Kuizi i diturisë "LUGINA GARON 2016", shikoni të gjitha (video)
Ndërmarrja Informative Publike "RTV PRESHEVA" në Preshevë, duke dashur që të vazhdoj traditën në realizimin e projekteve të rëndësishme dhe të nevojshme, për qytetarët e Luginës së Preshevës, edhe këtë vit (për të pestën herë me radhë), po realizon kuizin e diturisë "LUGINA GARON", me nxënës të shkollave fillore dhe të mesme në Luginë të Preshevës.Ky projekt, i filluar së realizuari në vitin 2012, u pranua edhe këtë vit nga ana e shkollave fillore dhe të mesme në Luginë të Preshevës (shumica e tyre pjesëmarrëse), si një projekt shumë i rëndësishëm në edukimin e nxënësve.
Pas takimeve të zhvilluara me përfaqësuesit e shkollave janë bërë përgatitjet teknike për realizimin e këtij kuizi të diturisë që me të drejtë edhe po mban emrin “LUGINA GARON”, pasi që në të po marrin pjesë shkolla fillore dhe të mesme nga e tërë Lugina.
Këtë vit, ekipet garuese do të garojnë me nga 4 (katër) garues si dhe udhëheqësi i tyre. Nxënësit do të garojnë në rubrikën - PYETJE TË PËRGJITHSHME, rubrikën PO-JO, rubrikën ZBULOJMË PERSONALITETIN, rubrikën BASHKOJMË ÇIFTET, si dhe rubrikën ASOCIACIONET. Të gjitha pyetjet, në të cilat do të duhet të përgjigjen garuesit, janë nxjerrë nga fushat: gjuhë shqipe dhe letërsi, matematikë, informatikë, histori, gjeografi, edukatë fetare, psikologji, filozofi, sociologji, biologji, kimi, fizikë, art, kulturë, edukatë fizike, sport, edukatë muzikore, muzikë, film,...të cilat janë përgatitur nga arsimtarë e profesor të shkollave fillore e të mesme.
Për përgatitjen e pyetjeve, organizimin e përgjithshëm si dhe menaxhimin dhe mbarëvajtjen e kuizit është angazhuar Zejnulla Dauti, gazetar-redaktor në RTV Presheva, ndërsa i tërë projekti është mbështetur financiarisht nga donatorë të ndryshëm. Sponsor gjeneral i kuizit është kompania VM center në Preshevë ndërsa sponzor të artë janë Këshilli kombëtar i shqiptarëve si dhe Studio për dizajn e grafikë Prodesign në Preshevë.
Në xhiron e parë të edicionit të sivjetëm garuan ekipi i shkollës fillore "Ali Bektashi" nga Nasalca dhe ekipi i shkollës fillore "9 Maji" nga Lerani dhe pas një ballafaqimi mjaftë dinjitoz fitues doli ekipi i sh.f. "9 Maji" i cili grumbulloi 59 pikë ndërsa ekipi i Nasalcës 44 pikë.
Kuizi do të filloj të transmetohet në RTV PRESHEVA, RTV SPEKTRI, RTV BUJANOCI si dhe në portalin informativ www.titulli.com, që nga e hëna më 07.03.2016, pikërisht në shënimin e ditës së mësuesit dhe do të vazhdoj së transmetuari çdo të hënë dhe të enjte, për 18 xhiro apo 9 javë rresht.
Ekipet finaliste nga shkollat fillore si dhe ekipi fitues i gjimnazistëve, të shoqëruara nga arsimtarët udhëheqës të tyre, është paraparë që pas përfundimit të garave, të bëjnë një ekskursion në Republikën e Shqipërisë, ku do të kenë rastin të vizitojnë monumente të rëndësishme historike dhe kulturore.