Kontrollimi i fakteve gjatë një pandemie
Këto janë udhëzime dhe burime të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Media Globale (USAGM) për kontrollimin e fakteve.
Pandemia e koronavirusit dhe rritja e shpejtë e kërkesave për informacion kanë krijuar një ambient ideal për përhapjen e keqinformacioneve dhe dezinformacioneve në gjithë botën.
Nga aktorët keqdashës dhe politikanët që përpiqen t’i avancojnë interesat e tyre deri te përdoruesit e dyshimitë të mediave sociale, pandemia ka krijuar një stuhi të përsosur që mundëson përhapjen e informacioneve të manipuluara me shpejtësi të paparë.
Derisa numri i përdoruesve të mediave sociale vazhdon të rritet në të gjithë botën, audienca duket se preferon organizatat kryesore të lajmeve si burim kryesor të informacionit.
Kjo vë përgjegjësi shtesë mbi organizatat e lajmeve, sepse, përveç sigurimit të informacionit në kohë dhe të saktë për publikun, ato gjithashtu duhet t’i korrigjojnë dhe hedhin poshtë manipulimet e qëllimshme ose të paqëllimshme me informacione.
Më poshtë mund të lexoni disa nga praktikat më të mira për kontrollimin e fakteve, të vlerësuara nga shkencëtarët socialë, reporterët, qendrat kërkimore dhe organizatat joqeveritare:
✘ Mos u hutoni në demaskimin e çdo pjese të parëndësishme ose të paqartë të informacionit të rremë, që qarkullon në mediat sociale. Kjo e largon audiencën nga çështja kryesore dhe, në fakt, mund të shërbejë për të forcuar të pavërtetën dhe për të shkaktuar konfuzion të mëtejshëm.
✔Jini përzgjedhës kur vendosni se cilat të pavërteta do t’i demaskoni dhe korrigjoni. Merrni vendime bazuar në rëndësinë e gënjeshtrës dhe ndikimin e saj të mundshëm.
✘ Mos e theksoni ose mos e përsërisni se është gënjeshtër, nëse është e mundur. Nëse audienca ju njeh, ajo do ta kuptojë menjëherë, pa e përsëritur atë në mënyrë të qartë. Nëse nuk e kupton, ju duhet të shmangni zmadhimin më tej të mitit.
✔ Nëse duhet ta përsërisni pavërtetësinë, sigurohuni të jepni një paralajmërim të qartë - përmes sugjerimeve tekstuale ose vizuale - që informacioni i mëposhtëm është i rremë. "Sanduiçi i së vërtetës" mund të sigurojë një qasje efektive, që do të thotë të filloni së pari me të vërtetën, pastaj me pretendimin e rremë dhe në fund me korrigjimin. Në këtë mënyrë, ju e deklaroni të vërtetën më qartë dhe e përsërisni atë më shpesh sesa vetë gënjeshtrën, duke e bërë korrigjimin më të paharrueshëm.
✘ Shmangni besimin ndaj deklaratave të rreme ose keqinformuese të udhëheqësve politikë. Nëse deklarata vjen nga një figurë e spikatur, mund të jetë e lehtë ose praktikë normale që ta vendosni atë informacion në titull ose në hyrje të raportit dhe ta lini adresimin e natyrës së tij të diskutueshme për më vonë. Megjithatë, kjo qasje i jep rëndësi të pavërtetës dhe ia zvogëlon rëndësinë korrigjimit.
✔ Demaskojeni ose sqarojeni menjëherë deklaratën - në titull ose në hyrje të raportit - duke thënë se ekspertët mund të mos pajtohen ose ka prova që sugjerojnë ndryshe. Miratojeni qasjen "sanduiç i së vërtetës" për artikuj që përmbajnë pretendime të rreme ose keqinformuese.
✘ Mos përdorni terminologji të ngarkuar shkencore ose mjekësore dhe gjuhë komplekse, që mund të humbë vëmendjen e audiencës suaj.
✔ Përqendrohuni në një ose dy fakte kryesore dhe jepni ato në mënyrën më të qartë dhe të thjeshtë të mundshme. Audiencat u kushtojnë vëmendje dhe mbajnë mend gjërat, me të cilat mund të lidhen - informacione që sjellin përgjigje emocionale dhe bëhen "personalisht domethënëse" për to. Prandaj, është e rëndësishme ta bëni prezantimin e korrigjimit të besueshëm dhe bindës.
Këshilla të tjera:
✔ Imazhet dhe pamjet janë jashtëzakonisht të rëndësishme dhe e bëjnë shumë më të lehtë shpërndarjen dhe përpunimin e informacionit kompleks. Kur është e mundur, përforcojeni informacionin e saktë me imazhe, grafika ose harta të thjeshta, por bindëse. Shmangni përdorimin e imazheve të aksioneve që përmbajnë stereotipe ose shkaktojnë më shumë konfuzion dhe panik.
✔ Shfryëzojeni kontrollimin e fakteve si një mundësi për të promovuar median, duke siguruar përmbajtje shtesë që demaskon lajmin e rremë. Për shembull, nëse është një teori konspirative, shpjegoni se si funksionojnë konspiracionet, pse janë të suksesshme dhe si t'i identifikoni ato.
✔ Meqenëse ngjarjet dhe informacionet zhvillohen shumë shpejt gjatë një pandemie, është e rëndësishme të përfshini një etiketë kohore në përmbajtjen e publikuar ose të transmetuar, së bashku me një shënim që tregon se gjërat mund të kenë ndryshuar deri në kohën kur audienca e sheh atë.
✔ Vëllimi i madh i keqinformimit dhe dezinformimit gjatë kësaj pandemie dhe shpejtësia e përhapjes së tyre mund të jenë ngarkesë e madhe për një redaksi, por krijojnë mundësi për bashkëpunim me organizatat e tjera të lajmeve në SHBA dhe më gjerë. Bashkëpunimet dhe hetimet e përbashkëta mund të ndihmojnë në rritjen e efektivitetit dhe kontrollimin e fakteve.