KRZ shpalli rezultatet, fitore e brishtë e pesë partive! (dokument)
Komisioni Republikan Zgjedhor (KRZ) shpalli sot rezultatet e përkohshme për zgjedhjet e mbajtura për Këshill Kombëtar Shqiptar (KKSH) më 26 tetor, e të përsëritura në një vendvotim më 2 nëntor.
Sipas tabelës së publikuar në faqen zyrtare të Komisionit, “Koalicioni për të Drejtat e Shqiptarëve” (PVD-UDSH) ka arrit të grumbullojë 5,788 (41.03 %).
I dyti në tabelë radhitet “Koalicioni i Shqiptarëve të Bashkuar” (PDSH-LPD-RD) me 4,911 vota (34.81 %), e pasuar nga “Partia Demokratike-Dr.Sc. Nagip Arifi” (PD-BDL), për të cilën në këto zgjedhje votuan 3,017 qytetarë (21.39 %).
Dy listat e qytetarëve gjithsejtë morën 224 vota, respektivisht “ Për Ardhmërinë e Shqiptarëve në Serbi-Sevdail Hyseni” 124 vota (0.88 %) dhe Grupi Qytetar “Nagip Taipi” 100 vota (0.71 %).
Zëvendës kryetari i Komisionit Republikan Zgjedhor Ivan Shebek, pas mbylljes së vendvotimeve të përsëritura për Këshilla Kombëtare të pakicës shqiptare dhe boshnjake, deklaroi se ato u përsëritën në Kunçul të Bujanocit dhe tre vendvotime në komunën e Tutinit, raporton portali informativ Titulli.com.
Në tërë territorin e Republikës së Serbisë, nga 35, 396 qytetarë shqiptarë me të drejtë vote, kanë votuar 14, 108, prej tyre të vlefshme janë regjistruar 13, 940 vota dhe të pavlefshme 167 + 1 (168 vota).
Nga rezultatet e përkohshme të publikuara nga KRZ, nga 15 anëtarë sa do të ketë Kuvendi i ri i Këshillit Kombëtar Shqiptar, 7 këshilltarë do t’i ketë “Koalicioni për të Drejtat e Shqiptarëve” (PVD-UDSH), 5 “Koalicioni i Shqiptarëve të Bashkuar” (PVD-UDSH) dhe 3 këshilltarë “Partia Demokratike-Dr.Sc. Nagip Arifi” (PD-BDL).
Vlen theksuar se pesë partitë shqiptare (PDSH, PD, LPD, BDL, RD) të dala në dy lista zgjedhore kanë marrëveshje parazgjedhore për koalicion, që së bashku do t’i mundësojë të kenë 8 këshilltarë, kundrejt 7 që do të ketë koalicioni PVD dhe UDSH.
Edhe pse pritshmëria e drejtuesve të pesë partive shqiptare në koalicion (PDSH, PD, LPD, BDL, RD) ishte që në këto zgjedhje të korrnin një fitore më bindëse, votat e qytetarëve i dhanë një rezultate të brishtë, me vetëm një ulëse më shumë në Kuvendin e KKSH-së, ndaj koalicionit të përbërë nga dy partitë tjera.
Partia për Veprim Demokratik (PVD) dhe Unioni Demokratik Shqiptar (UDSH) janë subjekte të cilat gjatë mandatit të parë kanë drejtuar Këshillin Kombëtar Shqiptar./Titulli.com/