Lokale
Lironi të gjithë të burgosurit e Luginës
Shoqata e të shpërngulurve nga Kosova Lindore ka reaguar për mos lirimin edhe të tre shqiptarëve tjerë të komunës së Bujanocit të arrestuar në aksionin e 4 majit të xhandarmërisë serbe.
“Vatra kërkon që të lirohen të gjithë të burgosurit shqiptarë që janë duke e vuajtur dënimin në burgjet e Serbisë pa kurrfarë faji dhe apelon te faktori ndërkombëtarë që t’i bëjë vërtetë trysni pushtetit serb, që këta të burgosur të lirohen sa më shpejt dhe të mos diskriminohet populli shqiptar në këtë rajon”, thuhet ndër të tjerash në reagimin e “Vatrës”.
Më tej në letrën e kësaj shoqate thuhet se, këta ish ushtarë të UÇPMB-së edhe ata të “grupit të Gjilanit” nuk kanë kryer kurrfarë krime, por janë burgosë vetëm pse janë shqiptarë.
Vatra vlerëson se këto arrestime e burgosje, Daçiqi i bëri për të fituar vota nga serbët e Kosovës e të Serbisë, e në anën tjetër për të frikësuar e detyruar të largohet nga trojet, nga pronat e shtëpitë e tyre, qytetarët shqiptar të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës.
Duke e parë situatën, shoqata “Vatra” me seli në Gjilan, e cila mbledhë rreth vetes të shpërngulurit shqiptar nga komuna e Bujanocit, kërkon që rajoni i Preshevës, Bujanocit e Medvegjës të mbikëqyret nga një forcë ndërkombëtare, apo të vendoset një protektorat për të ruajtur paqen dhe stabilitetin./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!