Kryeministri dhe diplomat të huaj hapin Fakultetin në Bujanoc (Foto & Video)
Në Bujanoc sot u përurua objekti i ri i Fakultetit Ekonomik, që u ndërtua me mjetet e Bashkimit Evropian, qeverisë së Serbisë dhe komunës së Bujanocit.Pllakën në hyrje të objektit e zbuluan kryetari i komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, dhe Nenad Vunjak, dekan i Fakultetit Ekonomik të Suboticës, degë e të cilit është fakulteti në Bujanoc.
Fakulteti Ekonomik në Bujanoc është hapur para katër viteve, ndërsa sot janë ndarë edhe diplomat, respektivisht vendimet për diplomim për studentët e parë të diplomuar në këtë fakultet.
Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se është i impresionuar me kushtet e këtij objekti, dhe shtoi se qeveria e tij do të përkushtohet në zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës.
“Për të gjithë problemet e këtij rajoni do të bisedojmë dhe jam i bindur se këto bisedime nuk do të ndërpriten. Qytetarët e këtij rajoni, kërkuan më shumë punë dhe më shumë fabrika, dhe kësaj qeveria e Serbisë do t’ i përkushtohet për arritje të mëdha për të gjithë, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike”, tha Vuçiq.
Shefi i delegacionit të Bashkimit Evropian filloi fjalimin e tij në serbisht dhe shqip. Ai inkurajoi studentët e këtij fakulteti që të bashkuar, me këmbëngulësi dhe me arsimim të thyejnë paragjykimet në këtë rajon.
Kryetari i komunës së Bujanocit, Nagip Arifi tha se “falë miqve ndërkombëtare dhe qeverisë së Serbisë sot po përurojmë një objekt që do të vendos bazat e shkollimit universitar në Bujanoc. Shpresojmë që me ndihmën e miqve tonë të hapim edhe degë të reja studimi”.
Dekani i Fakultetit Ekonomik të Suboticës, Nenad Vunjak tha se në degën e këtij fakulteti në Bujanoc për katër vite janë regjistruar 394 studentë, shqiptarë dhe serbë përgjysmë dhe tre studentë romë.
Në amfiteatrin e këtij objekti para të pranishmëve u paraqitën edhe shefi i misionit të OSBE-së në Serbi, Piter Burkhard dhe ambasadori i Zvicrës në Beograd, Zhan Daniel Ruh.
Në solemnitetin e sotëm morën pjesë edhe ministri i arsimit në qeverinë e Serbisë, Srgjan Verbiq, mbrojtësi i qytetarëve Sasha Jankoviq, dy deputetët shqiptarë në parlamentin serb, Riza Halimi e Shaip Kamberi, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Jonuz Musliu, kryetari i Trupit Koordinues, Zoran Stankoviq dhe mysafirë të tjerë.
Kryeministri i Serbisë, ALeksandar Vuçiq, para Bujanocit, vizitoi edhe Preshevën, gjegjësisht kampin e refugjatëve në këtë qytet.
Para objektit të fakultetit në Bujanoc, i cili gjendet përballë Shtëpisë së Shëndetit, kryeministrin Vuçic kishin dal një numër i qytetarëve serbë e romë me flamuj partiakë të Partisë Përparimtare Serbe (SNS). /Titulli.com/