Kompania kineze në Serbi synon ta rregullojë imazhin përmes sportit Volejbollistet serbe festojnë fitoren ndaj Shteteve të Bashkuara në gjysmëfinalen e Kampionatit Botëror. 12 tetor 2022.
Rajoni dhe Politika

Kompania kineze në Serbi synon ta rregullojë imazhin përmes sportit

24.Oct.2022 07:46
0

Qëkur kompania minerare kineze “Zijin Mining Group” bleu kompleksin e vetëm të minierave të bakrit në Serbi në vitin 2018, ajo është përballur me protesta për shkak të ndikimit të saj negativ në mjedis dhe akuzave se është përfshirë në marrëveshje jotransparente biznesi në këtë shtet ballkanik.

Teksa përballet me një rritje të inspektimeve, kompania kineze e minierave është angazhuar me komunitetet e pakënaqura, duke financuar dhe shpërblyer ekipet sportive lokale, në atë që aktivistët dhe grupet mbikëqyrëse thanë se është një përpjekje për të përmirësuar imazhin e saj të njollosur.

 

Kontributi i fundit i kompanisë “Zijin” ishte një donacion prej 300.000 eurosh për ekipin kombëtar të volejbollit të Serbisë pas fitimit të medaljes së artë më 15 tetor në kampionatin botëror të zhvilluar në Holandë.

“Ata po përpiqen të tregojnë se janë një kompani e përgjegjshme dhe që kontribuojnë për komunitetin”, tha për Radion Evropa e Lirë, Mirko Popoviq drejtor i programit në Institutin Rregullator për Energjinë e Ripërtërishme dhe Mjedis, një OJQ mjedisore serbe.

“[Por] hetimet tona në të kaluarën mbi punën e ‘Zijin’ në Serbi tregojnë se ajo është gjithçka, përveç se një kompani e përgjegjshme”.

Kompania “Zijin” është gjobitur vazhdimisht nga autoritetet serbe për shkelje të normave të ndotjes ndër vite. Në prill të vitit 2021, kompania u urdhërua të ndalonte përkohësisht punën në minierën e saj të bakrit pasi nuk përmbushi standardet mjedisore dhe nuk ndërtoi aty pranë një impiant për trajtimin e ujërave të zeza.

Donacioni i fundit për ekipin e volejbollit nuk është hera e parë që “Zijin” jep para për të financuar ekipet sportive, mes problemeve të shumta mjedisore dhe reagimeve në rritje të komuniteteve lokale.

Në fillim të këtij muaji, kompania dhuroi 2.500 euro për një klub lokal të pingpongut. Vitin e kaluar, ajo nënshkroi gjithashtu një marrëveshje sponsorizimi prej 17.000 eurosh me klubin zyrtar të futbollit në Majdanpek, një qytet në rajonin Bor, në lindje të Serbisë, ku “Zijin” zhvillon aktivitetin e saj të minierave të bakrit. Po atë vit, “Zijin” dhuroi 153.000 euro për Ministrinë e Rinisë dhe Sporteve të Serbisë.

Një rrugë që të çon në galerinë e hapur të bakrit në Bor.
Një rrugë që të çon në galerinë e hapur të bakrit në Bor.

“Kina dhe Serbia janë miq të hekurt dhe marrëdhëniet tona dypalëshe i kanë rezistuar provave në kohëra të trazuara”, shkruhej në një deklaratë të “Zijin” më 17 tetor që shoqëroi donacionin e saj për ekipin kombëtar të volejbollit për femra. Volejbolli është gjithashtu një nga sportet më të njohura në Kinë, veçanërisht volejbolli për femra.

Snezana Todoroviq, një aktiviste lokale mjedisore, tha për Radion Evropa e Lirë se donacioni i fundit “ka një shije të hidhur” për të sepse erdhi më pak se një muaj pasi autoritetet shpërbënë një kamp të ndërtuar nga aktivistët në Majdanpek për të ndaluar zgjerimin e minierave të “Zijin” në atë zonë.

“Unë mendoj se këto para kanë për qëllim të lajnë ndërgjegjen [njerëzve], kështu që ata do të [bëjnë një sy qorr]”, tha Todoroviq.

“Zijin” dhe Federata e Volejbollit të Serbisë nuk iu përgjigjën kërkesave për koment të Radios Evropa e Lirë rreth donacioneve.

Me sytë kah sporti

Serbia dhe Kina i kanë intensifikuar marrëdhëniet ekonomike dhe politike në vitet e fundit, me Pekinin që e sheh vendin ballkanik si një trampolinë për projekte siç është nisma “Brezi dhe Rruga” dhe ndikimin në rritje në Evropë.

Bankat shtetërore kineze i kanë dhënë Serbisë miliarda dollarë kredi për projekte ndërtimi që kryesisht kryhen nga punëtorë kinezë. Serbia është kthyer në një treg eksporti për dronët kinezë, pajisjet ushtarake dhe teknologjinë e vëzhgimit.

 
Kompanitë kineze gjithashtu kanë zgjeruar shtrirjen e tyre në Serbi, duke marrë nën kontroll miniera, fabrika çeliku dhe duke ndërtuar rrugë, fabrika dhe linja hekurudhore.

Kompania më e madhe minerare e arit në Kinë dhe një nga prodhuesit kryesorë të bakrit në vend, “Zijin”, bleu aksionet e kompanisë minerare serbe në vitin 2018, kur mori përsipër shlyerjen e borxheve të Borit në një marrëveshje prej 1.26 miliardë dollarësh. Kjo pasoi një marrëveshje të vitit 2016, ku kompania kineze “Hesteel” bleu një fabrikë të madhe çeliku në qytetin Smederevo në lindje të Serbisë.

 

“Zijin” nuk është e vetmja kompani kineze që ka kërkuar të marketojë brand-in e saj në sportet serbe.

Logoja e “Peak”, një prej markave kryesore të veshjeve sportive dhe këpucëve në Kinë, është e vendosur në fanellat e ekipeve kombëtare të volejbollit dhe basketbollit të Serbisë. Kompania kineze “Linglong”, e cila po ndërton një fabrikë gomash prej afro 1 miliard dollarësh në Serbi, është sponsori kryesor për kampionatin e futbollit në vend, i cili është riemërtuar “Linglong Tyre Superliga”.

Një lojtar i kombëtares serbe vesh një fanellë të markës kineze Peak gjatë Lojërave Olimpike të Tokios.
Një lojtar i kombëtares serbe vesh një fanellë të markës kineze Peak gjatë Lojërave Olimpike të Tokios.

Ashtu si “Zijin”, edhe kompania “Linglong” gjithashtu e ka gjetur veten të përfshirë në skandale gjatë viteve për shkak të ndotjes mjedisore dhe praktika të dobëta të punës. Në vitin 2020, organizatat joqeveritare serbe zbuluan se disa nga objektet e ndërtuara që rrethonin fabrikën e gomave në qytetin e Zrenjaninit ishin bërë pa leje ose pa studime të ndikimit në mjedis, duke shkaktuar protesta dhe reagime.

Një skandal kombëtar shpërtheu gjithashtu pasi standardet e dobëta të punës u zbuluan në fabrikë, ku qindra punëtorë vietnamezë të punësuar nga një nënkontraktor jetonin në banesa të improvizuara pa energji elektrike, ngrohje apo ujë, ndërkohë që u ishin konfiskuar pasaportat.

Shqetësimet mjedisore në Serbi

Pavarësisht donacioneve për ekipet sportive lokale në rajon, aktivistët thanë se përpjekjet e kompanisë “Zijin” për të përmirësuar reputacionin e saj nuk do të funksionojnë.

Ljubica Vukçeviq, këshilltare kryesor ligjor për “RERI”, një OJQ mjedisore, i tha Radios Evropa e Lirë se zemërimi dhe zhgënjimi ndaj “Zijinit” shtrihen në të gjithë zonën, veçanërisht me rritjen e ndotjes dhe problemeve mjedisore.

Kompanitë kineze të minierave nuk janë të vetmet që kanë shkaktuar polemika dhe reagime nga banorët e zonave ku operojnë.

 

Protestat të shumta shpërthyen në fund të vitit 2021 në Serbi mbi planet për të ndërtuar një minierë litiumi që do të zhvillohej nga gjigandi anglo-australian i minierave “Rio Tinto”. Pas protestave, Qeveria serbe hoqi dorë nga planet e saj për sipërmarrjen.

Aktivistët dhe ambientalistët thanë se Qeveria serbe ka një sistem të dobët rregullator që u lejon kompanive të anashkalojnë mbrojtjen mjedisore pa i kushtuar kujdesin e nevojshëm. Sipas Aleancës Globale për Shëndetin dhe Ndotjen, një grup ndërkombëtar monitorues, Serbia është vendi më i ndotur në Evropë.

Aktivistë mjedisorë dhe qytetarë bllokojnë një autostradë në Beograd në dhjetor të 2021-it për shkak të planeve tashmë të braktisura për minierat e litiumit në Serbi nga kompania anglo-austriake Rio Tinto.
Aktivistë mjedisorë dhe qytetarë bllokojnë një autostradë në Beograd në dhjetor të 2021-it për shkak të planeve tashmë të braktisura për minierat e litiumit në Serbi nga kompania anglo-austriake Rio Tinto.

Por, në Serbi janë shtuar shqetësimet për praktikat e kompanive kineze, të cilat kanë të dhëna të dobëta mjedisore në mbarë botën. Ekziston gjithashtu frika se kompanitë kineze mund të jenë më të gatshme për të përfituar nga mbrojtja më e dobët ligjore e Serbisë.

Në një raport të fundit, Parlamenti Evropian shprehu shqetësime për investimet kineze, duke thënë se mungesa e transparencës rreth vlerësimeve të ndikimit në mjedis mund të çojë në probleme serioze. “Zijin”, në deklaratat e saj në të kaluarën, ka pohuar se ndjek ligjin serb.

Edhe grupi holandez i avokimit, “Just Finance”, ka shprehur shqetësime të ngjashme. Në një hetim të muajit majit, ajo tha se investimet e “Zijin” në Serbi u ndërmorën “pa i kushtuar kujdesin e nevojshëm mjedisor dhe social”, gjë që ka bërë që njerëzit të braktisin fshatrat pranë operacioneve të saj minerare.

Qëkur “Zijin” mori kompleksin e minierave dhe shkrirjes së bakrit në Bor, “jeta e qytetarëve në të paktën pesë fshatra në këtë zonë të Serbisë është përmbysur”, tha grupi.

Përgatiti: Besmir Nenaj-REL
Murati: Asociacion vetëm reciprok me Kosovën Lindore, ose ripërcaktim kufijsh
Organizohet e-trajnimi “Kodi etik i funksionerëve në qeverisjen lokale" , ftohen edhe këshilltarët në Bujanoc
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration