Lokale
Komunalia tre muaj pa rroga, ngrihen tensionet
[caption id="attachment_48916" align="alignleft" width="294"] Foto ilustruese[/caption]
Është rritur problemi i shkaktuar me bllokimin e llogarive bankare të ndërmarrjes publike Komunalia në Bujanoc për shkak të borxhit ndaj Elektrodistribucionit Jug-Lindor në Nish që kalon shifrën e 77 milionë dinarëve.
Punëtorët dëshirojnë rrogat, ndërsa ato nuk mund të sigurohen nga kjo ndërmarrje për shkak të bllokimit të llogarive bankare.
“Para viti të ri kërkuam nga drejtori që të na jepen rrogat, mirëpo ai tha se nuk mundemi të ja sigurojmë. Kishte edhe nga ata punëtorë që kërkonin rrogat për ti blerë fëmijëve diçka për vitin e ri mirëpo nuk morën pagat”, i tha Titullit, me kusht anonimiteti punëtori shumëvjeçar i kësaj ndërmarrje.
Ai shtoi se disa ditë para vitit të ri situata ishte shumë e tensionuar në mesin e punëtorëve. “Situata u përkeqësua aq shumë sa për pak sa nuk ndodhën edhe konfrontime fizike në zyrën e drejtorit”, theksoi punëtori i cili nuk dha detaje të tjera.
Nga ana tjetër drejtori gjeneral i Komunalisë, Ragmi Ramizi, i pat thënë Titullit se bllokimi i llogarive ka ndodhë për shkak të borxhit.
“Kjo ka ndodhë pasi që borxhi i Komunalisë ndaj Elektrodistribucionit që është trashëguar prej drejtorëve të kaluar, ka arrit shifrën mbi 77 milionë dinarë (77.160.316.01 din) pa përfshi edhe kamatën që do të ishte shumë më i lartë”, është shprehur drejtori.
Për momentin tri llogaritë e Komunalisë janë të bllokuara me vendim të gjykatës dhe gjendja në to është zero dinarë. Çdo e hyrë në llogaritë e saj transferohet në atë të Elektrodistribucionit Jug-lindor në Nish për të shlyer borxhin.
Për këtë problematikë është folur edhe në seancën e fundi të Kuvendit Komunal, ndërsa kryetari i Komunës së Bujanocit në emision “Ftesë për studio” për gjendjen e krijuar fajëson paraardhësit por edhe drejtorin e tanishëm të komunalisë.
“Është e vërtetë se është trashëguar një borxh i madh ndaj Elektrodistribucionit, mirëpo edhe drejtorët e mëparshëm por edhe ky drejtorë që është, nëse 24 orë ka dita dhe nata, ata do të duhej 20 orë të punojnë e 4 të pushojnë”, tha kryetari Arifi.
Ai shtoi se për zgjidhjen e këtij problemi do të nevojitet angazhim më i madh i drejtorit “Le të thirret në distribucion, ministri përkatëse, jo drejtorët të sillen vetëm rreth komunës. Jo jo, duhet të kërkojnë, të punojnë. Drejtorë i suksesshëm është ai që i siguron punëtorëve rroga me kohë”, tha mes tjerash Arifi duke shtuar se ndërmarrjet do të kenë mbështetjen tonë, mirëpo ai nënvizoi “se në komunë nuk ka thesar (trezor) por ne marrim nga taksapaguesit, nga qytetarët”.
Kryetari i Komunës së Bujanocit ka thënë poashtu se me situatën në Komunali ka njoftuar edhe Qeverinë e Serbisë për të gjetur një zgjidhje, pasi siç tha Arifi, disa organizata shtetërore i kanë borxh Komunalisë rreth 120 milion dinarë dhe ato borxhe ndaj kësaj ndërmarrje ende nuk janë shlyer.
Komunalia është ndërmarrje e cila furnizon qytetarët me ujë të pijshëm, me nxehje qendrore, me pastrimin dhe mirëmbajtjen e qytetit.
Tri llogaritë bankare të kësaj ndërmarrje janë të bllokuara nga 22 tetori i viti të kaluar./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!