Kohë kur Lugina duhet të “çartet” politikisht
Lokale

Kohë kur Lugina duhet të “çartet” politikisht

10.May.2021 07:39
0

Që nga paraqitja e idesë për shkëmbim territorial në mes Luginës dhe veriut të Kosovës nga ana e ish-presidentit Hashim Thaçi si rrjedhojë e bisedimeve në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe së fundmi me ‘’ non-paperat’’ nga disa qendra evropiane, klasa politike në Luginë është në gjumë të ariut polar dhe po duket  e hutuar karshi proceseve ndërkombëtare ku shpesh në gojë nga diplomatë dhe dokumente zyrtare  si pjesë e përfundimit të negociatave përmendet edhe statusi  politiko- administrativë i Luginës. 

Në të vërtet kemi disa deklarata tek-tuk nëpër media të disa politikanëve tanë por ato nuk janë të harmonizuara sa duhet dhe në vend që ta ndihmojnë  Luginën ato vetëm shkaktojnë çorientim në politikën e mbrapsht shqiptare në Ballkan dhe në qendrat e vendosjes ndërkombëtare.

Mungesa e një strategjie politike kombëtare nga dy shtetet shqiptare,urrejtja patologjike në mes Tiranës dhe Prishtinës për një konsensus rreth interesave vitale të popullit shqiptarë është bartur edhe në Luginë ku jo rastësisht partitë politike janë bërë pikë e pesë dhe të hasmuara skajshmërish sa që nuk po shohin interesin e popullit dhe të ardhmen e tij, me një fjalë nuk po i shohin gërshërët mbi hartën e Ballkanit.

Përkundër tërë këtyre ndasive partitë politike shqiptare në Luginë duhet të gjejnë forcën  që të lënë anash egot e lënduara dhe të bëjnë punën e tyre për të cilën janë të thirrur, të angazhohen për të mirën e përgjithshme e jo vetëm atë personale.

Pasi që përfaqësojnë Luginën ato duhet të flasin për të pasi që i njohin problemet më mirë dhe të mos presin shumë nga  politika e pashpresë dhe mediat e Kosovës për të cilët Lugina është një territor i largët diku afër Australisë.

Si mundësi ideale do të kishte qenë që Kuvendi i këshilltarëve shqiptarë të Luginës të autorizojë një delegacion  nga Lugina të përbërë nga intelektualë që jo domosdoshmërish janë pjesë e partive politike dhe t’ia përplasë në fytyrë qeverisë së Kosovës. Pra delegacioni i Luginës t’i imponohet publikisht qeverisë së Kosovës pa marr parasysh se i pëlqen asaj apo jo. Ajo çka ka rëndësi është që Lugina ta bëj punën e saj.

Ky lloj delegacioni aspak nuk do ta pengonte punën ditore të partive politike në Luginë pasi që do të ishte mbipartiak dhe do të fliste me një zë të vetëm e që do të kuptohej më lehtë nga të tjerët. Përveç kontakteve me Prishtinën dhe Tiranën do të ishte përgjegjës edhe për kontaktet me qendrat e vendosjes në Evropë dhe Amerikë që merren me të ardhmen e bisedimeve Kosovë -Serbi ku do të parashtroj interesat e Luginës.

Politika si veprimtari shoqërore shpesh barazohet me ligjet e ekonomisë, sa investon aq edhe fiton. A do të dalë fituese  Lugina varet nga të zgjedhurit e popullit të cilët besoj se e kanë kuptuar se politika përveç privilegjeve kërkon edhe  flijim. Ata që nuk janë në gjendje për tu flijuar nuk e kanë vendin në ballë të popullit.

Koha e heshtjes ka kaluar. Të shpresojmë se heshtja nuk është këmbyer për privilegje. Nëse jo, partitive  politike të Luginës nuk i mbetet tjetër  pos të aktivizohen me vrap për avancimit e statusit politiko-administrativë të Luginës çfarëdo qoftë ai. Nëse e arrijnë këtë do ta arsyetojnë atë për çka po thirren, se janë për të mirën e popullit dhe paqen afatgjate. Të lumtë ata që arrijnë të dalin  faqebardhë para popullit.

Shkruar nga Fadil Isufi-Bujanoc

 

 

Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration