Lokale
Komunalia bënë apel për kursim të ujit
Në territorin e komunës së Bujanocit disa vendbanime përballen me ndërprerjen e ujit për shkak të keqpërdorimit, raporton Titulli.
Fshatrat Tërnoc, Osllar, Nesalcë, Bozhinjevc, Zhbevcë dhe Lilancë janë bashkësitë lokale ku më së tepërmi ka mungesë të ujit në këto ditë të nxehta.
Ragmi Ramizi, Drejtor i Ndërmarrjës Publike “Komunalia”, gjatë një bisede më gazetaren e Titullit deklaroi se keq përdorimi i ujit po bëhet në disa mënyra si kyçja ilegale, ujitja e pa autorizuar të kulturave bujqësore dhe format tjera të keq përdorimit.
Ramizi shtoi se është duke u punuar në rritjen e kapacitetit të prodhimit të ujit duke vendosur pompat adekuate të thithjes së ujit dhe tani mund të prodhojmë ujë 60 litra në sekondë.
Në mbledhjen e fundit të këshillit komunal është thënë nga Ragmi Ramizi se buxheti komunal do të ndihmojë financiarisht në përmirësimin e sistemit furnizues dhe hapjen e puseve të reja.
Projektet të cilët janë përmendur janë financimi “bypasit”në afërsi të qendrës distributive në fshatin Tërnoc dhe hapja e një pusi në fshatin Turi.
Uji që përcillet nëpër shtëpi është ujë i kontrolluar nga Enti Higjienik dhe është i destinuar për nevoja shtëpiake, kështu që rekomandohet të mos keq përdorohet uji në mënyrë që të gjithë te kenë ujë për nevoja familjare./Miranda Nevzadi/Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!