës shkruan se ka vdekur në tetor të vitit 1944, sigurisht për shkaqe sigurie të anëtarëve të familjes së Xhafer Makës..

Xhafer Makën nga fronti i luftës e sollën me qerre të lopëve dhe dikur në mbrëmje e vorrosën familja e tij, në varrezat e qytetit, pa xhemat, nga frika se ndoshta partizanët do të merrnin ndonjë aksion për të ndëshkuar familjarët e tij apo hakmarrjeje, sepse ai ra heroikisht në mbrojtje të “Kohës së Shqipnisë”, kundër forcave partizane sllavo- komuniste në Preshevë. “Xhaferin kur e sollëm ishte i përgjakur, i vdekur dhe zorrët e dala nga barku, memzi i futëm brenda barkut”, thotë Vebi Sali Shabani nga familja e Xhafer Makës, përndryshe baba i autorit të këtij shkrimi.Qamil Rexhepi, kushëri i Dëshmorit thotë se baba i tij Raif Rexhepi e solli me qerre.

Profesor Ibrahim Kelmendi në shenjë respekti të dëshmorit, Xhafer Makës dhe familjës së tij, dy-tri pas vdekjes së Xhafer Makës vizitoi në shtëpi Maksut Rexhepin, babë i dëshmorit dhe ja çfarë shkruan në librin e tij: Një shtyllë e Kosovës quhet Preshevë, Preshevë, 2006, në faqen 127:” Dy-tre ditë ma vonë Adem Kamberi dhe unë shkuem me i ngushëllue prindët e tyre. Në sytë e tyne kendohej një mburrje e thellë, që me vobeksinë e tyne kishin rritë nga një djalë me ja falë çashtjes së lirisë. Xha Maka, një burrë 80 vjeç, / i lindur më 1865-autori/ dhe i sëmuet për vdekje na tha: “Do Zoti që ky gjak të shpërblehet me liri. Baba i Xhafës ka vdekë në kohën e Luftës së Parë Botnore dhe Xhafën e kam rritë me skamje të madhe. Kam shpresë se djali i Xhafës që ishte vetëm një javësh, të rritet në saje të Zotit dhe të miqvet”.

  

 

 MUSA MUSTAFË MUSTAFA / 10.02.1920-19 09. 1944 /

 

Musa Tafa i lindur në Preshevë, Mëhallë e Majancalive, më 10 shkurt 1920, nga një familje e pasur tregtarësh, djalë i Mustafë Hysen Mustafës, i lindur më 1865 dhe Arzijesë, e lindur më 1880.

Musa Tafa ra dëshmor në Luftën e Madhe të Ditës së Bajramit, më 19 shtator 1944, sigurisht për shkak të sigurisë familjare në ofiqarinë e Preshevës shkruan se ka vdekur më 8 nëntor 1944, në mbrojtje të kufijve lindor të Shqipnisë etnike, përgjatë frontit të Hekurudhës Bujanoc-Preshevë-Kumanovë, në Zhunicë, kundër forcave partizane sllavo-komuniste. Nga familja e ngushte e Musa Tafës ka mbetur Shasivar Rufat Mustafa, me familje, i shkuar në Turqi.

Adem Kamberi , kryetar Bashkie i Preshevës dhe Prof. Ibrahim Kelmendi, dy-tre ditë pas vdekjes së Musa Tafës, e vizituan familjen e Mustafë Hysen Mustafës: “Xha Tafa, që mund të ishte 65 vjeç dhe që ekonomikisht ishte shumë ma mirë se Xha Maka, i shqiptoi këto fjalë:”Musa nuk do të më kishte dhimbë kaq shumë, sikur ta kishte pasë një pushkë që ta bante detyrën si ka hije. Ai shkoi me vdekë me dy bomba të vogla në xhep”, shkruan Prof. Ibrahim Kelmendi në librin: Një shtyllë e Kosovës quhet Preshevë, Preshevë, 2006, f.128. 

VEHBI BILALL AVDIU  / 6.8.1911-19.9.1944 / 

              

Vebi Bilalli u lind në Preshevë, Mëhallë e Baballukëve,më 6 gusht 1911, nga një familje e varfur dhe atdhetare. Ishte djalë i Bilall Sejdi Avdiut, i lindur më 1855 dhe Fahrijes, e lindur më 1865. Vebiu pati 2 vëllezër: Sadrinë dhe Shukriun, ndërsa prej familjes së ngushtë la dy djemtë: Isanë e Selajdinin dhe vajzën Xhemilen.

Në bisedë me Selajdin Abdiun, djalë i Vebiut, thotë se baba i tij, Vebiu ishte në moshën 30-33 vjeçare kur ra te Udha e Hekurudhës, te Zhunica, më 19 shtator 1944, në Ditën e Bajramit, në mbrojtje të Shqipërisë etnike, në mbrojtje të kufijve të Kosovës Lindore, sëbashku me Musa Tafën, Xhafer Makën dhe një rom. Këtë Selajdinit ia kanë thënë vëllezërit e Vebiut, Sadri dhe Shukri Bilalli dhe kushërinjtë Iljaz Kadriu dhe Musa Bilalli. 

              

JAHJA MEHMETI- METUSHI 

                                                  

Jahja Mehmeti i lindur në Preshevë, Mëhallë e Hamishëve.Ishte djalë i Metush/Mehmet/Mehmetit dhe kishte tri motra: Sanijen të martuar në Mëhallën e Alimetëve, te Rauf Miftari, Sofinë te Jusufi i Kurbalive dhe Muzaferen të martuar në Shkup, te Bilalli dhe më vonë të shpërngulur në Bursa të Turqisë.. Ka qenë i martuar me Fatime Kurtishi, vajza e Mulla Faredin Kurtishit, Mëhallë e Kamberëve. Nga familja e ngushtë e Jahja Mehmetit mbeti vetëm vajza Zenetije Mehmeti, të cilën e la në fëmijëri në moshën gjashtë javëshe dhe nipat Veton dhe Jahja Zejnullahi dhe mbesa Flamure që aktualisht jetojnë në Prishtinë dhe Fushë-Kosovë. Në vitin 1944 ka banuar me qira në Mëhallën e Karavelive, të shtëpia e Muharremit të Ibrës nga Rainca dhe aty qenka martuar me Abën Fatushe /Fatime Kurtishi-ashtu e quanin familja/. 

Shpesh bastisej shtëpia me qira e Jahja Mehmetit nga partizanët, sepse ai kishte qenë pjesëmarrës aktiv në mbrojtje të kufijve të Shqipërisë Etnike. Pra ishte në forcat e armatosura të shqiptarëve vullnetarë dhe gjatë Luftës përgjatë Hekurudhës Bujanoc-Preshevë-Kumanovë, në një përleshje paska vra një partizan serb në fshatin Zhunicë si dhe luftoi dhe sulmoi forcat partizane pa ndërprerë deri në Leran. Për këtë edhe është ndjekur nga forcat sllavo-komuniste partizane. Gjatë bastisjes dhe rrethimit të shtëpisë. Jahja Mehmeti ikte nëpër oxhak të shtëpisë osë fshihej në birë të oxhakut, të cilën apostafat e paska rregulluar në shtëpi. Ndërsa njerëzit e shtëpisë në oxhak venin saçin dhe vorbën , të dukej tamam oxhak, jo edhe strehimore e Jahja Mehmetit. Shpesh fshihej edhe në bunarin e familjes së Jakup Ethemit, të Mëhallës së Karavelive, Në bisedë me Mirsine Veliun, vajzën e Jakup Ethemit të Mëhallës së Karavelive mora vesh se bira në bunarin e tyre shërbente për fshehjen e duhanit nga bullgarët, por në rast nevoje fshihej edhe Jahja Mehmeti. Mirsinja thotë se gjyshi i Jahja Mehmetit, Mulla Bajrami paska pasur furrë në rrugën e sotme Ramiz Sadiku, karshi shtëpisë së Abdullah Krashnicës. 

Në mbarim të Rezistencës të forcave të armatosura të shqiptarëve vullnetarë, pjesëmarrës i së cilës ishte, Jahja Mehmetit I propozuan që sëbashku me Prof. Ibrahim Kelmendin të largohet nga Presheva, ky bile ia paska kërkuar edhe pushkën Jahjës, mirëpo edhe pse e priti Kelmendi në mal, ai nuk ia çoi pushkën, nuk shkoi dhe nuk u largua nga Presheva. Duhet cekur që Jahja dhe Ibrahimi ishin bashkëveprimtarë dhe ishin nisur për Australi dhe ajo që e shtyri të ndalet ishte fakti se kishte bashkëshorten dhe vajzën si dhe  tre motra dhe donte ti takonte edhe njëherë para se të nisej.Andaj edhe përmes Ilincës ka shkuar në Breznicë te dajët e vet konkretisht te daja Vesel dhe sipas dëshmisë së Tefik Sedefit me qëllim që mos ti bënte telashe dajës së vet vendoset fshehtas në plemen e dajëve por e shohin fshatarët e tjerë  dhe e lajmërojnë te organet e sigurimit serb dhe pas bisedave me ta vendos të dorëzohet me të vetmin qëllim që mos ti ndodh ndonjë gjë e keqe dajëve të tij. Sipas Tefik Sedefit, djalit të axhës të Jahja Mehmetit pas arritjes në burgun e Gjilanit edhe pse i ishte premtuar që do të trajtohej mirë zyrtarët e OZNA-së pyesin në Preshevë për Jahja Mehmetin dhe aty marrin përgjegje nga zyrtarët komunal në Preshevë dhe konkretisht nga Xhemush Bina se ai është një person i rrezikshëm dhe se duhet ekzekutuar.Kjo njëkohësisht edhe shënon momentin kur humben të gjitha gjurmët për Jahja Mehmetin. Në ndërkohë fillon loja e njohur e sigurimit serb duke shpikur fjalë se kinse është në Shkup dhe sipas Tefik Sedefit kur ky si i vogël  ka shkuar në burg me nënën e Jahjas, një zyrtar i burgut kur kanë shkuar për herë të dytë i ka thënë që mos eni më sepse ai nuk gjendet këtu. Pastaj kanë qarkulluar fjalë që Jahja Mehmeti ka ik nga burgu, ndërsa daja Veseli vdiq më 1946. 

Pas ikjes nga burgu, Jahja Mehmetin e paskan kërkuar nëpërmjet Kryqit të Kuq gjatë viteve 1945,1946, në Shkup, në Beograd, mirëpo megjithë dëshirën e madhe, nuk gjejnë asnjë gjurmë për te. Bile edhe Xhevat Miftari i Preshevës, nip i Jahja Mehmetit qenka interesuar në Beograd, për fatin e dajës së vet, por nuk pati sukses. Familja e Jahja Mehmetit ishte merakosur shumë për fatin dhe jetën e Jahja Mehmetit, sepse askund nuk ndihej ndonjë muhabet apo nuk kishte asnjë informatë lidhur me te. Vullneti i madh i familjarëve dhe miqëve e shtyni nanën e Jahjës, Gjylzaden ta kërkojnë në Letovicë, tek një kushëri, te Sylejman Letovica, për të cilin thuhet se e përcolli për në Breznicë te dajtë. Gjatë këtyre viteve, e kanë kërkuar edhe në Gjilan, të Mehmeti i Zi, i cili i paska thënë  se ju e dini me së miri se ku është Jahja e po e kërkoni në Gjilan, tek unë. Preshevarët nuk e lajmëruan Jahja Mehmetin, sepse e respektuan ate dhe luftën e tij, sidomos njerëzit e mëhallës së Karavelive, mëhallës së Alimetëve dhe të mëhallës së Hysenëve, Në vend se ta lajmerojnë te pushteti sllavo-komunist, ata e lajmëronin për tu fshehur dhe t’i ikur forcave të shërbimit secret të ish-Jugosllavisë, Oznës.Jahja Mehmetin shumë e ndihmoi edhe Sylejman Ismaili, Aga Sulë i Mëhallës së Alimetëve, i cili ishte në atë kohë dhjetar i mëhallës dhe sa herë që kishte nevoje apo kishte ndonjë lajm për bastisje apo rrezikim e informonte Jahjën që të fshihej. Pos ndjekjes së Jahja Mehmetit, ndjekej edhe familja e tij nga partizanët, sidomos pati shumë peripeci edhe gruaja e Jahjës, Fatime Kurtishi, duke e marrë në pyetje për burrin e saj. Familja e Jahja Mehmetit shumë ishte merakosur sa që shkonin për këshilla edhe tek Hoxhallarët dhe priftërinjët, të cilët I thonin se është gjallë. Familjes Mehmeti shpresa asnjëherë nuk i humbi. Pas Luftës qarkulluan shumë zëre, informata të tilla sikur Jahja Mehmeti është gjallë dhe jeton në Zvicër, se është martuar me një zviceranë farmaciste dhe i ka 2 djemë. Në mungesë të bisedës me Muharrem Miftarin nuk mundëm ta sigurojmë këtë të dhanë, ndërsa dëshmitarët të tjerë këtë nuk e vërtetojnë, sikur Mumin Kamberi i mëhallës së Kamberëve. Zhvillova një bisedë me te, nuk ma vërtetoi informatën e Muharrem Miftarit dhe shkurt më tha se është një rrenë e kulluar.

a Në bisedë me Zijadin Jusufin e mëhallës së Hysenëve, nip i Jahja Mehmetit thotë se nëna e tij, motra e Jahjës i ka thënë se në Breznicë e kanë burgosur dhe nga burgu ka ikur për në Shkup. Poashtu deklarohet Zijadini se nëna e tij i ka thënë se shtëpitë e Talat Esatit dhe e Stojanit kanë qenë të Jahja Mehmetit, i ka shitur dhe kanë shkuar për Turqi pastaj janë kthyer në Preshevë dhe ka banuar me qira në shtëpinë e Hulusi Hallaçit dhe në disa shtëpi të tjera. Ndër familjarë dhe miqë të Jahja Mehmetit qarkullon një dëshmi se Jahja Mehmetin e kanë zënë në Ferizaj, pastaj e kanë sjellur në Preshevë, e ka sjellur oficeri i OZNA-së Luba që gjatë ka jetuar në Preshevë. Pa gjykim e kanë vra te Përroni në Stacionin Hekurudhor të Preshevës.

 

Në Luftën e Ditës së Bajramit, pos këtyre dëshmorëve ranë edhe shumë luftëtarë të tjerë shqiptarë vullnetarë të Rezistencës së armatosur në mbrojtje të Kosovës Lindore, përgjatë hekurudhës Bujanoc- Preshevë-Kumanovë.

Kështu në librin e tij : Gjenocidi serbosllav-maqedonas ndaj Shqiptarëve në Karadak, Shkup, 2000, Tefik Jahiu shkruan:

Vebi Bilalli u vra në shtator të vitit 1944, te rruga e trenit afer Preshevës, 35 vjeç.

Musa Rufati u vra në shtator të vitit 1944, në fshatin Zhunicë, 28 vjeç.

Jahja Shabani u plagos në shtator të vitit 1944 afër Zhunicës, në moshën 20 vjeç.

Muharrem Sabedini u plagos më 12 shtaor në Stacionin Hekurudhor të Preshevës, 50 vjeç.

Bajram Xhemail Ajdinui, i lindur më 1913, u plagos nënëntor të vitit 1994, te Stacioni Hekurudhor i Preshevës.

Abdulla Aliu u plagos më 1944 në Zhunicë, 40 vjeç.

Xhavit Nuredinin e vranë më 22 nëntor 1944 në Stacionin Hekurudhor të Preshevës, në moshën 32 vjeç.

Mustafë Saqipin u vra më 22 nëntor 1944, në stacionin Hekurudhor të Preshevës, 45 vjeç

Belul Feratin e vranë më 22 shtator 1944, në Stacionin hekurudhor të Preshevës, në moshën 51 vjeçare.

Nevzad Beqirin e vranë më 1944, te Udha e Frengut-te Kulla e Bukurocës, në moshën 60 vjeç.

Sadik Sadikun e vranë më 1944, në fshatin Zhunicë, në moshën 60 vjeç.

Imer Jahija, i lindur më 1888, u vra në nëntor të vitit 1944, te rruga Frengit, 66 vjeç.

Qazim Saliu, nga lagja Ahmetaj, u vra nënëntor të vitit 1944, te Stacioni Hekurudhor i Preshevës, në moshën 51 vjeç.  

 

  

Në vend të përfundimit  

Në përfundim të punimit po i japim shkaqet e mos suksesit të Rezistencës së armatosur të Shqiptarëve vullnetarë në mbrojtjen e Kosovës Lindore.

Sipas Muhamet Pirrakut, në librin : Mulla Idris Gjilani dhe Mbrojtja kombëtare e Kosovës Lindore 1941-1945, f. 92, 121 dhe 135 janë:

“Fitorja e Ditës së Bajramit, e datës 19 shtator 1944, nuk do të konsiderohet vetëknaqësi për Mbrojtjen e Shqipërisë etnike në portën më delikate, në vise të Gjilanit, Preshevës e Bujanocit. Shtabi i Mbrojtjes Kombëtare i N/prefekturës së Gjilanit, në krye me Mulla Idrisin kishte informata se ushtria e okupatorit ishte tërhequr për ta rishqyrtuar strategjinë e sulmit kundër mbrojtjes kombëtare të kufirit shqiptar. Taktika teorike akademike e komandës së ushtrisë serbe e bullgare nuk e njihte taktikën luftarake popullore shqiptare për pragun e shtëpisë, për pragun e atdheut, ku çdo guri, lis ose kaçubë ishte pusi shqiptare e pamposhtur.”…

 

“Java e dytë e nëntorit 1944 paraqiti aktin e parë të Orës së ligë për mbrojtjen kombëtare shqiptare në Frontin e Gjilanit dhe në viset Bujanoc,Preshevë, Kumanovë.Realisht qysh nga pjesa e dytë e tetorit 1944 kishte filluar tërheqja e shpejtuar e njësiteve gjermane nga Greqia, Shqipëria, Maqedonia e Serbia.” 

“Pas tërheqjes së krerëve të Gallapit e të Karadakut, përkatësisht  të viseve të Kamenicës e të Gjilanit nga kufiri i Kosovës Lindore dhe pas lëshimit të pozicioneve në kufi nga ana e Mbrojtjes Kombëtare Shqiptare të Gjilanit, tërë barra e rezistencës në mbrojtjen e tokës arbërore të viseve të Bujanocit dhe Preshevës ra mbi krihët e popullsisë vendëse, të komanduar prej profesor Ibrahim kelmendit, Xheladin Kurbalisë, Qazim Zekbashës, Jetë Golë Raincës, Sylë Hotlës e të tjerëve., të cilët për disa orë, jo një ditë të plotë pas takimit në Roganë, përbaluan sulmin e fuqishëm e barbar të ushtrisë serbe e shqiptare komuniste.

Megjithate, Presheva nuk arriti t’i përballojë gjatë një ushtrie të rregulltë mijëra ushtarëshe. Ne “çlirimin” serbo-shqiptar të Preshevës dhanë kontribute komunistët shqiptar të Preshevës e rrethinës.” 

