Liderët e Luginës në SHBA për Asociacionin!
Sikurse serbët e Kosovës, edhe shqiptarët e tri komunave të Luginës - Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, para disa ditëve kanë miratuar një Deklaratën për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë shqiptare në Serbi.Mirëpo, përfaqësuesit e Bashkimit Evropian nuk kanë dhënë sinjale të mira për këtë veprim. Ata kanë deklaruar se AKSHL-ja nuk ka ngjashmëri me asociacionin e serbëve në Kosovë.
Kur është fjala për pozitën e pakicës shqiptare në Serbi, zëdhënësja Maja Kocijançiq, ka thënë që nga Beogradi pritet ta zbatohet politika e mbrojtjes së pakicave.
Nga ana tjetër, kryetari i Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Luginë, Jonuz Musliu ka reaguar pas këtyre deklaratave të zyrtarëve të BE-së. Ai në një prononcim për “Zeri.info”, ka thënë se, vlerësimi i evropianëve karshi këtij vendimi është i padrejtë.
Sipas Musliut, Asociacioni i Komunave Shqiptare në Serbi ka filluar të jap sinjalet e para të përkrahjes.
“Unë besoj se shqiptarët janë autokton dhe nuk janë ardhacak. Mendoj se vlerësimi i Bashkimit Evropian nuk është i drejtë. Por, këta të fundit nuk mund të punojnë me dy standarde, ndryshe me serbët në Kosovë e ndryshe me shqiptarët në Luginë të Preshevës. Problemet duhet t’i zgjedhin në mënyrë proporcionale”, ka thënë ai për “zeri.info”
Më tutje, Musliu ka treguar se javët e ardhshme ai dhe delegacioni nga Lugina do të kenë takime me zyrtarë të lartë të SHBA-së dhe atyre të BE-së.
“Besoj se së shpejti këto përkrahje do të vijnë për njohjen e asociacionit. Natyrisht se me mbështetjen e Amerikës dhe Bashkimit Evropian si dhe vullneti i shqiptarëve autokton. Dua të them se me 7,8 dhe 9 tetor ne do të udhëtojmë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe do të kemi takime të ndryshme me senatorë dhe përfaqësues të “Lobit Shqiptarë” atje. Pra, kjo është njëra prej mbështetjeve të para. Gjithashtu, me datën 30 të këtij muaji do të zhvilloj takim në Bruksel me përfaqësues për të drejta e njeriut”, është shprehur ai.
Ndryshe, Deklarata për AKSHL-së u miratua më 12 shtator në mënyrë unanime, respektivisht asnjë nga 43 këshilltarët komunalë nga të tri komunat nuk votoi kundër.
Kryetari i Preshevës Ragmi Mustafa deklaroi se shqiptarët e Luginës çdo ditë janë nën trysninë e deklaratave kërcënuese të qeverisë së Serbisë.
Vlen të theksohet se në mbledhje nuk morën pjesë shumica e përfaqësuesve të opozitës në Preshevë, gjegjësisht Partia e Veprimit Demokratik e Riza Halimit. /Zëri/