Kryetari i Bujanocit falënderon Kosovën për donacionin prej 50 mijë euro
Kryetari i komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi nëpërmjet një postimi në “Facebook”, ka falënderuar Qeverinë e Kosovës, e cila gjatë ditës i ndau 50 mijë euro për projektin për aftësimin profesional të të rinjve të kësaj komune të Luginës.
“Faleminderit Kosovë. Me propozim të Ministrit të Financave të Republikës së Kosovës, Lulzim Rafuna, Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur sot, aprovoi kërkesën e Komunës së Bujanocit për të përkrahur projektin për aftësimin profesional të të rinjve të Komunës tonë.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndarë sot 50.000 euro për të përkrahur këtë aktivitet. Bashkëpunimi i filluar dy vite me parë në mes të Komunës tonë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës po vazhdon të japë rezultate konkrete”, ka shkruar Kamberi.