Komandanti i Luginës që vizitën e Ramës e priti me lot në sy (video)
Gjatë 15 viteve të fundit shumë familje nga tre komunat shqiptare, Preshevë, Bujanoc e Medvegjë kanë rinisur një jetë të re në Kosovë. Për arsye të ndryshme ata kanë vendosur ta braktisin vendlindjen e tyre. Një prej arsyeve është edhe lufta për liri dhe më shumë të drejta.I dënuar në mungesë, i përndjekur nga Policia e Serbisë, ky është Komandant Luli (Lulzim Ibishi), i cili nga viti 2009 nuk mund të vizitojë Preshevën, vendlindjen e tij.
Në pamundësi për të ardh në Luginë, ai vizitën e kryeministrit shqiptar e ndoqi vetëm nëpërmjet ekranit televiziv.
Emocionet për të dhe familjen nuk mungojnë. Komandanti me lot në sy e larg nga Norça, vendlindja e tij, përcolli vizitën e kryeministrit Edi Rama.
E emocionuar, Vlera Ibishi, vajza e Lulzim Ibishit, tha për RTK-në se ndjenë mungesën që nuk është në mesin e shqiptarëve në Preshevë, në pritje të kryeministrit të parë shqiptarë.
Komandant Luli, në luftën e Kosovës ishte pjesë e UÇK-së, në atë të Luginës ishte njëri ndër komandantët kryesorë të zonës. Ai bashkë me familjen tani jeton në Fushë Kosovë.
“Ne si familje jetojmë në Kosovë prej vitit 2009. Arsyeja pse jetojmë këtu është se jemi të përndjekur nga pushteti serb. Unë jam i dënuar në mungesë. Arsyeja e jetesës në Kosovë është nga pamundësia për të jetuar në Preshevë, në familjen tonë, në fshatin tonë”, u shpreh Lulzim Ibishi, transmeton Titulli.
Bashkëshortja e tij ende mban punën në Preshevë, deri atje udhëton tre orë në një drejtim për një pagë prej 300 eurosh.
“Unë skam pas qef me ardh këtu hiç, po prej zorit. Jemi mësu atje, ishte fshat por kemi jetuar mirë, kemi pas një jetë normale. U dashtë patjetër”, thotë bashkëshortja e Lulzimit.
Ushtari i dy luftërave gëzon statusin ligjor të Veteranit në Kosovë, megjithatë ai kërkon një punë. Për katër fëmijët, Fjollën, Lahutën, Vlerën dhe Skyfterin dëshiron një jetë më të mirë.
“Deri tash nga mekanizmi shtetëror i Kosovës apo i komunave ne nuk kemi asnjë beneficion, asnjë ofertë për punë apo kur kemi konkurruar ndokund. Deri tash kemi jetu...si të them... e kemi shty jetën, sot për nesër”, shprehet Lulzim Ibishi.
Lufta për Komandant Lulin ende nuk ka mbaruar. I dënuari me burg në mungesë nga autoritetet serbe nuk heq dorë që një ditë të lëvizë lirshëm në vendlindjen e tij, në Norçë të Preshevës.
Derisa të vijë dita që të shohë sërish vendlindjen, ai bashkë me familjen do të jetojnë në Kosovë./Titulli.com/