Konçuli përkujton Vehbi Rexhepin (Foto)
Në fshatin Konçul të Komunës së Bujanocit të dielën është organizuar manifestimi përkujtimor për dëshmorin, luftëtarin e UÇPMB-së, Vehbi Rexhepi.
Nën organizimin e Bashkësisë Lokale të këtij vendbanimi u zhvillua një program i begat kulturoro-artistik në oborrin e shkollës fillore “Sami Frashëri”, në të cilin, përveç familjarëve të dëshmorit, morën pjesë përfaqësues të Organizatës së Veteranëve të Luftës (OVL) së UÇPMB-së, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Jonuz Musliu, udhëheqësia e fshatit dhe qytetarë, raporton Titulli.com.
Të pranishmit i përshëndeti kryetari Musliu, i cili tha se “dëshmorët nuk duhet të harrohen, ata dhanë më të shtrenjtën, jetën për këtë vend”.
Në fund të manifestimit, familjarët të shoqëruar edhe nga përfaqësuesit e OVL-së dhe kryetari i KKSH-së, vendosën kurora me lule në varrin e dëshmorit Vehbi Rexhepi.
Në kuadër të manifestimit u zhvillua edhe finalja e turnirit në futboll të vogël, që i është kushtuar dëshmorit të UÇPMB-së./Titulli.com/