Presheva me rrethinë dhe qytetarët e saj shqiptarë për këto javë sa zgjati “Kohë e Shqipnisë” me qeverisje shqiptare, jetoi, gëzoi fitoret e rezistencës së armatosur të Shqiptarëve vullnetarë. Qytetarët e Preshevës me rrethinë e ndihmuan me ushqim, me armatim, vullnetarë luftën për mbrojtjen e kufijve të Shqipërisë etnike deri në momentin e fundit, deri sa forca të mëdha të partizanëve sllavo-komunist hyn në Preshevë dhe vendbanime shqiptare, duke djegur, vrarë dhe pushkatur pleqë, burra, gra, fëmijë në Sopot, Isaukë, Gosponicë e tjerë. Kjo kohë mbahet në mend nga moshanikët dhe dëshmitarët e kohës si luftë e pababarabartë në mes të taboreve kundërshtare, sepse shqiptarët vullnetarë në kufi, te Hekurudha dolën me armatim të dobët, por edhe në shumë raste duarthatë, me turfuqë, thika, kmesa, vetëm e vetëm për t’i mbrojtur edhe ato pak vendbanime shqiptare, në të cilat ende nuk kishin hyrë forcat partizane. 

Forcat e armatosura të Rezistencës shqiptare mbetën vetëm, pa mbrojtjen e forcave gjermane që filluan largimin nga ish-Jugosllavia dhe pse Aleatët u radhitën dhe ia mbanin anën e partizanëve.

 

 

 

 

 

 

 

R E F E R E N C A T

 

 

1. Pirraku, Muhamet, Mulla Idris Gjilani dhe Mbrojtja kombëtare e Kosovës Lindore 1941-1945, Prishtinë, 1995

2.Dushku, Mehmed, Lëvizja nacionale demokratike shqiptare 1943-1965 /Lëvizjet kombëtare shqiptare gjatë historisë/, Prishtinë, 2001

3.Arkivi shtetëror i Maqedonisë në Shkup

4. Kadriu, Ibrahim , Ramiz Cernica-simbol i bashkimit kombëtar, Prishtinë, 2011

5.Kelmendi, Ibrahim, Një shtyllë e Kosovës quhet Preshevë, Preshevë, 2006

6. Latifi, Skënder, Rrugëtimi nëpër Luginë të Preshevës, Preshevë, 2006

7.  Latifi, Skënder, Përtej ferrit/Bisedë me Ali Aliun/, Prishtinë, 2008

8. Stankovic, Bogomir,  Kosovsko Pomoravlje u  Revoluciji 1941-1945., Nis, 1975

9. Kumanova për flamur, NDSH_UÇK, Kumanovë, 2007

10. Zaimi, Tahir, Lidhja e II e Prizrenit dhe lufta heroike e popullit për mbrojtjen e Kosovës, Bruxelles, 1964

11.Bisedë me Vehbi Sali Shabanin e Preshevës, Mëhallë e Begajve, më 1995

12.Shënime të Ofiqarisë së Preshevës nga libri: Shtetësia e familjeve në Xhaminë e Poshtme dhe të  Xhamisë së Ibrahim Pashës

13.Bisedë me Selajdin Vebi Avdiun, më 16 shtator 2015

14.Bisedë me Mirsine Veliun e Mëhallës së Kamberëve, më 4.07.2015

15.Bisedë me Xhevat Miftarin, Mëhallë e Alimetëve, më 31.05.2015

16.Bisedë me Zijadin Jusufin, Mëhallë e Hysenëve, më 1.6.2015

17. Bisedë me Mumin Kamberin, Mëhallë e Kamberëve, më 31.05.2015

18.Bisedë me Lutfije Jusufi-Kamberi e Mëhallës së Sheh-Halilëve, më 7 qershor 2014

19.Bisedë me Tefik Sedefin, Turqi, më 2016

Preshevë: Në Caravajkë shënohet 23 prilli "Dita Botërore e Librit"
Lugina e Preshevës në heshtje parazgjedhore
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration