Libri “Korrigjimi” i Kufirit Kosovë-Serbi dhe “Bashkimi” i Luginës së Preshevës me Kosovën edhe në formatin elektronik
Libri “Korrigjimi” i Kufirit Kosovë - Serbi dhe “Bashkimi” i Luginës së Preshevës me Kosovën!, shkruar nga Akademik Hivzi Islami dhe Prof. dr. Arsim Ejupi, (Një elaborim analitik-shkencor), është thirrja me serioze shkencore e dijetarëve në Kosovë qe të ndalen daullet dhe fjalët për cënimin e tërësisë territoriale të Kosovës.
Diskursi më i neveritshëm dhe më i tensionuar për ndryshimin e kufijve midis Kosovës e Serbisë dhe “përkufizimit midis shqiptarëve dhe serbëve” si ide dhe plan i vjetër serb, me pasoja shumë të dëmshme për pavarësinë, sovranitetin shtetëror dhe integritetin territorial të Kosovës deri në zhbërjen e tyre, e përshkoi veçanërisht gjysmën e dytë të vitit 2018! Ndarja territoriale-etnike e Kosovës dhe “përkufizimi midis shqiptarëve dhe serbëve” (ideja nga Qosiqi e viteve të 60-ta deri Vuçiqi i sotëm) deri te “Konfederata” e Kosovës me Shqipërinë apo “bashkimin” e tyre sot (Hashim Thaçi) do të shënonte mosekzistimin e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran, sikundër që copëtimi i Luginës do ta fshinte atë si entitet territorial-politik. Këto janë qëllimet themelore të Serbisë që nga fundi i viteve të 60-ta të shekullit të kaluar.
Nga elaborimi i të gjitha dimensioneve gjeohapësinore, gjeopolitike dhe etnodemografike, sasinë dhe cilësinë e resurseve, rezulton përfundimi se me ndarjen e Kosovës dhe copëtimin e Luginës, me kusht që të merrej edhe hekurudha dhe autostrada (Korridori 10), humbëse janë Kosova dhe Lugina, ndërkaq fitues del vetëm Serbia, madje me vetë idenë dhe nismën e “korrigjimit” të kufirit; fituesi i dytë natyrisht është mikja e Serbisë, Rusia. Prandaj, është trishtuese të preken kufijtë ekzistues. Sipas sondazheve të bëra në Kosovë këto kohët e fundit, së paku 90% e qytetarëve të saj, shqiptarë, serbë e të tjerë, e kundërshtojnë “korrigjimin” e kufirit, ndërsa kundër është gjithë spektri politik i Kosovës.
Përveç formatit fizik tani e tutje libri i ofrohet publikut edhe në formatin elektronik. Kjo është bërë e mundur falë punës së palodhshme të shtëpisë botuese “Klubi i Poezisë” nga Tirana. Të gjithë të interesuarit librin mund ta gjejnë duke klikuar në linqet si më poshtë.
Ky tekst është shkruar nga autorët e librit dhe përbën një pjesë të brendësisë.
https://www.smashwords.com/books/view/1017321
https://books.mondadoristore.it/Korrigjimi-Kufirit-Arsim-Ejupi-Hivzi-Islami/eae978046331700/