Kosova lëshon dokumentet e para për hyrje-dalje për qytetarët e Serbisë (video)
Në Merdare, disa minuta pas mesnatës, është lëshuar dokumenti i parë nga Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës për hyrje/dalje për një qytetar të Serbisë.
Ministri i Brendshëm në Kosovë, Xhelal Sveçla, ka thënë se ky vendim do të vazhdojë të zbatohet “derisa të largohen të gjitha barrikadat dhe të sigurohet liria e lëvizjes së qytetarëve dhe mallrave”.
“Në momentin e largimit të të gjitha barrikadave dhe pengesave, ky vendim do të pezullohet deri më 1 shtator 2022”, ka thënë ai përmes një postimi në Facebook.
Barrikadat janë vënë më 31 korrik nga serbët lokalë të Kosovës, si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të 29 qershorit të Qeverisë së Kosovës për targat e makinave që lëshojnë autoritetet e Serbisë me akronimet e qyteteve të Kosovës dhe dokumentet për hyrje/dalje për qytetarët serbë kur të hyjnë në njërën nga pikat kufitare në Kosovë.
Qeveria e Kosovës ka shtyrë zbatimin e vendimeve - që ishin planifikuar të zbatoheshin nga 1 gushti - duke thënë se dënon ashpër bllokimin e rrugës në veri të Kosovës.
“Kryeministri Kurti së bashku me Presidenten Osmani dhe zëvendës kryeministrat Bislimi e Gërvalla kanë zhvilluar kontakte e takime me faktorët ndërkombëtarë amerikanë dhe evropianë. Me këtë rast, Qeveria e Kosovës jep zotimin që të shtyhet zbatimi i dy vendimeve të datës 29 qershor 2022, deri me datën 1 shtator 2022, nga momenti në ditën e hënë, 1 gusht 2022, kur do të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës”, është thënë në njoftimin e Qeverisë.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i ka kërkuar të dielën Qeverisë së Kosovës që të shtyjë për 30 ditë zbatimin e vendimeve.
Vendimet për targat dhe dokumentet serbe
Qeveria e Kosovës pati vendosur që më 1 gusht do të niste lëshimi i të ashtuquajturave dokumente për hyrje-dalje për të gjithë shtetasit e Serbisë që hyjnë në Kosovë.
Ky dokument do të lëshohej në të gjitha pikëkalimet tokësore dhe ato ajrore, si dhe do të ishte i vlefshëm për 90 ditë, ashtu sikurse dokumenti që autoritetet serbe lëshojnë për shtetasit e Kosovës kur të hyjnë në Serbi.
Po ashtu të hënën pritej të hynte në fuqi edhe vendimi për riregjistrimin e makinave me targa me akronime të qyteteve të Kosovës që lëshohen nga Serbia. Vlerësohet se 10.000 makina me targa si KM (Mitrovica e Kosovës), PZ (Prizren) UR (Ferizaj) e të ngjashme, qarkullojnë në komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.
Sipas vendimit të marrë më 29 qershor nga Qeveria e Kosovës, afati për riregjistrimin e makinave do të zgjaste deri më 30 shtator.