Kosova dhe Shqipëria nënshkruajnë marrëveshje për shqiptarët e Malit të Zi dhe Serbisë
Lokale

Kosova dhe Shqipëria nënshkruajnë marrëveshje për shqiptarët e Malit të Zi dhe Serbisë

04.Dec.2020 18:44
0

Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka pritur sot në takim homologun e saj nga Shqipëria, Gent Cakaj, me të cilin kanë nënshkruar 3 marrëveshje, mes të cilave 2 kanë të bëjnë me shqiptarët në Mal të Zi dhe në Serbi.

Bashkimi i hapësirave konsullore Kosovë-Shqipëri në Strugë, mbështetje financiare për shqiptarët e Malit të Zi, unifikim i spektrit politik në Medvegjë janë 3 marrëveshjet që u bënë publike sot në një konferencë të përbashkët për media pas takimit.

Ministrja kosovare Haradinaj-Stublla tha se marrëveshjet e nënshkruara janë vazhdimësi e iniciativave të mbledhjes së dy Qeverive Kosovë-Shqipëri.

Ajo i bëri thirrje Serbisë gjithashtu që të respektojnë Marrëveshjen e Washingtonit, të nënshkruar midis Kosovës dhe Serbisë më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë në prani të presidentit amerikan Donald Trump.

“Nga këtu dua të bëj thirrje për Serbinë që të respektojë edhe Marrëveshjen e Washingtonit për normalizim ekonomik të cilën e kemi nënshkruar para disa muajsh në Washington. Dhe, specifikisht pikën 6 dhe pikën 12. Pika 6 që flet për njohjen e diplomave dhe certifikatave profesionale e cila do të lehtësonte jetën e shqiptarëve në Serbi dhe pika 12 që do të ndihmonte në zgjidhjen e disa problemeve tjera të shqiptarëve atje”, tha Haradinaj-Stublla.

Ministri në detyrë i Evropës dhe Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj, sa i përket marrëveshjes për bashkimin e hapësirave konsullore Kosovë-Shqipëri në Strugë tha se do të racionalizojë shpenzimet dhe do të bëjë “bashkimin e aseteve të të dy diplomacive”.

Ndërsa, sa i përket marrëveshjes që ka të bëjë me Shqiptarët e Malit të Zi, Cakaj tha se mbështetja politike që i kanë dhënë shqiptarëve atje tani do të përkthehet në mbështetje financiare.

“E dyta është nënshkrimi i marrëveshjes për mbështetje financiare për shqiptarët e Malit të Zi. Realisht ne me ministren Haradinaj-Stublla kemi qenë tepër aktiv në krijimin e koalicionit për listën shqiptare atje, gjë që ka shënuar rezultatet e veta, por ajo mbështetje duhet të përkthehet natyrisht edhe në mbështetje financiare institucionale. Dhe, puna që kemi bërë sot për herë të parë me ngritjen e fondit natyrisht se do të jetë e një vlere të veçantë në këtë drejtim”, theksoi Cakaj.

Duke folur për marrëveshjen për spektrin politik shqiptar në Medvegjë, ministri shqiptar tha se “të gjitha partitë politike shqiptare do të flasin me një zë në zgjedhjet e ardhshme lokale”, duke garuar me një listë të përbashkët.

Gjithashtu, në këtë pikë u përmend edhe dakordimi për të filluar një tryezë politike për çështjen e Luginës së Preshevës, ku do të diskutohen çështje nga pasivizimi i adresave të shqiptarëve që po shkakton problem edhe në votat e tyre, përdorimi i simboleve kombëtare nga shqiptarët, por edhe diskriminimi i tyre në institucione shtetërore.

Në këtë takim kanë qenë prezent gjithashtu edhe përfaqësues politik nga Lugina e Preshevës

Musliu: Shqipëria premton 10 mijë euro për shkollën e Konçulit
Shqiptarët e Luginës së Preshevës me veprim të  kundër pasivizimit të adresave në Medvegjë
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration