Lokale
LPD: Protesta kundër diskriminimit të shqiptarëve
Lëvizja e Progresit Demokratik e vlerëson lartë organizimin e protestave gjithëpopullore në Luginën e Preshevës, kundër diskriminimit sistematik të Beogradit, ndaj të rinjve shqiptarë e posaçërisht ish ushtarëve të UÇPMB-së, të cilët për motive politike bastisen, arrestohen dhe burgosen vazhdimisht.
“E veçanta e kësaj proteste është se ajo po mbahet në vigjilje të shënimit të përvjetorëve të UÇPMB-së dhe paralajmërimit të seancës së Gjykatës së Apelit në Beograd, ndaj Grupit të Gjilanit, i cili gjatë vitit 2012 u dënua me 116 vjet burgim”, thuhet në kumtesën e LPD-së të lëshuar sot.
LPD, kërkon që përmes kësaj proteste popullore të kërkohet lirimi i të burgosurve të pafajshëm shqiptarë dhe ndërprerja e praktikës së vjetër të Beogradit, për dënimin e shqiptarëve.
“Diskriminimi sistematik i shqiptarëve nga pushteti aktual i Beogradit, nuk ka të ndalur. Rruga institucionale për zgjidhjen e problemeve të grumbulluara me vite në këto hapësira etnike, nuk po jep rezultate të kënaqshme”, thuhet në kumtesë.
Shqiptarët e Luginës për ta përmirësuar gjendjen e tyre politike dhe ekonomike e bënë Referendumin e vitit 1992, e zhvilluan një luftë gjatë viteve 2000-2001 dhe e arritën Marrëveshjen paqësore të Konçulit si dhe miratuan një Deklaratë politike nga këshilltarët shqiptarë të tre kuvendeve komunale, më 2006, por prapë statusi i tyre politik mbeti i pandryshuar, shpjegon Lëvizja e Progresit Demokratik.
LPD është e vetëdijshme se gjendja politike dhe e sigurisë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, gjithnjë po përkeqësohet edhe ate në fushën e lirive dhe të drejtave individuale dhe kolektive të shqiptarëve, ndaj kërkon:
- Kthimin e menjëhershëm të Lapidarit, pa kushte në vendin nga e kanë hequr dhunshëm forcat e xhandarmërisë;
- Ftojmë bashkësinë ndërkombëtare, përkatësisht OKB-në, NATO-n, OSBE-në dhe Bashkimin Evropian për rikthimin e misionit paqësor për zgjidhjen e problemeve në Luginën e Preshevës;
- Kërkojmë nga institucionet e Shqipërisë dhe të Kosovës angazhim maksimal politik e diplomatik për mbrojtjen e interesave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, duke sforcuar angazhimin për respektimin e parimit të reciprocitetit politik, ekonomik dhe tregtar me serbët e Veriut të Kosovës;
- Kërkojmë formimin e një Fondi rajonal për zhvillimin e Luginës së Preshevës;
- Përmes kësaj proteste gjithëpopullore, shprehim vendosmërinë për të vazhduar angazhimin, me të gjitha mjetet e disponueshme politike, për të zgjidhur statusin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, konform vullnetit politik të shprehur me Referendumin e 1 dhe 2 marsit 1992, në bazë të Marrëveshjes Paqësore të Konçulit, duke rikonfirmuar principet e Platformës politike të këshilltarëve shqiptarë të 2006-tës për definimin e Luginës së Preshevës si rajon i posaçëm territorial- kushtetues, me të drejtë bashkimi Kosovës.
Përmes kësaj proteste dhe atyre të organizuara më parë, LPD, kërkon të alarmohet bashkësia ndërkombëtare se çështja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës kërkon zgjidhje urgjente.
Në këtë drejtim, lidershipi i Luginës së Preshevës, pret një mbështetje edhe të faktorit politik shqiptar në Tiranë dhe Prishtinë, për sensibilizimin e çështjes shqiptare brenda dhe jashtë vendit, thuhet në kumtesën e LPD-së të nënshkruar nga lideri i saj Jonuz Musliu./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!