Koalicionet e mundshme paszgjedhore në Bujanoc
Pas publikimeve të rezultateve zyrtare të Komisionit Zgjedhor Komunal të Bujanocit, kalkulimet për formimin e koalicionit qeverisës, hyjnë në fuqi menjëherë.Shkruar nga Drilon Hyseni-Bujanoc;
Përbërja e re e Kuvendit Komunal të Bujanocit, nga një llogaritje e thjeshtë, mund të jetë kështu: Partia për Veprim Demokratik me partnerin strategjik Unionin Demokratik Shqiptar, me të cilën ishte në koalicion parazgjedhor, si bartëse e formimit të qeverisë lokale me 12 këshilltarë, mund të zgjedhin për partner koalicioni Partinë Përparimtare të Vuçiqit, me 7 këshilltarë, pastaj Socialistët me 2 këshilltarë dhe romët me 1 këshilltarë, gjithsej 22 këshilltarë.
Në opozitë mund të ngelin partitë e deritashme qeverisëse si: Partia Demokratike me 10 këshilltarë, ajo e Jonuz Musliut me 4 këshilltarë dhe ajo e Stojança Arsiqit, me 5 këshilltarë.
Ky kalkulim i ka rrënjët te historia e zgjedhjeve të mëparshme. Me këtë rast, PVD-ja, me ballin lart mund të shkoj me këtë koalicion, pa e dëmtuar imazhin që fitoi në zgjedhje.
PVD-ja me kryetar komune nga radhët e saj, kurse kryetar Kuvendi nga radhët e partnerit strategjik të UDSH-së, nuk ka asgjë në kundërshtim me parimet politike.
Nëse ka mundur PD-ja e Nagip Arifit, para 4 vjetësh të hyj në koalicion me 11 këshilltarë serbë, e t’i lë në opozitë 18 këshilltarë shqiptarë, ta bëjë kryetarin e Kuvendit nga radhët e saj, pse Shaip Kamberi të mos hyjë me 9 këshilltarë serbë, e me kryetar të Kuvendit nga radhët e UDSH-së.
Kjo qeverisje e lë me derë të hapur për të hyrë Jonuz Musliu më vonë në koalicion, duke ia kufizuar kërkesat megalomane, ashtu siç ia bëri edhe qeverisja e mëparshme, pas disa muajsh pushtet, kur ia lejoi vendin e kryetarit të Kuvendit, duke e kthyer nga opozita në pozitë.
Kjo llogaritje e thjeshtë, është vetëm një analizë e thjeshtë politike, për t’ua mbyllur gojën atyre, nëse mendojnë se është tradhti kombëtare, nëse në koalicion kyçen edhe këshilltarët e subjekteve politike serbe. Po ashtu edhe kjo llogaritje ua mbyll derën haraçaxhinjve dhe profiterëve anësor, të cilët në emër të kombit, mundohen t’i bëjnë këshilltarët shqiptarë bashkë me 26 sish, e nuk u bënë bashkë kur në mandatin e kaluar ishin 30, që për herë të parë në historinë e Komunës së Bujanocit, e morën shumicën absolute.
Si do që të jetë, nuk është thënë kot “historia përsëritet”, nganjëherë edhe për të mirë. Urime dhe fat në ndarjen e pushtetit lokal, të cilin populli ua ka servuar jo për të manipuluar me të për të keq.
Opinionet e autorit janë personale dhe nuk paraqesin domosdoshmërish edhe mendimin e Portalit Informativ-TITULLI