Kërkohet rezolutë për bashkimin e Luginës me Kosovën
Lokale

Kërkohet rezolutë për bashkimin e Luginës me Kosovën

11.Sep.2018 10:38
0
Përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës kanë kërkuar miratimin e një rezolute nga Kuvendi i Kosovës, me anë të së cilës do të miratohej kërkesa e tyre për bashkim me Kosovën, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Një gjë e tillë u bë e ditur gjatë ditës së djeshme, ku liderët shqiptarë të Luginës paraqitën një kërkesë të tillë gjatë takimit që patën me presidentin e Kosovës Hashim Thaçin.

Pas takimit në fjalë kreu i shtetit u zotua se do të punojë deri në fund për bashkimin e Luginës me Kosovën, ndonëse sipas tij një gjë e tillë nuk mund të jetë e garantuar se do të ndodhë.

Tashmë, sipas tij, është e qartë që vullneti i deklaruar i shqiptarëve të Luginës për bashkëngjitje me Kosovën është institucionalizuar tek institucionet e Kosovës.

Sipas kryetarit të shtetit, në rrethanat aktuale është momenti i duhur që i gjithë spektri politik të ngrihet mbi interesat e ngushta, mbi egot personale dhe të punojë rreth dialogut dhe rreth kërkesës së shqiptarëve të Luginës. “Aktualisht Presheva është një kauzë e përbashkët. Në kuadër të kësaj ne kemi menduar që edhe përfaqësuesit e Luginës të jenë pjesë e particimit jo vetëm përmes institucioneve, por në dialogun me Serbinë. Përfaqësuesit sot kanë propozuar nxjerrjen e një rezolute që e kanë përcjellë sot te presidenti, që pastaj do të kalojë te Kuvendi, që Kuvendi në të ardhmen ta nxjerrë një rezolutë për mbështetje unike për bashkimin me Kosovën”, theksoi ai gjatë konferencës që mbajti gjatë së hënës.

Megjithëkëtë, pavarësisht faktit që presidenti serb Aleksandër Vuçiq para pak ditësh vizitoi serbët e Kosovës Thaçi nuk pritet të shkojë në Luginën e Preshevës për t’i vizituar shqiptarët e asaj pjese.

I pyetur nëse do ta bëjë një gjë të tillë, ish-shefi i shtabit të përgjithshëm politik të UÇK-tha se nuk mund ta vizitojë Luginën për shkak se është i penguar nga Serbia.

“Kur e kam vizituar Luginën në kohë të rënda nuk kam qenë aty me leje të Serbisë. Tash jemi në rrethanë tjetër, jam i dënuar në mungesë nga Serbia. Atë dënim Serbia s’ma ka falur kurrë, as nuk e kam kërkuar. Nuk mund t’ia mësyj kufirit për ballafaqim fizik me policinë serbe. Kur ka qenë koha jam ballafaquar. Aktualisht Beogradi nuk e sheh të dobishme prezencën time atje. Edhe sot përfaqësuesit e Luginës më ftuan që ta vizitoj. Nuk e kam bërë kurrë një kërkesë të tillë, sepse mund ta paramendoj përgjigjen e tyre (të Serbisë)”, theksoi ai, shkruan më tutje "Zëri".

Megjithëkëtë, Thaçi tha se ka deputetë e politikanë të tjerë kosovarë që mund ta vizitojnë Luginën, me ç’rast inkurajoi ata që ta bëjnë një gjë të tillë.

Ndërkaq, teksa komentoi deklaratat e presidentit serb Aleksandër Vuçiq, i cili thuri lavde për Sllobodan Millosheviqin sa ishte në Kosovë, presidenti Thaçi vlerësoi se veprimi i Vuçiqit atakon vlerat euroatlantike.

“Sa i përket vizitës së Vuçiqit ne dëgjuam nevojën për paqe, por në të njëjtën kohë dëgjuam evokime për kasapin e Ballkanit Sllobodan Millosheviqin. Vlerësoj që të dyja këto nuk shkojnë bashkë. Edhe lartësimi i figurës së xhelatit të Ballkanit dhe thirrjet për paqe nuk shkojnë bashkë. Prandaj, them se ishte një vlerësim i panevojshëm dhe aspak ndihmues për dialogun”, potencoi Thaçi.

Teksa foli për dialogun dhe kërkesën e tyre, Shaip Kamberi, kryetar i Komunës së Bujanocit, vlerësoi se është më se e nevojshme arritja e një konsensusi të gjerë politik në Kosovë.

“Ky konsensus sipas nesh duhet të kalojë nëpërmes një rezolute të Kuvendit të Kosovës dhe shpresojmë që të gjithë akterët politikë në Kosovë ta respektojnë kërkesën tonë dhe përmes kësaj do të ndërtohet unitet politik i plotë, i cili do ta mbështesë presidentin dhe ekipin negociator të Kosovës në bisedimet në Bruksel”, u shpreh Kamberi. 

Kamberi: Duhet të ketë konsensus mes partive politike në Kosovë pro bashkimit me Kosovën
Arsiq: "Shqiptarët e Luginës po ikin në Perëndim, serbët në Beograd"
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration