Liderët politikë e fetar të Luginës në Iftarin e ambasadës së Amerikës
Liderët shqiptarë të Luginës së Preshevës, krahas të ftuarve të tjerë, sot do të marrin pjesë në Iftarin e shtruar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Deputetët Riza Halimi e Shaip Kamberi, kryetarët e komunave Bujanoc respektivisht Preshevë, Nagip Arifi e Ragmi Mustafa, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar Galip Beqiri, si dhe kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Bujanoc Sulejman Fejzullahu dhe sekretari Sevder Bajrami, sonte do të jenë mysafirë të ambasadorit të SHBA-së në Beograd Michael Kirby, raporton Titulli.
Liderët nga Lugina me ftesë të diplomatit amerikan marrin pjesë në Iftarin e organizuar për besimtarët mysliman, ku nuk mungojnë as krerët fetarë nga Serbia.
Një Iftar të ngjashëm ditë më parë organizoi edhe Presidenti i SHBA-së Barak Obama, ku në mesin e diplomatëve të ftuar ishte edhe ambasadori i Kosovës në Amerikë, Akan Ismaili.
“Për myslimanët, Ramazani është një kohë për të reflektuar dhe për të kujtuar se disiplina dhe përkushtimi janë esenca e jetës së besimit”, ka thënë Obama gjatë këtij Iftari./Titulli.com/