Kurti dhe Vuçiq pajtohen për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit, aneksi i zbatimit
Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë u pajtuan për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes tyre, të mbështetur nga BE-ja.
Borrell i bëri komentet pasi ndërmjetësoi një takim maratonë midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Duke iu adresuar gazetarëve, ai tha se kjo është një “arritje e rëndësishme”.
“Ajo që palët pranuan, është që Marrëveshja dhe zbatimi i saj përmes Aneksit të bëhen pjesë integrale e rrugëve të tyre përkatëse drejt Bashkimit Evropian”, tha Borrell.
Edhe pse palët vendosën të mos e nënshkruajnë zyrtarisht marrëveshjen, tha ai, ato u pajtuan që të fillojnë zbatimin e saj sa më shpejt që të jetë e mundur.
“Është e qartë se të dyja palët do të kenë përfitim të madh nga kjo marrëveshje, sepse dialogu nuk është vetëm për shkak të Kosovës dhe Serbisë, por ka të bëjë me stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin e të gjithë rajonit”, tha kryediplomati i BE-së.
Marrëveshja me 11 nene, e bërë publike më 27 shkurt, nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.
Ajo kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.
Borrell tha se Kosova është pajtuar “që t’i nisë menjëherë negociatat me BE-në” për të siguruar “një nivel të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se pajtimi i arritur në Ohër është “njohje e ndërsjellë de facto” e Kosovës dhe Serbisë.
I pyetur nga gazetarët nëse do të lejojë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ai tha se bëhet fjalë për “një nivel adekuat të vetëmenaxhimit të komunitetit serb” dhe “jo për vetëqeverisje”.
Presidenti i Serbisë, Vuçiq, tha se formimi i Asociacionit “është bërë detyrim me prioritet”.
“Më duhet të them se jam shumë i kënaqur për këtë”, tha Vuçiq.
“Pavarësisht dallimeve, kishim një bisedë të mirë”, shtoi ai.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u takuan më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, në kuadër të procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve dhe pas më se 10 orësh bisedime, arritën marrëveshje për zbatimin e propozimit evropian.
- Aneksi është një pjesë integrale e Marrëveshjes.
- Kosova dhe Serbia angazhohen plotësisht për t’i respektuar të gjitha nenet e Marrëveshjes dhe këtë Aneks, dhe për t’i zbatuar të gjitha detyrimet e tyre përkatëse - që rrjedhin nga Marrëveshja dhe Aneksi - në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim.
- Palët e kanë parasysh se Marrëveshja dhe Aneksi i zbatimit bëhen pjesë integrale e proceseve përkatëse të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE. Palët e kanë parasysh se, menjëherë pas miratimit të Marrëveshjes dhe këtij Aneksi, ndërmjetësuesi i BE-së do të fillojë procesin për t’i ndryshuar standardet e Kapitullit 35 për Serbinë, për t’i konsideruar detyrimet e reja të Serbisë, që rrjedhin nga Marrëveshja dhe Aneksi.
- Palët pajtohen për të miratuar Deklaratën për Personat e Zhdukur, siç është negociuar në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, si çështje urgjente.
- Për të zbatuar Nenin 7, Kosova nis menjëherë negociatat në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për përcaktimin e aranzhimeve dhe garancive specifike, që sigurojnë një nivel të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse të dialogut, siç përcaktohet nga ndërmjetësuesi i BE-së.
- Palët bien dakord për të krijuar një Komitet të Përbashkët Monitorues, të kryesuar nga BE-ja, brenda 30 ditësh. Zbatimi i të gjitha dispozitave do të sigurohet dhe mbikëqyret nga Komiteti i Përbashkët Monitorues.
- Për të zbatuar Nenin 9, BE-ja do të organizojë një konferencë donatorësh brenda 150 ditësh, për të krijuar një paketë investimesh dhe ndihme financiare për Kosovën dhe Serbinë. Asnjë shpërndarje nuk do të ndodhë përpara se BE-ja të përcaktojë se të gjitha dispozitat e Marrëveshjes janë zbatuar plotësisht.
- Kosova dhe Serbia pajtohen që të gjitha nenet të zbatohen në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra.
- Rendi i paragrafëve të këtij Aneksi nuk e paragjykon rendin e zbatimit të tyre.
- Kosova dhe Serbia pajtohen që të mos e bllokojnë zbatimin e asnjë prej neneve.
- Të gjitha diskutimet në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes do të zhvillohen në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.
- Kosova dhe Serbia pranojnë se mosrespektimi i obligimeve të tyre nga Marrëveshja, Aneksi ose Marrëveshjet e Dialogut të kaluar, mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta negative për proceset e tyre përkatëse të anëtarësimit në BE dhe për ndihmën financiare që marrin nga BE-ja.