Lokale
Kuvendi: Të ndërpritet procedura që është e montuar politikisht (video)
Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Këshilltarëve Shqiptarë të Luginës të mbajtur sot në Bujanoc u dënua ashpër arrestimi i tetë shqiptarëve, ndërsa aksioni i xhandarmërisë është i papranueshëm dhe në funksion të destabilizimit të situatës politike dhe të sigurisë në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë, raporton Titulli.
Kuvendi kërkon nga Prokuroria për Krime Lufte në Beograd që të ndërpresë procedurën, duke e konsideruar atë si të montuar politikisht, ndërsa kërkon zbardhjen e të gjitha krimeve të kryera ndaj popullatës civile shqiptare në Luginë.
Po ashtu në deklaratën e këshilltarëve shqiptarë të Luginës së Preshevës, kërkohet edhe respektimi i plotë i amnistisë ndaj ish-pjesëtarëve të UÇPMB-së.
Nga kjo mbledhje u ftuan të gjithë shqiptarët nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja që të dalin sa më masovikisht në zgjedhjet e nesërme.
“Ky është një sulm i radhës që vjen nga Ivica Daciq, në vitin 2003 Bujanoci ishte në sulmin e xhandarmërisë serbe me çrast u arrestuan 11 të rinj shqiptarë, 2004 po ashtu dhe mandej dhuna e Beogradit është zhvendosur në Preshevë”, tha mes tjerash para këshilltarëve, kryetari i komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi.
Ai shtoi se “kjo edhe njëherë dëshmon se ky shtet dhe ky ministër ka një qasje ndaj shqiptarëve, atë të ish shefit të vet Sllobodan Millosheviq”.
Drejtuesi i kësaj seance Jonuz Musliu, tha se Beogradi zyrtarë përmes këtyre aksioneve të xhandarmërisë dhe të policisë në momentin kyçë, kur qytetarët shqiptarë shprehin vullnetin e tyre politikë për të zgjedhur përfaqësuesit legjitim në parlamentin lokal në Bujanoc, paraqet një nga provokimet më të rënda politike që nga përfundimi i luftës në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.
Mbledhja e sotme u përcjellë edhe nga përfaqësuesit e Ambasadës Amerikane në Beograd si dhe nga shefi i misionit të OSBE-së në Bujanoc .
Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Këshilltarëve Shqiptarë të Luginës u ftua për shkak të arrestimit të djeshëm të 8 shqiptarëve nga komuna e Bujanocit, pesë prej të cilëve akuzohen për gjoja krime lufte të kryera gjatë konflikti të armatosur në Luginë./Titulli.com/
http://youtu.be/6DKo68YWE30
http://youtu.be/VVifHwKiWxY
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!